2022 dyfishon rastet për kancerin e gjirit, kryeson Fieri

2022 dyfishon rastet për kancerin e gjirit, kryeson Fieri

18:32, 04/10/2022
A+ Aa A-

Nëse tetori është muaji i ndërgjegjësimit të grave për kontrollin e gjirit, për mjekët është muaji i bilancit. Onkologët flasin për rritje të rasteve më kancer të gjirit dhe shifrat e sëmundshmërisë janë alarmante.

Vetëm këtë vit janë paraqitur në shërbimin onkologjik në QSUT mbi 1 mijë e 100 raste të reja. Pjesa më e madhe e grave vijojnë ta kapin sëmundjen në faza të avancuara ndaj dhe vdekjet mbeten të larta.

“Ne numërojmë 1115 raste, ndërkohë që më përpara ky numër ka qenë 600-700 raste në vit. Dhe këto të regjistruara vetëm në shërbimin tonë.

Ende vazhdojnë ta diagnostikojnë kancerin në faza jo fare të  hershme, kjo duket nga numri i pacienteve që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Rreth 40% e tyre marrin trajtim kirurgjikal dhe 60% kryejnë kimioterapi. Fatkeqësisht një pjesë e grave nuk arrijnë të mbijetojnë”, shpjegon Silvana Çeliku, shefja e shërbimit të onkologjisë pranë QSUT-së.

Edhe pse Tirana ka numrin më të lartë të popullsisë, Fieri kryeson në rang vendi për sëmundshmërinë më të lartë nga kanceri gjiri. 

Sipas të dhënave nga Instituti  i Shëndetit Publik, qyteti i dytë, për rastet më të shtuara me këtë lloj kanceri, është Korça, i ndjekur nga Elbasani. Kryeqyteti renditet i katërti për rastet më kancer gjiri e pas tij Berati. Kukësi dhe Dibra në veri janë qytetet ku kanceri i gjirit shfaqet më pak.

“Ju them të gjitha, grave, nënave, femrave që duhet ta vlerësojnë shëndetin e tyre. Të ruajnë këtë hijeshi femërore por dhe të mos e humbin fatin e madh për të qenë nëna dhe për të ushqyer fëmijët me gji”, shton onkologia.    

Silvana Çeliku rendit disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e këtij kanceri. “Ndotja e ajrit, stresi, mënyra e të ushqyerit, ushqimet me hormone të ndryshme janë faktorë që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të gjirit. Por një faktor i rëndësishëm është trashëgimia. Ekzaminimet gjenetike duhet të hyjnë si në të gjithë botën për të parë se sa nga këto gra të prekura e kanë kancerin të trashëguar nga nënat, nga tezet apo nga gjyshet”, thotë ajo.

Mjekët bëjnë thirrje për kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme për kapjen e hershme te kancerit të gjirit./A2CNN

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco