‘Kuvendi bllokoi kërkesën e SPAK’/ Raporti i KE ngre alarmin: Rasti ‘Balluku’ rrezikon luftën kundër korrupsionit

‘Kuvendi bllokoi kërkesën e SPAK’/ Raporti i KE ngre alarmin: Rasti ‘Balluku’ rrezikon luftën kundër korrupsionit

18:55, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku zë një vend të veçantë në raportin e fundit të Komisionit Europian për sundimin e ligjit në Shqipëri.

Dokumenti ndalet te zhvillimet që lidhen me hetimin e SPAK ndaj Ballukut për çështje të lidhura me korrupsionin dhe procedurat e tenderimit, duke evidentuar shqetësimet që kanë lindur pas vendimit të Kuvendit.

Në raportin e tij, Komisioni Europian thekson se refuzimi i Parlamentit për të miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes ka ngritur pikëpyetje serioze për funksionimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe respektimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.

“Refuzimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin një deputeti ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e balancës dhe kontrollit të pushteteve, si edhe të barazisë para ligjit”, thuhet në raport.

Sipas dokumentit të Brukselit, në mars 2026 Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të një deputeti të dyshuar për shkelje të parimit të barazisë në procedurat e tenderimit.

Komisioni vlerëson se ky vendim ka ushqyer shqetësime mbi mënyrën se si zbatohen parimet e kontrollit dhe balancës mes institucioneve, si edhe mbi mundësinë që zyrtarët e lartë të përfitojnë trajtim të ndryshëm nga qytetarët e tjerë përballë drejtësisë.

Raporti ndalet gjithashtu te iniciativa e një grupi deputetësh të shumicës për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale. Sipas Komisionit Europian, propozimet synonin zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra si masë sigurie gjatë proceseve gjyqësore.

Brukseli paralajmëron se këto ndryshime kanë ngritur dyshime se mund të dobësojnë efektivitetin e hetimeve penale, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivelet e larta të administratës, si edhe të krijojnë perceptimin e pandëshkueshmërisë.

“Refuzimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin një deputeti ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e balancës dhe kontrollit të pushteteve, si edhe të barazisë para ligjit. Në mars 2026, Kuvendi hodhi poshtë një kërkesë të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, i akuzuar për shkelje të parimit të barazisë në procedurat e tenderimit. Ky refuzim ngjalli shqetësime për respektimin e parimeve të balancës dhe kontrollit të pushteteve, si edhe të barazisë para ligjit. Paralelisht, një grup deputetësh të shumicës qeverisëse propozuan ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra si masë paraprake gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore. Këto ndryshime ngritën shqetësime se mund të pengojnë efektivitetin e hetimeve penale, përfshirë hetimet për korrupsion në nivelet e larta, si edhe se koha kur u propozuan mund të krijojë perceptimin e pandëshkueshmërisë”, theksohet në raport.

Megjithatë, raporti vlerëson progresin e arritur nga Shqipëria në zbatimin e reformës në drejtësi dhe punën e SPAK në hetimin e korrupsionit në nivelet e larta. Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian nënvizon se ndërhyrjet politike, mbrojtja e zyrtarëve përmes imunitetit dhe nismat ligjore që mund të pengojnë hetimet mbeten sfida serioze për sundimin e ligjit në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco