Familja e Martin Canit, adoleshentit që humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli”, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor emrin e djalit të tyre për qëllime politike.
Deklarata u lexua edhe në protestë nga aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila tha se familja Cani kundërshton narrativën e qeverisë se rrjetet sociale janë shkaku i dhunës mes të miturve.
Sipas familjes, problemet lidhen me dështimet e institucioneve, mungesën e sigurisë në shkolla dhe dobësitë e sistemit shëndetësor. Ata kritikuan fokusin te kamerat në shkolla, duke deklaruar se “teknologjia nuk zëvendëson masat reale për mbrojtjen e fëmijëve”.
Familja ngriti gjithashtu pyetje për hetimet mbi ngjarjen, reagimin e institucioneve dhe mungesën e pajisjeve të nevojshme në Spitalin e Traumës, duke kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi për Martinin.
“Martini nuk ishte slogan politik dhe as justifikim për kamera. Ishte një fëmijë që meritonte të jetonte”, thuhet në deklaratë.
Aktivistja:
Edhe në respekt të familjes së Martin Canit, djalit të vrarë pas një konflikti në shkollë, po lexoj këtë deklaratë. Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin. Edhe sot, në fjalimin e tij publik, kryeministri deklaroi se prindërit duhet të jenë të qetësuar, qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale. Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër. Fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen. Vrasjet e të miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok-ut.
Pavarësisht mbylljes së TikTok-ut, të cilin qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë. Një i mitur u vra në Maliq, një tjetër i mitur u vra në Durrës. Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjes së fëmijëve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale. Së dyti, vendosja e kamerave në shkolla nuk e zgjidh problemin. Kryeministri foli sot për 'Smart City' në shkolla dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se algoritmi është një trup që bën atë që thotë. Por kamerat nuk e parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët, nuk zgjidhin mungesën e sigurisë, nuk e shpëtuan Martinin dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.
Siguria në shkollë kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë. Së treti, kryeministri thotë se mendon vazhdimisht për Martinin, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë. Nëse kryeministri mendon vërtet për Martinin, pse nuk e ka takuar asnjëherë familjen tonë? Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale? Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton? Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë. Së katërti, familja e të ndjerit Martin pyet: Pse nuk është blerë ende pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin? Martini vdiq sepse Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg, Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri që riparon zemrat e të plagosurve. Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë. Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë? Nuk shpëtojnë jetë kamerat. Së pesti, familja e të ndjerit Martin pyet: Pse kryeministri nuk i kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në parlament?
Kur u përmend emri i të ndjerit Martin, ministrja Manastirliu qeshi, ministrja Balluku qeshi. Kryeministri nuk tha asnjë fjalë, asnjë distancim, asnjë ndëshkim, asnjë ndjesë. A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë? Së gjashti, policia nuk e bëri detyrën. Arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm. Nëse policia do të kishte vepruar si duhet, arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar. Provat nuk do të rrezikonin të humbnin, hetimi nuk do të ishte i cunguar. Kjo është një dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit. Së shtati, familja thotë: Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit... për shkollën 'Fan Noli' dhe sistemin shëndetësor. Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit, kryeministri duhet të kërkojë mbylljen e urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës 'Fan Noli', e cila nuk i njoftoi prindërit për incidentin. Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe që nuk i kishte pajisjet për ta shpëtuar. Tetëmbëdhjetë muaj hetim, asnjë përgjigje, është turp institucional.
Ne nuk do të heshtim, sepse Martini nuk ishte slogan politik, Martini nuk ishte pretekst për censurë, Martini nuk ishte justifikim për kamera. Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që e meritonte të jetonte... jetonte. Ne kërkojmë: drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët, përgjegjësi nga institucionet, veprime dhe jo fjalë!
© SYRI.net