Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetet sociale një pjesë nga fjala e një protestueseje në protestën qytetare, të cilën e ka shoqëruar me mesazhin: "Thirrje që duhet dëgjuar!"
Në fjalën e saj, protestuesja e cilëson protestën si një bashkim të qytetarëve të lirë përtej bindjeve politike dhe paralajmëron se dështimi i saj do të sillte pasoja të rënda për vendin.
Sipas saj, zhgënjimi i qytetarëve do të nxiste një valë të re emigrimi, ndërsa Shqipëria do të mbetej në duart e atyre që, sipas saj, "vetëm i marrin vendit pa i dhënë asgjë".
Protestuesja: Për të thënë të vërtetën, filloi si një komedi shumë e shëmtuar që e quajti veten të lidhur me protestën. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë se si qeveria, pra ata të cilët... ata kundër të cilëve po protestojmë, kanë luajtur gjithashtu komedira të shumta të shëmtuara me qëllimin e vetëm, sigurisht, për të përçarë edhe për të zhbërë këtë nismë. Shumë të bukur, shumë të veçantë që bëri bashkë ata shqiptarë që janë qytetarë, punëtorë, familjarë, që i duan të mirën këtij vendi dhe që mendonin deri diku se ishin vetëm. Dhe kjo ishte mrekullia e kësaj proteste. Dhe kjo është arsyeja pse të gjithë ne kur vinim në bulevard, të paktën muajin e parë, ishim hera-herës edhe të mallëngjyer. Për të pasur pastaj një lumë, një lumë fytyrash që janë thënë për këtë protestë, nuk po e dëgjoj askund të thuhet gjëja më e rëndësishme, ose mbase është harruar, se kjo protestë ka bërë bashkë njerëz që vijnë nga rrethana nga më të ndryshmet dhe që kanë bindje nga më të ndryshmet, por bëhen bashkë nga një kauzë që është ajo e lirisë. Se të gjitha revolucionet kërkojnë të njëjtën gjë, që është gjithmonë liria, liria nga zgjedha e atyre që na e kanë bërë të vështirë që të ndihemi të shpërblyer dhe të gjejmë meritokracinë në këtë vend. Dhe sot po mendoja një skenar fatkeq hipotetik, në të cilin dëshira e madhe e të gjithë atyre që janë më të zëshëm kundër kësaj proteste bëhet realitet, dhe e zëmë se kjo protestë zhbëhet. Po pastaj? Kam përshtypjen që janë shumë të vetëdijshëm për atë që do të ndodhë pastaj dhe kjo është ajo që më trishton më shumë. Që ata e dinë që përtej gjithë atyre konspiracioneve, jo iraniani, jo ky, jo ajo, në fakt ka qytetarë të cilët janë këtu me shpirt, dhe e dinë shumë mirë se këta që janë një shtresë shumë e mirë e vendit tonë dhe janë ata që po e mbajnë vendin në këmbë, se janë ata që punojnë dhe janë ata që prodhojnë dhe janë ata që janë shkolluar dhe kanë zgjedhur të rrinë këtu për ta bërë këtë vend, ashtu sikundër për të bërë edhe veten e tyre në këtë vend sigurisht, se guri rëndon në vend të vet. Por çfarë do të ndodhë me ta pastaj? Do të ndodhë ajo që kjo shtresë, që mund t'i ishte dhënë në dorë që ta bënte vendin, do frustrohet, do ndihet akoma më e shtypur. Nuk do lejohet që të japë më të mirën e vet. Do të vazhdojë t'i jepet vendi atyre që u është dhënë deri tani, që janë patronazhistë, që janë njerëz që këtij vendi vetëm i marrin, i marrin, i marrin pa i dhënë asgjë mbrapsht, në mënyrë parazitare. E kam thënë që vërtetë ndonjëherë druaj se kjo protestë mund të jetë pikënisja e një tjetër eksodi shqiptarësh, dhe më vjen keq se ky eksod do ishte... do ishte shterues për trurin e këtij vendi. Është ajo që thuhet ikja e trurit që ka ndodhur deri më tani, se më shumë se 400 mijë shqiptarë janë larguar këto 10 vitet e fundit nga Shqipëria dhe këto janë të dhëna zyrtare. Po çfarë do të ndodhte sikur ti këta njerëz, që vijnë me shpresën e mirë për ta bërë këtë vend, për ta ndryshuar, ti i izolon, i segregaton, i bën të ndihen se sakrifica dhe mundi i tyre ka shkuar dëm? Mendoj që kjo do ishte... do ta përjetonim që të gjithë ne. Dhe ky do ishte skenari më i tmerrshëm, sepse nëse këta njerëz që janë shpresa që i ka ngelur këtij vendi, se shpresa për një të ardhme më të mirë janë gjithmonë njerëzit e shkolluar që punojnë, ata që vazhdojnë t'i besojnë disa idealeve dhe nuk tregohen cinikë. Dhe do ia linin këtë vend të hapur që të mund të bënin festë pikërisht këta njerëz që deri më sot e kanë shitur dinjitetin njerëzor, kanë shitur... kanë bërë kompromise që as llogariten fare, po tani po shesin edhe vendin. Ja këta do ngeleshin. Edhe e di, nuk do kishte më njeri për t'u thënë 'stop' dhe nuk do ngelte më njeri për t'i ndaluar. Dhe kjo është arsyeja pse po bëhemi 50 ditë që dalim këtu pavarësisht diferencave që mund të kemi me njëri-tjetrin. Nuk ka mënyrë tjetër se si mund ta luftojmë atë që po përpiqen të bëjnë, të na përçajnë, të na sugjestionojnë... Vetëm duke dalë në protestë, nuk ka mënyrë tjetër. Unë nuk di ndonjë mënyrë më të mirë, sepse nuk dua të jem gjallë, kudo ku të jem, nuk dua të jem gjallë në atë ditë kur ky të mbetet vendi i mënxyrës dhe vendi i parazitizmit.
© SYRI.net