Asnjë surprizë! Deputetët e maxhorancës së kryeministrit Edi Rama shkelën Kushtetutën pasditen e sotme duke miratuar me procedurë të përshpejtuar brenda një dite marreveshjen e huasë, me SHBA-në për blerje materialesh ushtarake.
Marrëveshja, e cila është mbajtur sekret edhe për deputetët që duhet ta votonin, parashikon një kredi 302 milionë euro që do të përdoret për Ushtrinë Shqiptare .
Në seancën e orës 15:00 marrëveshja u votua me 74 vota pro, zero kundër, zero abstenim. Ndërsa opozita vendosi të bojkotojë duke mos pranuar të bëhet pjesë e kësaj seance antikushtetuese. Ndërkohë në seancën e nisur rreth orës 15:00 Kuvendi mbylli dyert dhe diskutimet u zhvillohen pa praninë e medias në seancë.
Vetë kryeministri Edi Rama i cili në shkelje të Kushtetutës urdhëroi miratimin me procedurë të përshpejtuar, të marrveshjes se huas, me SHBA-në duke kërkuar nisjen e procedurave, shqyrtimin dhe diskutimin, brenda një dite, nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit.
Ndërkohë në seancën e paradites, e fundit për këtë sesion, vendimi i mazhorancës solli tensione , pasi opozita kërkoi miratimin e marrveshjes ditën e premte, ne respektim të Kushtetutës e cila edhe ne rastin e një projekligji me procedurë të përshpejtuar kërkon miratimin jo më parë se një jave nga nisja e procedurave.
Edhe lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kalonte marrëveshjen në mënyrë antikushtetuese, pasi kishte dështuar të siguronte buxhetin që kërkonte NATO.
Incidenti
Jo vetëm në shkelje të Kushtetutës, por marrëveshja u mbajt sekret edhe nga deputetët e opozitës, të cilëve në vend se t’u vihej në dispozicion teksti i projektligjit, u detyruan të shkonin në sekretarinë e Kuvendit, ku u shënua edhe një incident, pasi deputeti Agron Shehaj mori marrëveshjen dhe u largua.
Ndërsa Partia Socialiste vendosi që të zhvillojë me dyer të mbyllura diskutimet në seancën plenare për miratimin e marrëveshjes, në fshehtësi dhe duke larguar mediat, me justifikimin se marrëveshja është konfidenciale.
Marrëveshja e huasë direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF) u miratua nga qeveria më Më 19 qershor.
Marrëveshja parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), e cila do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Fondet do të shërbejnë për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve ushtarake, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimin e ndërveprimit të ushtrisë shqiptare me standardet e NATO-s.
© SYRI.net