‘Shqetësime alarmuese për HEC-in e Skavicës’/ Diaspora për Shqipërinë e Lirë kërkesë urgjente qeverisë

‘Shqetësime alarmuese për HEC-in e Skavicës’/ Diaspora për Shqipërinë e Lirë kërkesë urgjente qeverisë

14:37, 10/10/2022
A+ Aa A-

Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka kërkuar informim dhe prononcim nga qeveria e Edi Ramës në lidhje me ndërtimit e HEC-it të Skavicës.

Në kërkesën e saj të publikuar në Facebook, Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka ngritur një sërë shqetësimesh nga banorët e qarkut të Dibrës lidhur me planet për zhvillimin dhe shfrytëzimin e HEC-it të Skavicës.

‘Bazuar në këto shqetësime alarmuese dhe vlerësimin që ekipi ynë ka bërë në terren, ne shfrytëzojmë këtë mundësi për të kërkuar informacion të detajuar, i cili do duhej të ishte publik, përsa i përket ndkimit të veprave infrastrukturore kaq të rëndësishme’, shkruan Diaspora për Shqipërinë e Lirë.

Postimi i plotë:

Lenda: Kërkesë për informim dhe prononcim në lidhje me ndërtimit e HEC-it të Skavicës

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuar znj. Ministre,

luteni të pranoni dhe merrni në konsideratë shkresat e bashkangjitura, të cilat ngrejnë shqëtësimin si më poshtë. Kërkesa për informacion i është përcjellë gjithashtu për dijeni dhe Delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, stafit negociues për Shqipërinë pranë Komisionit Evropian dhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar për ambjentin (ENVI) pranë PE.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DSHPL) ka marrë një numër të madh shqetësimesh nga banorët e qarkut të Dibrës lidhur me planet për zhvillimin dhe shfrytëzimin e HEC-it të Skavicës. Këto shqetësime i referohen kryesisht mungesës së informacionit të besueshëm publik dhe procesit të duhur të konsultimit publik bazuar në ligjin 146/2014 për Njoftimin dhe Konsultimin Publik. Bazuar në këto shqetësime alarmuese dhe vlerësimin që ekipi ynë ka bërë në terren, ne shfrytëzojmë këtë mundësi për të kërkuar informacion të detajuar, i cili do duhej të ishte publik, përsa i përket ndkimit të veprave infrastrukturore kaq të rëndësishme.

Kjo kërkesë nuk sfidon mbështetjen që organizata jonë i jep vizionit dhe përpjekjeve të vendit për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë në kuadër të kërcënimit global për sigurinë energjetike dhe rrezikut të mungesës së energjisë. E kuptojmë gjithashtu interesin e Qeverisë për të menaxhuar më mirë kaskadën e Drinit duke ulur rrezikun e fatkeqësive natyrore (përmbytjet) dhe duke rritur kapacitetin prodhues të të gjithë HEC-eve përgjatë kaskadës së lumit Drin.

Grupi i punës për Mjedisin dhe Energjinë pranë DPHSL e konsideron jetike transparencën për çështjet e mëposhtme:

1.Plani i projektit – Detajet e projektit duke përfshirë gjurmën përfundimtare të liqenit dhe digës duhet të vihen në dispozicion të publikut.

2. Konsultimet Publike - Ne vlerësojmë se hidrocentrali i Skavicës do të prekë mbi 20,000 banorë në një zonë që shtrihet në 34 fshatra. Humbja e tokës, e shtëpive të tyre dhe e çdo mjeti jetese të imagjinueshëm është një proçes që kërkon të paktën konsultim publik të detajuar dhe të hollësishëm. Të gjitha pasojat e mundshme dhe ndikimet e tjera duhet të publikohen, diskutohen dhe sqarohen hapur me banorët që preken nga ky projekt përpara se të ndërmerren hapat e mëtejshme zbatimit. Presim që një dokument i tillë apo informacionet e kërkuara të na dërgohen në përputhje me ligjin nr. 119/2014 për të drejtën e informimit, jo më vonë se dhjetë ditë nga depozitimi i kërkesës.

3. Studimi i fizibilitetit / Analiza socio-ekonomike e projektit – Një analizë e ndikimeve socio-ekonomike të projektit - duke përfshirë ndikimet në mjedis, arkeologjinë, monumentet biologjike dhe habitatet prehistorike - duhet të jetë përgatitur dhe miratuar tashmë. Prandaj, në emër të popullatës lokale kërkojmë të na vihet në dispozicion dokumentacioni përfundimtar që përfshin të gjitha masat për zbutjen e ndikimit dhe efekteve të këtij projekti.

Ne e ftojmë Qeverinë që të marrë në konsideratë adoptimin e një praktike të BE-së e cila nuk do të kufizonte kurrë vepra të tilla të rëndësishme vetëm në interesin e popullatës lokale. Si një organizatë kryesisht përfaqësuese, jemi të lumtur të konfirmojmë interesin mbarëkombëtar për këtë projekt dhe veçanërisht interesin e lartë të rrjeteve profesionale në Shqipëri dhe jashtë saj.

Duke ju falenderuar paraprakisht për mirëkuptimin dhe përgjigjen e shpejtë pozitive, ne mbetemi në dispozicionin tuaj për të ndihmuar për një transparencë më të lartë dhe proçes të konsultimit publik me aktorë të ndryshëm.

Me respekt

Grupi i Mjedisit dhe Energjisë

Diaspora për Shqipërinë e Lirë

#diasporaleviz

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco