Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, deklaroi në Kuvend se Shqipëria duhet të ndryshojë legjislacionin për zonat e mbrojtura dhe mjedisin, duke e lidhur këtë me kërkesat e Bashkimit Europian.
Duke folur për projektin në Zvërnec, Strazimiri tha se mbrojtja mjedisore është pjesë e kapitullit 27 të negociatave dhe se shfuqizimi i amendamenteve të vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike është një kërkesë europiane.
“E ka kërkuar BE-ja, jo opozita. Nuk është citim i Sali Berishës, por i Marta Kos”, u shpreh Strazimiri, duke akuzuar qeverinë se po shmang përballjen me kërkesat e Brukselit. Ai shtoi se protestat janë pjesë e demokracisë dhe se qeveria duhet të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve.
Strazimiri:
Zoti kryetar... Për projektin në Zvërnec, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të BE-së dhe ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen. Edhe para protestave kemi rënë dakord që të shfuqizohen amendamentet e vitit '24 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Këto do të bëheshin për kapitullin 27. Do të inkurajoja autoritetet sa më shpejt që të jetë e mundur. Protestat janë pjesë e demokracisë dhe mënyra si vendet e trajtojnë ato është e rëndësishme. Inkurajoj që qeveria të trajtojë shqetësimet e qytetarëve, por kapitulli 27 është një prej më të kërkuarave, më të shumtit, dhe Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin. Nuk është citim i Sali Berishës, as i ndonjërit prej nesh këtu, është shoqja Marta Kos.
Është pikërisht ajo që vjen këtu e fut në gushë Edi Ramën e i thotë sa i mirë je, i thotë dhe i cakton dhe datën kur do të mbyllen negociatat dhe kur do të hyjmë në BE, e cila të kërkon që sot të ndryshosh rendin e ditës...
E kaq me datën 14 korrik në fakt. Të ndryshosh rendin e ditës, nuk është kërkesë e opozitës. Është kërkesë e shoqes Marta Kos. Duke i dhënë fjalën Blendi Klosit që të na e marri shpirtin nga mërzia Bledi... Ti flet e na e merr shpirtin nga mërzia, nuk ia dilni dot kështu. Është kërkesë e Bashkimit Evropian, jo vetëm e opozitës. Dhe mbaj mend dhe një gjë tjetër, nuk bëhet shpjegim vote kur është pro, bëhet vetëm kur është kundër Niko. Të falënderoj shumë.
© SYRI.net