Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, akuzoi qeverinë se po tenton të miratojë në kundërshtim me Kushtetutën marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e pajisjeve ushtarake.
Në një deklaratë për mediat pas mbylljes së seancës plenare, e cila u shty për në orën 15:00, Balliu theksoi se opozita e mbështet plotësisht marrëveshjen, por jo procedurën e ndjekur nga mazhoranca.
Sipas tij, deputetëve nuk u është dhënë koha dhe dokumentacioni i nevojshëm për t'u njohur me përmbajtjen e marrëveshjes, ndërsa paralajmëroi se miratimi i saj në këto kushte cenon Kushtetutën dhe rrezikon vlefshmërinë e procesit të ratifikimit.
Balliu i bëri thirrje mazhorancës që të respektojë procedurat kushtetuese dhe ta sjellë marrëveshjen për votim vetëm pasi të jenë përmbushur afatet ligjore.
Deklarata:
Balliu: Plotësisht pro marrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra jo vetëm këtë, por çdo marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aq më tepër në lidhje me mbrojtjen e Shqipërisë. Shqipëria ka detyrime si anëtare e NATO-s për të rritur investimet në mbrojtje, siç e keni parë dhe ju nga mbledhja e fundit, samiti i fundit i NATO-s, që ka shkuar deri në 5%. Dhe çdo investim në mbrojtje është në interes të Shqipërisë dhe në interes të shtetit shqiptar. Këto interesa garantohen nga ligji dhe nga Kushtetuta. Kur Kushtetuta shkelet, ngrihen pikëpyetje të rënda mbi procedurat që mund të ndjekë një qeveri nesër. Tani konkretisht sipas Kushtetutës, kjo është Kushtetuta e vendit. Neni 83, pika 2 thotë: Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një të pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Ndërsa këta çfarë po bëjnë? E kanë sjellë sot në mëngjes, kanë mbledhur Komisionin e Punëve të Brendshme bashkë me Komisionin e Ekonomisë, brenda të njëjtës ditë dhe kërkojnë që në orën 3 të vijë dhe të votohet kjo marrëveshje, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën. Në qoftë se shkelet Kushtetuta, ne nuk kemi garanci ligjore apo kushtetuese për mbrojtjen e këtyre parave, se bëhet fjalë për një qeveri që fondet e IPARD i vodhi, fondet e BE-së i vodhi. Sot iu shkon goja lëng për të vjedhur dhe fonde nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që janë borxh, hua, që do ta paguajnë qytetarët shqiptarë. Por që të marrësh borxh të mbrosh vendin tënd është një gjë normale dhe ne e mbështesim plotësisht marrëveshjen. Por ne nuk mund të mbështesim kurrsesi shkeljen e Kushtetutës së vendit. Se kjo Kushtetutë është ajo që ju jep ju të drejtën e fjalës, që ju mbron ju të drejtat tuaja dhe të drejtat e çdo qytetari shqiptar. Kjo Kushtetutë është ajo që garanton që qytetarët janë sovranit i këtij vendi. Kjo Kushtetutë është ajo që garanton që qeveria duhet të japë llogari dhe të bëjë transparencë këtu në parlament, dhe jo t'u thotë deputetëve votoni një marrëveshje që s'e keni lexuar. Se kjo është dhe kulmi pastaj. Që këta kërkojnë që ne të lexojmë, të votohet një marrëveshje pa u votuar. Partia Socialiste mund ta ketë lehtë, por ne kemi detyrim ndaj ligjit, shtetit dhe qytetarëve të lexojmë çdo gërmë të çdo marrëveshje ku merren rreth 300 milionë, në mos gaboj, borxh që do t'i paguajnë qytetarët shqiptarë. Kjo është absurde. Partia Demokratike, që është dhe partia që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, pa diskutim që është në mbështetje të kësaj marrëveshje, pa diskutim që jemi pro kësaj marrëveshje dhe kërkuam që të respektohet Kushtetuta. Do të thotë, që të premten, apo të hënën, apo të martën, me datë 1 gusht, 2 gusht, 3 gusht, 10 gusht, 20 gusht, kur të duan të thërrasin parlamentin dhe të vijmë dhe ta votojmë këtë marrëveshje. Por të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pse ka rëndësi? Ne kemi një aleat thelbësisht jetik për vendin tonë dhe për të ardhmen tonë dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të bësh pis marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t'i nxjerrë ato antikushtetuese, është një sulm që i bëhet aleatit tonë. Edi Rama sot me këtë akt, kërkon të sulmojë administratën Trump, në bazë dhe për interes të miqve të tij sorosistë dhe të vetë George Sorosit.
Për të bërë pis një marrëveshje që është në ndihmë të vendit, në ndihmë të shtetit, në ndihmë të qytetarëve, të mbrojtjes dhe të ardhmes sonë, kërkon ta bëjë pis duke shkelur Kushtetutën. Nuk mundet ta lejojmë dhe do t'ju lutesha të gjithëve ta nxirrni, ju media të veçanërisht, ta nxirrni nenin 83, pika 2. Thjesht po kërkojmë respektimin e Kushtetutës. Kjo është garancia jonë. S'kemi garanci tjetër ne si qytetarë të këtij vendi përveç kësaj. Mos e lini në dorë të një individi, të Edi Ramës, të ardhmen tuaj, por lëreni në dorë të Kushtetutës. Prandaj Partia Demokratike mbështet plotësisht marrëveshjen, por është kundër shkeljes së Kushtetutës. Mbështesim plotësisht marrëveshjen dhe duam të vijmë ta votojmë në përputhje me Kushtetutën. Çfarëdo lloj dite, s'ka rëndësi. Ne s'kemi pushime. Se shumë prej këtyre kanë prerë biletat dhe nuk duan të kthejnë biletat e tyre dhe prandaj s'pranojnë të vijnë ta bëjnë të hënën në përputhje me Kushtetutën. Apo të premten. Sepse kanë prerë biletat dhe të shkelet Kushtetuta se do ikin këta me pushime. Kjo është çmenduri. Dhe ne nuk jemi shtet kartoni.
Pyetje: Çfarë diskutimesh janë zhvilluar në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë dhe të Ekonomisë? I keni diskutuar, pra i keni ngritur këto pretendime që po thoni edhe aty? A e lexuat marrëveshjen, meqë thatë mbledhja ishte me dyer të mbyllura?
Balliu: Marrëveshjen na e sollën aty. Tani të lexosh një marrëveshje brenda komisionit gjatë kohës që po diskutohet...
Pyetje: Ju s'e keni firmosur deklaratën e konfidencialitetit për t'u njohur me të?
Balliu: Jo. Jo, unë s'e kam firmosur sepse s'kisha si ta firmosja një gjë që s'e kam... unë kam të drejtë ta shikoj qoftë edhe për çështje sekrete, unë e kam çertifikatën e sigurisë.
Pyetje: Pra nuk është dashur të firmosni një deklaratë ekstra konfidencialiteti për ta shikuar?
Balliu: Jo, duhet ta firmosh një deklaratë aty, por problemi është këtu: duhet të kesh marrëveshjen. Si ta firmosim pa patur marrëveshje? Na e sollën marrëveshjen aty urdhëro, më thonë lexoje. Ndërkohë që unë po diskutoj. Po kjo është qesharake. E njëjta gjë... Një marrëveshje për 300 milionë euro.
Pyetje: Ishte marrëveshje voluminoze? Sa faqe ishte marrëveshja?
Balliu: Nuk e di sa faqe ishte se nuk di të them... e pashë aty marrëveshjen. Ajo çfarë mund të them është që nuk sillet asnjëherë. Prandaj jepet, ka afate kushtetuese 5 ditë, se ti e shikon, e analizon, nxjerr pikat që duhen, mund të bëhet ndonjë përmirësim. Pra, në çdo vend të botës jepet një kohë. Nuk mund të thuash dil në orën 12 nga parlamenti, hajde në orën 1 në komision dhe votoje në orën 2. Për 300 milionë euro. Po mirë, në qoftë se e kanë kaq lehtë, hajde hyjmë në parlament dhe t'i japim 500 milionë euro për qese ujin, për shembull.
Ç'është kjo? Pra, për këto çështje të qytetarëve duhen afatet, duhet të presësh një javë, një muaj, dy muaj, një vit. Ka qytetarë që presin 15 vjet për një teatër atje. Pra në këtë kuptim marrëveshja nuk na është dhënë. Shkoi kolegu im te salla, ju e patë, ishit në seancë, se i thanë që e ke te sekretaria. Shkoi atje dhe nuk ishte. Pastaj thanë e ka marrë një deputet tjetër. Po tani unë do gjurmoj se deputetët që e kanë marrë? Pra e vetmja gjë që kërkojmë, të gjitha këto diskutime janë kaq qesharake, sepse shkelet Kushtetuta. Po kur shkelet Kushtetuta rrezikohet jeta e gjithësecilit prej nesh se kjo është ajo që na e garanton, dhe të drejtën e jetës, dhe të drejtën e fjalës. Dhe këta, me anë të këtij akti po sulmojnë administratën Trump. Për këtë të jeni të qartë, kjo bëhet për ta sulmuar, për të nxjerrë që këta bëjnë marrëveshje antikushtetuese. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë korrekt, kanë kaluar të gjitha gjërat, etapat e tyre, ua kanë sjellë prej kohësh, e kanë pasur kohën ta sjellin në parlament. I kanë bërë të gjitha. I vetmi që e shkel dhe e shkatërron është Edi Rama, për interesa të mirëfillta personale. Asgjë tjetër. Po nuk mund të vihet një vend i tërë në dispozicion të Edi Ramës. Dhe kjo s'është normale. Po ju them edhe një herë sinqerisht, merreni Kushtetutën, po doni t'ju lë dhe këtë. Lexojeni, nxirreni ku të doni dhe në qoftë se ne jemi gabim, i pari do jem unë që shkoj ta votoj që tani. Në qoftë se ju më thoni që le të shkelet Kushtetuta, dakord.
Pyetje: Zoti Balliu, do të shkoni në seancë në orën 3?
Balliu: Po është seancë antikushtetuese se nuk e thërret dot atë seancë. Nuk e thërret dot. Në komision po. E thirrën komisionin, po sot është antikushtetuese. Ne jemi detyruar të shkojmë kur nuk është shkelje e Kushtetutës. Shkuam te komisioni, po veprimet që komisioni bën për t'i hapur rrugë shkeljes antikushtetuese, pastaj ato janë veprime antikushtetuese. Pra në këtë aspekt, do ju kërkoja me shumë respekt, ju lutem, edhe për qytetarët që na ndjekin, ta shpjegojmë se si një qeveri sot, brenda tetë orësh kërkon të shkeli Kushtetutën dhe të kalojë një marrëveshje për 300 milionë euro që s'e ka lexuar askush, asnjë nga deputetët që janë atje. Ajo gjysma e atyre s'dinë as të lexojnë, duhet t'ua shpjegojnë. Nuk kanë asnjë informacion se çfarë po votojnë dhe turren, turren për të ngritur kartonin. Unë nuk e di, a ka ndonjë informacion tjetër? Kjo duhet të kalonte dhe nga Komisioni i Jashtëm. S'pashë Komision të Jashtëm aty. Po kjo është një çështje më vete. Pra është e gjitha një amulli vetëm për interesat e Edi Ramës. Po e mbyll me këtë. Partia Demokratike është pro kësaj marrëveshje dhe çdo marrëveshje me aleatët tanë strategjikë, të cilët janë jetikë për të ardhmen dhe sigurinë e vendit tonë. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë. Dhe nuk duhen bërë pis marrëveshjet me aleatët tanë për interesat e Edi Ramës duke shkelur Kushtetutën. Neni 83, pika 2. Ju lutem, shikojeni dhe nxirreni sa më shumë të keni mundësi. Kjo është Kushtetuta. Kushtetuta është e vërteta, është e drejta dhe ne jemi me të. Faleminderit!
© SYRI.net