VIDEO/ Alarmi i AKU për salsiçe të kontaminuara, vëzhgimi i SYRI TV, produktet janë në treg

15:07, 21/09/2022
A+ Aa A-

Salçiçe me bakterin vdekjeprurës që shkakton sëmundjen Listerozës janë shitur dhe po shiten në dyqane e supermarketet shqiptare. Alarmi është dhënë nga AKU, e cila kërkon nga qytetarët që të mos konsumojnë salçiçe Wudi pasi janë të kontaminuara. Por edhe pse njoftimi nga autoritetet Italiane ka ardhur që një ditë më parë, edhe sot këto produkte janë tregtuar lirshëm në supermarketet shqiptare.

Nga SYRI TV

Në dyqanet dhe supermarket shqiptare janë duke u tregtuar salçiçe që përmbajnë virus vdekjeprurës. Alarmi jepet nga AKU, e cila në një njoftim publik ka sqaruar faktin se salçiçet Wudi, sipas një njoftimi nga  Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë, kanë rezultuar me prani e bakterit ‘Listeria monocytogenes STI55’, e cila shkakton sëmundjen e Listerozës, që për disa njerëz mund të jetë vdekjeprurës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka publikuar edhe shënimet e loteve të kësaj salsiçeje që janë të kontaminuara dhe që janë hedhur në treg, e shumë prej tyre janë konsumuar edhe nga qytetarët.

‘Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu. Kujdes konsumatorë! Mos i konsumoni këto produkte, kthejini pranë subjekteve ku i keni blerë!’, thuhet në njoftimin e AKU-së

Por teksa AKU i bën thirrje qytetarëve të mos i konsumojnë, SYRI TV kreu një vëzhgim në dyqanet dhe supermarketet e Tiranës. Disa prej tyre nisën heqjen e produktit nga raftet vetëm në momentin që lajmi u bë publik në media, çka dëshmon se AKU apo Ministria e Bujqësisë nuk ka kryer asnjë kontakt të mëpartshëm me këto subjekte që këto produkte të kontaminuara të hiqeshin nga tregu, edhe pse njoftimi nga autoritetet Italiane ka ardhur të paktën që një ditë më parë.

Por teksa disa subjekte po i hiqnin këto produkte pasi lajmi doli në media, disa të tjerë vijonin t’i shisnin pa asnjë lloj problemi. Në pamjet që po transmetohen në këto moment duken raftet e tejmbushura të një prej supermarketeve, i cili për reklamon se ka bërë edhe ofertë për çmimin e tyre. E nga verifikimi rezulton se produkti që ishte për tu shitur është një nga ato që përmban bakterin vdekjeprurës, sipas njoftimit të AKU.

Një nga Lotet e prodhimit që ka rezultuar është -1945455, Datë Skadence: 26/11/2022, të cilin e shikoni në njoftimin e AKU-së, e kjo salsiçe e kësaj linje prodhimi vijon të shitet në treg edhe pse ishte se duhej hequr. Por jo vetëm ky lot edhe shumë prodhime të tjera të kontaminuara të salsiçeve Wudi janë në treg, apo të paktën po tregtoheshin lirshëm, teksa kryhej vëzhgimi nga gazetarët e SYRI TV.

Një tjetër problem është edhe mungesa e informacionit nga AKU apo Ministria e Bujqësisë se sa është sasia e këtyre salsiçeve që janë hedhur në treg dhe cilat ishin hapat e marra për bllokimin e saj.  Po çfarë është ky bakter? Sipas njoftimit të vet AKU, Listerioza është një sëmundje që shkaktohet nga ngrënia e ushqimeve të pagatuara, të ngrira dhe të gatshme për t’u ngrënë, që janë kontaminuar me bakterin e quajtur Listeria monocytogenes, ose thjesht Listeria.

Listerioza është e rrallë, por mund të shkaktojë simptoma të rënda, madje edhe vdekje, në grupet me ndjeshmëri të lartë. Tek të rriturit e shëndetshëm, Listeria mund të shkaktojë një sëmundje të ngjashme me gripin. Ajo mund të shkaktojë sëmundje të rënda tek të moshuarit, gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre të palindura, foshnjat e sapolindura dhe njerëzit me një sistem imunitar të dëmtuar ose të dobësuar.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco