Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka kritikuar në Kuvend qeverinë për mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke akuzuar mazhorancën se nuk u përgjigjet problemeve të qytetarëve.
Balliu u ndal te fondet e akorduara për koncertin e Kanye West, duke deklaruar se qeveria shpenzon miliona euro për aktivitete argëtuese, ndërsa nuk ndërhyn për qytetarët e prekur nga përmbytjet apo fatkeqësitë natyrore.
“Kur vjen Kanye West, kaloni me akt normativ 4.2 milionë euro dhe ia merrni popullit më të varfër të Europës për t’ia dhënë një miliarderi”, tha Balliu.
Sipas tij, protestat nuk mund të mbulohen me koncerte apo spektakle, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Balliu:
Tani kryetar, ose ju bëni sikur s'merrni vesh, ose pastaj nuk hani pykë. Ne këto projektligje, këto propozime, ne kemi më shumë se një muaj që jua kemi sjellë. Kurse zotëria në fjalë, vjen këtu, i teket mbrëmë edhe vjen, ju e ndryshoni në sekondë rendin e ditës. Kur bëhet fjalë për interesat e qytetarëve, nxirrni 100 makinacione vetëm për mos të folur për ato çështje.
Kur bëhet fjalë për të kaluar paratë tek qytetarët, kur bëhet fjalë që për raste tërmeti, që për raste përmbytjesh të kalojnë para për qytetarët, ju nuk merreni me ta, ju nuk i shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Kur vjen Kanye West, kaloni me akt normativ 4.2 milionë euro, dhe vini pastaj dhe na shiteni si të majtë, se do i marrim paratë e të pasurve dhe do t'ua japim të varfërve.
Dhe ia merrni 4.2 milionë euro popullit më të varfër të Evropës, për t'ia dhënë një miliarderi që të këndojë nja 40 minuta, që të tërhiqni ju vëmendjen nga një protestë që ju ka vënë përpara. Nuk tërhiqet vëmendja, nuk zgjidhet problemi me protestën duke vënë ju muzikë, as me Kanye West, as me Ylli Limanin, dhe me asnjë këngëtar tjetër.
Ajo zgjidhet vetëm me dorëheqjen e Edi Ramës. Dhe me hir a me pahir do ta japë dhe ai, edhe ti pas tij meqënëse ke vendosur të vesh trish si zëdhënës i tij. Faleminderit.
© SYRI.net