Lajmi i fundit

Grabitet dyqani i Vodafone në Durrës, autori merr paratë e xhiros ditore me dhunë

‘Qytetarët të dërgojnë prova kundër korrupsionit?!’, Gjokutaj: Kjo kërkesë e Brahos, folklorizëm dhe mungesë serioziteti

14:03, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një dalje të fundit publike, deklaratat e drejtuesve të SPAK përballë deputetëve kanë shkaktuar një reagim të ashpër, duke u cilësuar si një teatër absurd që fsheh të vërteta tronditëse për sistemin. Thirrja që Prokuroria e Posaçme i bëri qytetarëve për të mbledhur prova kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, po shihet gjerësisht si një tentativë për të shmangur përgjegjësitë reale të vetë institucionit.

Avokati i njohur, Genc Gjokutaj, gjatë një interviste në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, e ka konsideruar këtë kërkesë si një "folklorizëm" dhe mungesë totale serioziteti. Është vërtet ironike që një popull, i cili e ka shpesh të pamundur të nxjerrë qoftë edhe një certifikatë të thjeshtë personale nëpër zyrat e shtetit, të kthehet befas në një "prokurori popullore" për të gjurmuar aferat e ministrave apo grupeve të strukturuara kriminale. Ky veprim tregon një degradim të thellë të debatit mbi drejtësinë, ku qytetari i thjeshtë ngarkohet me një barrë që i përket ekskluzivisht strukturave me kompetenca të posaçme ligjore.

Pjesa më e errët e kësaj historie lidhet me mungesën e theksuar të transparencës për të ashtuquajturat "dosje të nxehta". Refuzimi për të dhënë detaje qoftë edhe sipërfaqësore rreth fazave të hetimit, me pretekstin e sekretit hetimor, bie ndesh me parimet bazë të drejtësisë, e cila jo vetëm duhet bërë, por edhe duhet të duket qartë që po bëhet. Për më tepër, vetë komisionet parlamentare që pretendojnë të kërkojnë llogari janë shpesh të mbushura me individë që janë aktualisht nën hetim ose rrezikojnë të vihen nën akuzë së shpejti.

Por bomba e vërtetë vjen nga skandalet me përgjimet e platformave "Sky ECC" dhe "EncroChat". Ekzistojnë pretendime të forta se ka prova të qarta, madje dhe regjistrime e filmime konkrete, që implikojnë vetë punonjës të GJKKO-së dhe SPAK-ut në afera të rënda korruptive. Kjo ngre një pikëpyetje masive dhe alarmante: përse këto prova mbahen të fshehura dhe nuk vihen në lëvizje menjëherë?

Arnold Kariqi: Ndalemi tashmë tek zhvillimet aktuale duke u fokusuar tek drejtësia. Unë kam në një lidhje të drejtpërdrejtë avokatin Genc Gjokutaj. Ndërkohë do ta nisim sigurisht me seancën dëgjimore ku kreu i SPAK zoti Braho u pyet nga deputetët e maxhorancës dhe të opozitës në lidhje me punën sigurisht por edhe me dosjet e nxehta. Ajo që më bëri përshtypje avokat është fjala e zotit Braho ku në fakt kishte dhe iu adresua qytetarëve duke iu kërkuar atyre fakte, denoncime sa i përket korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Ju keni qenë vetë edhe pjesë e prokurorisë zoti Gjokutaj, e si e patë, si e komentoni këtë deklaratë të kreut të SPAK i cili kërkonte ndihmë nga qytetarët për korrupsion e qeverisë?

Genc Gjokutaj: Shiko, zoti Braho u bë brenda një muaji dy herë në Kuvend. Edhe kjo pjesë e herës së dytë e ka shteruar rrugën herën e parë. Edhe po ta shikosh nga pikëpamja, ai flet shumë dhe nuk thotë asgjë. Pra, edhe këta deputetët, po t'i shikoje me pyetjet, ata e dinë shumë mirë që ai nuk jep përgjigje, thotë pyetjet për çështjet që janë në hetim. Por në fakt, qenia e çështjes në hetim nuk e pengon prokurorin që të japë të dhëna që nuk e cenojnë hetimin. Për shembull për të treguar deri në çfarë shkalle ka shkuar hetimi. Janë identifikuar apo jo persona, pa dhënë emra, e kupton? Pra në çfarë faze është hetimi dhe ky është një detyrim me bazë të transparencës ndaj medias, ndaj opinionit publik sepse siç thotë dhe Strasburgu, drejtësia jo vetëm që duhet bërë por duhet të duket që po bëhet…

…Aty o janë persona që janë në hetim, o janë persona që do të shkojnë në hetim. Dhe janë pikërisht këta që i drejtojnë pyetje, e kupton, prokurorit special. Mirëpo kjo është situata, këto janë rrethanat edhe mbi këtë bazë e me këtë optikë ne do të flasim. Sa i përket kësaj prokurorisë popullore do ta quaja unë, pra njerëzit të shkojnë thotë në SPAK thotë. E para e punës njëherë, SPAK-u është një strukturë e posaçme e cila ka një rreth veprash penale të përcaktuara rreptësisht siç është korrupsioni që kryhet nga zyrtarë të lartë apo grupet e strukturuara kriminale, dy subjekte që njerëzit dhe popullsia e gjerë janë shumë larg tyre. Për të pasur të dhëna, e kupton? Që një shtetas të dijë se çfarë bën ministri në zyrë edhe të vete, t'ia çojë zotit Braho dhe zoti Braho pastaj të bëjë namin siç e ka bërë deri më sot. Kjo është një një folklorizëm, e kupton? Është një mungesë serioziteti në dhënien e përgjigjes dhe ishte më e denjë heshtja sesa përgjigje të tilla që e degradojnë debatin deri në këto nivele.

Arnold Kariqi: Dhe qytetarët ku t'i gjejnë ato dokumente ose prova të korrupsionit në fund të ditës?

Genc Gjokutaj: Po pikërisht pra. Zoti Karriqi, qytetarët nuk janë në gjendje të marrin dot një certifikatë, e kupton? Që ju duhet për pensionin. Bredhin zyrave për dokumente personale, e jo të dalin rrugëve të kërkojnë prova edhe dokumenta që t'ia çojnë zotit Braho edhe ai pastaj të vërë korrupsionin me shpatulla pas murit. Shiko, ky është një element grotesk, e kupton? Është joserioze? Prandaj thashë është më e denjë heshtja në këto raste. Edhe plus pastaj që zoti Braho ka dhe guximin edhe thotë që po pati një provë thotë në SPAK, s'bën vaki thotë që të ketë probleme, që të fshihet apo të mos vihet në efiçencë apo...

Po tash këto kujt ia thotë? Kujt ia thotë këto? Domethënë që ka prova që punonjës të GJKKO-së apo të SPAK-ut janë të filmuar dhe të inçizuar, të regjistruar në afera korruptive. Ja pra ku i ka provat. Sky ECC dhe EncroChat-in pse s'i ka vënë në lëvizje? Çfarë pret? Këto janë ato provat e kupton që duhet të merret zoti Braho dhe jo të thotë që këto që kaluan kaluan dhe tashi të dalë populli dhe të mbledhë provat edhe që t'ia çojë zotit Braho. Pra ju e kuptoni që ai vajti konsumoi atë seancë. Unë mendoj që është më mirë që këto seanca të mos bëhen, sesa të bëhen në forma të tilla ku shfaqja është gjithçka dhe thelbi asgjë. Ju e dini që në SPAK vetëm opozita e lëre subjekte të tjera ka bërë me dhjetëra e dhjetëra, qindra denoncime…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco