Nancy Levin, nga Amerika në Kosovë vullnetare e Korpusit të Paqes

Nancy Levin, nga Amerika në Kosovë vullnetare e Korpusit të Paqes

09:26, 26/02/2023
A+ Aa A-

Nancy Levin, 25 vjeçe nga Pitsburgu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka disa muaj që punon si vullnetare në Kosovë në kuadër të Korpusit të Paqes.

Pesë ditë në javë ajo mban orë mësimore të gjuhës angleze me nxënësit e shkollës ‘Zenel Hajdini’ në fshatin Lupç i Poshtëm, rreth 15 kilometra larg Prishtinës.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ajo tha se Kosova është vendi i parë ku po punon si vullnetare.

‘Është vërtetë përtej asaj që prisja, një përvojë që po më ofron shumë ngrohtësi, po shkoj shumë mirë me kolegët dhe nxënësit e mi në shkollë. Gjatë muajve të kaluar kam pasur mundësinë t’i njoh ata më mirë por edhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit dhe deri tani është një përvojë e mrekullueshme për mua’, tha ajo.

Nancy thotë se ndër gjërat që i ka bërë më shumë përshtypje është mirëpritja që shqiptarët e Kosovës kanë për amerikanët.

‘Kjo është besoj ndjesia më kapluese, në kuptim pozitiv natyrisht, që unë kam ndërsa po jetoj në Kosovë, pra miqësia ndërmjet vendeve tona dhe mirëpritja nga komuniteti. Është ndjenjë e mrekullueshme të rrethohem nga kolegë dhe pjesëtarë të komunitetit që mezi presin të punojnë me vullnetarë dhe janë mirënjohës për faktin që jemi këtu, jam shumë mirënjohëse’, thotë ajo.

Disa nga nxënësit me të cilët ajo punon, thonë se përveç që po u ndihmon në përvetësimin e gjuhës, Nancy e ka bërë edhe argëtuese klasën e gjuhës angleze.

‘Është shumë mirë që ka ardhur këtu në Kosovë si vullnetare pasi që e dimë që Amerika është kontinent tjetër prej Evropës pra kontinentit ku jemi ne si Kosovë dhe mendoj se është mirë të kombinojmë përvojat e saj në Amerikë me ato që ne i kemi këtu në Kosovë. Domethënë dy shtete me tradita e origjina të ndryshme, prandaj është mirë që ne të mësojmë dicka nga ajo dhe ajo prej nesh’, thotë Arsona Lupci, nxënëse e klasës së tetë.

‘Përvoja me të është shumë e mirë, na ndihmon shumë në komunikim e në gjëra që ne nuk i dimë dhe thjeshtë ka sjellë edhe një energji shumë pozitive te ne’, thotë Elvira Koliqi, nxënëse e klasës së tetë.

Nancy Levin është pjesë e grupit prej 16 vullnetarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët u betuan në nëntor të vitit të kaluar për të shërbyer në Kosovë si pjesë e Korpusit të Paqes.

Për dy vjet disa prej këtyre vullnetarëve do të punojnë në shkolla për të ndihmuar nxënësit që të mësojnë gjuhën angleze dhe disa të tjerë në organizata joqeveritare në vend.

Hyzri Halimi nga Korpusi i Paqes në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se programi i edukimit është përqendruar kryesisht në zona rurale.

‘Në kuadër të programit për edukim mundohemi që të depërtojmë në zonat sa më rurale të Kosovës, për faktin që fëmijët në ato zona kanë nevojë për mbështetje shtesë në mësimin e gjuhës angleze, por edhe zonat urbane nuk bëjnë përjashtim. Ndërsa në kuadër të programit tjetër, pra zhvillimin organizativ të komuniteteve, për shkak të natyrës së programit përqëndrimi i vullnetarëve mbetet në zona më urbane’, tha ai.

Zoti Halimi tha se rikthimi i programit pas dy viteve të ndërprerjes për shkak të pandemisë së COVID-19ës, është shumë i rëndësishëm edhe për thellimin e miqësisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

‘Tri objektivat kryesore të Korpusit të Paqes në botë janë të njëjtat, kanë të bëjnë me ofrimin e asistencës teknike ku kjo kërkohet, ndërsa dy objektivat e tjera janë promovimi i kulturës dhe njohjes mes kombeve të ndryshme. Kosova si komb i cili ka sens të posaçëm për amerikanët është me fat që ka Korpusin e Paqes këtu dhe kjo sigurisht ndihmon në thellimin e miqësisë sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, tha ai.

Ky është grupi i shtatë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë. Grupi i parë qëndroi në Kosovë në vitin 2014, një vit pasi Kosova dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje ndërshtetërore për hapjen e programit të parë të Korpusit të Paqes.

Korpusi i paqes është themeluar nga Presidenti John Kennedy në mars të vitit 1961. Që atëherë më se 200 mijë amerikanë kanë shërbyer në 140 vende të ndryshme të botës në çështje që nga lufta kundër sëmundjeve, në fushën e arsimit, teknologjisë informative e deri te mbrojtja e mjedisit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco