Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme kërkoi një reagim të qeverisë shqiptare ndaj deklaratave të ministres serbe.
Vokshi pyeti nëse qeveria serbe është distancuar nga deklaratat, ndërsa kritikoi heshtjen e kryeministrit Edi Rama. “Ku është kryeministri? Apo nuk e lë Vuçiçi që të flasë?”, u shpreh ajo.
Ajo kërkoi që Komisioni të miratojë një deklaratë të përbashkët dhe të rikthehet diskutimi për një rezolutë të plotë në mbështetje të Kosovës dhe interesave kombëtare.
Vokshi akuzoi gjithashtu qeverinë se po dëmton procesin e integrimit europian përmes korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve të drejtësisë, duke kërkuar që raporti i sundimit të ligjit të diskutohet në Komision.
Vokshi:
A ishte distancuar ministri serb nga deklarata? A ishte distancuar qeveria serbe nga kjo deklaratë skandaloze e ministres? Të na tregojë, se nuk mund të dali duke qeshur edhe duke dhënë dorën me ministrin serb në valën e reagimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo që kërkojmë ne... pse s'ka folur kryeministri? Na përmendët kryetarin e grupit. Ku është kryeministri? Pse nuk flet kryeministri? Apo nuk e lë Vuçiçi që të flasi? Prandaj ne kërkojmë që të dalim me një deklaratë të përbashkët... deklaratë e përbashkët, dhe të riiniciojmë një deklaratë të kompletuar, një rezolutë të kompletuar, atë që keni kaq vite që e mbani në sirtar dhe nuk e miratoni.
Çfarë do të thotë të jesh patriot sot? Kush është patriotizmi sot? Është të mbrosh demokracinë, të mbrosh pluralizmin, të përfaqësosh qytetarët, të kontribuosh në procesin e integrimit? Apo të përfaqësosh bandat kriminale këtu? Apo të përfaqësosh krimin e organizuar këtu? Apo të sjellësh interesat e krimit këtu? Apo të vjedhësh zgjedhjet duke përdorur krimin? Apo të minosh në çdo moment procesin e integrimit europian? Hajde pra flasim për patriotizëm nëse doni. Sepse edhe ato mesazhe i çonit të gabuara kur i çonit.
Nuk i çonit me mesazhet e duhura. Të paktën një reagim pak më dinjitoz. Sepse ato që na shohin dinë t'i dallojnë, kush është patriot dhe kush nuk është. Kush punon për interes të tyre dhe kush punon për interes të bandave kriminale. E dallojnë shumë mirë, dihet. Të gjithë e dinë shumë mirë si kanë ardhur, ku kanë ardhur, pse kanë ardhur dhe kë përfaqësojnë. Ndaj juve që nuk jeni pjesë, edhe të mazhorancës, të kësaj përfaqësie, ne kërkojmë që të bëhemi bashkë. Po ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit për hir të Kosovës, për hir të kombit. Po ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit, po kontribuojmë, po e sjellim edhe deklaratën të gatshme, dhe reagoni ndaj kësaj deklarate. Dhe sa për atë rezolutën që na përmendni në Strasburg, po merrni lexoni raportin e Rule of Law.
Se ta shpjegon shumë mirë raporti i Rule of Law, i cili në fakt sot duhet të kishte ardhur këtu në komision për t'u diskutuar, dhe ne kemi një kërkesë, kryetar, që ta fusim në ditët që vijnë në diskutim të këtij komisioni. Ku qartazi dëshmohet, qartazi dëshmohet kush po e minon procesin e integrimit në Shqipëri. Po e minon çështja Balluku, çështja e imunitetit, korrupsioni, investitorët strategjikë, krimi i organizuar, pastrimi i parave. Kjo është çështja që duhet të diskutojmë neve në ditët në vijim, para se të mbyllet ky sesion, kryetar. Ai raport të vijë dhe të bëhet plan pune. Dhe kërkoj dhe një herë, ju lutem, hidhni në votim propozimin tonë për të dalë me një deklaratë të përbashkët për deklaratat skandaloze të ministres serbe dhe dënimin e tyre, dhe kërkesat për qeverinë shqiptare që të reagojë duke e shpallur 'non-grata' dhe duke nisur procedurat ligjore, sikurse e kërkuam, që ajo të ndëshkohet dhe në rang ndërkombëtar për evokimin e gjenocidit dhe të krimeve të regjimit të Milosheviçit. Faleminderit.
© SYRI.net