Gjatë protestës së 50-të radhazi të zhvilluar para Kryeministrisë, një prej qytetarëve që mori fjalën para protestuesve ngriti një sërë çështjesh që lidhen me Kosovën, diasporën, ekonominë dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Ai e nisi fjalën e tij me një reagim ndaj deklaratave të një ministreje serbe, duke kërkuar që ajo të shpallet “person i padëshiruar” në Shqipëri, ndërsa bëri thirrje për një angazhim më të madh të diplomacisë shqiptare dhe asaj kosovare në arenën ndërkombëtare.
“Lobi serb është shumë i fuqishëm dhe ne duhet të punojmë shumë më tepër në këtë drejtim”, u shpreh qytetari.
Ai kritikoi gjithashtu tarifën prej 5 eurosh në pikën kufitare të Kukësit, duke e cilësuar të padrejtë për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, Kukësi është përballur me pasoja të rënda nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës dhe tashmë rrezikon të përballet edhe me ndërtimin e një landfilli për mbetjet.
Në fjalën e tij, qytetari foli edhe për zhvlerësimin e dollarit ndaj lekut, duke pretenduar se kjo situatë dëmton diasporën dhe emigrantët shqiptarë.
“Qeveria shqiptare është kundër diasporës dhe emigrantëve”, deklaroi ai, duke shtuar se shteti duhet të mbështesë më shumë shqiptarët jashtë vendit.
Duke folur për integrimin në Bashkimin Europian, ai theksoi se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet dhe të ndërmarrë reforma të thella, ndërsa bëri thirrje që qeveria të përballet me qytetarët.
“Qeveria aktuale duhet të zbresë në shesh, t’ju shikojë në sy dhe t’ju thotë se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja dhe kush fiton me meritokraci të qeverisë”, u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, qytetari tha se do të përcjellë shqetësimet e protestuesve edhe në samitin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara në New York, duke deklaruar mbështetjen e tij për protestën.
“Unë jam me popullin dhe do të bëj që zëri juaj të dëgjohet”, përfundoi ai.
© SYRI.net