NATOkontrast

NATOkontrast

14:45, 27/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Ilda Zhulali 

Në të gjitha vendet e NATO po zhvillohet një debat serioz e i thelluar mbi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen drejt objektivit të ri prej 5% të PBB-së deri në 2035 (3.5% për mbrojtje thelbësore, 1.5% për siguri e infrastrukturë). Parlamente, ekspertë, media diskutojnë çfarë do të thotë ky kontribut, si do të financohet, dhe ku do të shkojnë paratë.

- Në Britani, Starmer u zotua publikisht për 5%-shin dhe kjo u shoqërua me diskutime parlamentare të gjera.

- Pedro Sánchez i Spanjës tha se objektivi ishte “i paarsyeshëm”, dhe u përball me debate të ashpra.

- Sllovakia deklaroi se do të vendosë vetë ritmin e rritjes së shpenzimeve, pa u diktuar.

- Gjermania paraqiti plan konkret me dyfishim të buxhetit të mbrojtjes, dhe objektiv të qartë për 3.5% deri në 2029.

- Poloni, Lituani, Estoni mbështetën fort rritjen, me ministra që dolën publikisht të shpjegonin pse dhe si.

Në Shqipëri, e gjithë kjo çështje madhore u përmblodh në dy video-meme: atletet e bardha të Ramës në Stamboll, dhe një deputet duke vrapuar nëpër korridoret e Kuvendit, pasi Edi Rama vendosi që marrëveshja të ndjekë një rrugë antikushtetutese miratimi.

Asnjë diskutim përmbajtësor! Asnjë plan afatgjatë! Asnjë debat mbi shifra, prioritete apo mbikqyrje! Pse pikërisht 302 milionë e jo 400, apo 200? Për çfarë do të shkojnë këto para? Kush do t’i administrojë? A do të kenë fatin e fondeve IPARD, të inceneratorëve, të Portit të Durrësit, apo të “anijeve-tigra” të Vlorës?

Pse qeveria nuk pati asnjë plan më parë, dhe pse kjo “urgjencë” vetëm pasi u përfol anullimi i samitit të NATO në Tiranë? Ku është plani afatgjatë i detyrimeve që buron nga anëtarësimi ynë në aleancë? A është kjo hua pjesë e një strategjie afatgjatë mbrojtjeje, apo një lëvizje taktike e minutës së fundit diktuar nga rrethanat?

Këto duhej të ishin thelbi i një seance parlamentare serioze, të një vendi anëtar të NATO. Në vend të kësaj, Edi Rama ofron vetëm shkelje kushtetuese dhe tragjikomedi bajate, si gjithmonë.   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco