Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franc Nuri, ka kërkuar që drejtësia të fokusohet te kupola e lartë qeverisëse, duke ngritur pikëpyetje mbi hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të mazhorancës.
I ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’ me moderator Bled Marku, Nuri u ndal te hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se masat e marra deri tani nuk përputhen me peshën e dyshimeve dhe aferave që, sipas tij, lidhen me projektet publike.
Sipas tij, ekziston një paradoks në mënyrën se si është trajtuar çështja. Ai pretendoi se nga informacionet e bëra publike për hetimin rezultojnë elementë që lidhen me projekte të tjera të mëdha.
Nuri akuzoi mazhorancën socialiste se ka mbrojtur Ballukun gjatë procesit parlamentar për heqjen e imunitetit. Duke folur për rolin e saj në qeveri, Nuri deklaroi se Balluku ka pasur një ndikim të rëndësishëm politik.
Sekretari për të Drejtat e Njeriut në PD foli edhe për kallëzimin penal të bërë nga opozita në SPAK ndaj ministrit Blendi Gonxhe dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kallëzimi lidhet me dy vepra penale: shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
‘Statistika të përgjithshme, rezultatet i kam me kupolën e lartë qeverisëse. Me këto duhet të maten. Ku janë me hetimin e Belinda Ballukut. Ku janë me hetimet e aferave të Edi Ramës apo qeverisë së tij.
Këtu është paradoksi, për një akuzë relativisht të lehtë herën e parë, vitin e kaluar, në nëntor, fillim dhjetori, shkuan më pas duke kërkuar arrestin me burg, ndërkohë që akuza ishte shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike që ka një marzh dënimi më të ulët sesa shpërdorimi i detyrës, që ta dinë qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, tashmë që kemi mësuar dhe nga burimet mediatike, të paktën siç kanë dalë pjesë të vogla të dosjes apo të elementëve të saj, në lidhje me hetimin, bëhet fjalë për shumë e shumë lote të tjera, ndërtime, shumë skandale të tjera.
Lotet e unazës së madhe, tuneli Llogarasë i famshmi, e shumë e shumë të tjera sa mund t'ia jetë e vështirë t'i numërojmë të gjitha.
Nuk mbaron, lista është shumë e gjatë e çështjeve që mund të jenë nën hetim dhe ndërkohë, dhe veprat nën hetim duhet të jenë rënduar, normalisht, dhe nuk kërkohet një masë e dytë që normalisht duhet t'i ishte paraqitur kuvendit prej kohësh.
Po, rezultati ai është. Dashur pa dashur, rezultati ai është që interpretohet ose në një plan më të madh, është duke dhënë ende oksigjen qeverisë Rama.
Patjetër që ai rrezik nuk shmanget. Pra rreziku i intimidimit të dëshmitarëve nuk shmanget me këtë lloj mase që kanë vendosur, që ka kërkuar SPAK-u dhe që ka miratuar gjykata. Por, duhet ta rikujtojmë që në seancën e famshme parlamentare të marsit, është mazhoranca socialiste me dhunën dhe me forcën e kartonave, e cila e mbrojti kolegen e tyre.
U bë vetëm ajo e sforcuar, dhënia e dorëheqjes apo largimi nga detyra e zëvendëskryeministres, që t'i justifikoheshin të nesërmen në raportin që hartoi kuvendi, i miratuar nga shumica socialiste, ku thuhej që shikoni se tashmë nuk është më në detyrë prej 24 orësh dhe nuk mund të ndikojë më tek provat në ministri apo në kryeministri si zëvendëskryeministre.
Pikërisht, janë aty ku kanë qenë dhe ka marrë dhe postet më të rëndësishme. Ka zëra që kontrollon deri gjysmën e qeverisë, por pastaj kjo është një çështje tjetër.
Unë kam qenë nga të parët që këtë çështje e kam ngritur në atë nivelin tim në Facebook, në rrjete sociale, dhe kam bërë thirrje edhe në intervistat e para që mund të kem dhënë në fillim pas këtij skandali për hetime nga SPAK-u.
Dhe më pas, Partia Demokratike nëpërmjet grupit parlamentar e ka materializuar me dërgimin të hënën e kallëzimit penal në SPAK për dy vepra penale: shpërdorim detyre ndaj Blendi Gonxhes, ministrit të linjës, dhe kryeministrit Edi Rama si përgjegjës për këtë aferë.
Për dy akuza, shpërdorim detyre dhe e theksoj edhe shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike. Përfshirë mund të jenë pjesë e hetimit eventualisht më pas, kuptohet, dhe çdo person tjetër i cili do të rezultojë nga hetimi.
Ka indicie të forta, po unë do të thosha edhe fakte të forta, që të bëjnë të besosh që ka pasur shkelje të kushtetutës, të ligjeve dhe të procedurave. Pse? Le t'i rikthehemi vetëm shkurtimisht. Këtu nuk ka aludime. Këtu nuk kemi dyshime. Këtu faktet kanë ndodhur.’, u shpreh Franc Nuri në SYRI TV.
© SYRI.net