Mareglen Çoku, një sipërmarrës 43-vjeçar nga Elbasani, është përfshirë zyrtarisht në botën e biznesit në vitin 2019. Së bashku me vëllain e tij më të vogël, Erlindin, krijuan “Çoku Company”, në janar të atij viti.
Aktiviteti i tyre ishte i fokusuar në “Tregti të materialeve të ndryshme, të produkteve ushqimore, pijeve, cigare, kafe, kakao, çajra të ndryshëm etj”.
Në vitin 2023, dy vëllezërit vendosën të pezullojnë këtë kompani dhe hapin një subjekt tjetër, me aktivitet të ngjashëm, “Çoku M & E”. Gjatë kësaj periudhe, Marenglen Çoku u bë edhe një personazh publik në Elbasan.
Në vitij 2021, ai u emërua Administrator i Akademisë së Futbollit të Elbasanit, skuadrës që drejtohej nga Bashkia e qytetit. Ky pozicion e bëri Çokun një figurë të dukshme, i cili, duke qenë pranë ekipit e tifozëve, doli nga “hija” që kishte qëndruar për disa vite.
Si Administrator, ai krijoi raporte të ngushta me Kujtim Llupan, president i skuadrës së Elbasanit, megjithëse në dokumentat zyrtare nuk rezulton si aksioner i “AF Elbasani”.
Bashkëpunimi mes tyre u formalizua, ndër të tjera, edhe në krijimin e një kompanie të përbashkët, “Tech Solution” shpk, në vitin 2025. Kompania ka aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit, rrjete, sistemeve të kamerave, etj.
Marenglen Çoku, njeriu që nuk ishte marrë kurrë formalisht me pajisje të inteligjencës kompjuterike, vendosi që të regjistronte kompaninë e re me Llupan në të njëjtën adresë që kishte shoqërinë e tij të “tregtisë së produkteve ushqimore”, në Bradashesh të Elbasanit.
Çoku nuk qëndron gjatë në këtë shoqëri. Ai largohet pas vetëm dy muajsh, ndërkohë që ortaku i tij, Kujtim Llupa, e zhvendos selinë e kompaninë në Tiranë.
Një denoncim për baste
Megjithëse Marenglen Çoku, zyrtarisht, nuk kishte asnjë lidhje me kompjuterat, një denoncim i mbërritur në adresën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, e përfshin atë në një histori tërësisht informale me bastet on-line.
Denoncimi, i mbërritur nga “qytetari dixhital”, natyrisht, nuk ka asnjë konfirmim nga institucionet ligjzbatuese. Megjithatë, në ambjentin sportive ku jetoi Çoku për disa vite, përfshirja në baste nuk do të ishte gjëja më e pamundur në botë.

“Doktor, kjo ështe faqja e basteve të paligjshme, por që veprojne si të ligjshme nga Elbasani deri në Korçë”, thuhej në postin e bërë nga Berisha në rrjete sociale, në 10 dhjetor 2024.
Në vijim të postimit, shoqëruar edhe me një foto, thuhej: “Personi në të djathtë të Ramës dhe i lidhur me të, quhet Mareglen Çoku. Ai është pika e kontaktit me bandën e Elbasanit që kontrollon bastet online. Vëllai i tij është Lipjan Çoku dhe ai është menaxheri në hije i basteve që dërgon parate në grupin kriminal të Elbasanit”.
Duke e shoqëruar postimin edhe me linkun e një faqeje bastesh në internet, “denoncuesi dixhital” përfundon tekstin që i ka dërguar Berishës: “Doktor, prokuroria bën sikur s’i di këto, këtë vend e ka mbyt krimi”.
Marenglen Çoku, nën “sitën” e SPAK
Ndërkohë që denoncimi publik nuk rezulton të jetë verifikuar deri më tani, ose të paktën nuk ka asnjë informacion zyrtar nga instituconit ligjzbatuese, megjithatë Marenglen Çoku është një personazh në “sitën” e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK.
Pak kohë më parë, në media u raportuar se mjediset private të Mareglen Çokut ishin subjekt i një kontrolli të urdhëruar nga ana e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Sipas burimeve të hapura, këto kontrolle u zhvilluan në kuadër të hetimeve që prokurorët po kryejnë ndaj një grupi të dyshuar kriminal, të drejtuar nga Suel Çela.
Mareglen Çoku mori riemërimin si Administrator i skuadrës së Elbasanit në korrik të vitit 2024, me miratimin e Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë, i cili zgjati deri në mars 2025./boldnews
© SYRI.net