Nga Petrit Vasili/
Të papërmbajtur në korrupsion dhe shpërdorim të tmerrshëm të pushtetit, propozohen projektligje që garantojnë pandëshkueshmërinë, sepse kjo është e vetmja gjë që di të bëjë Rama dhe qeveria.
Tani, së fundmi, një projektligj që garanton mosarrestimin e Guvernatorit të Bankës.
Po përse një projektligj i tillë?
Shqiptarët, por edhe bota, shohin përditë një korrupsion monstruoz, kapilar, të qeverisë dhe të të gjitha institucioneve publike.
Të gjithë presin ndëshkimin më të rreptë si të vetmin reagim përballë kësaj katastrofe shtetërore.
Por po ndodh e kundërta. Nga se kanë kaq shumë frikë?
Edi Rama, Taulant Balla dhe Ulsi Manja kanë depozituar më parë në Kuvend një projektligj për një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale për ndalimin e zbatimit të masës ndaluese e pezullimit nga detyra për kryeministrin, ministrat e ca të tjerë.
Pra, mesazhi i Ramës është shumë i qartë: ne do vazhdojmë të plaçkisim, por duam mbrojtje ligjore për korrupsionin kriminal.
Përse duhet të mbrohet nga arrestimi Guvernatori?
Mbrojtja më e fortë e çdo zyrtari të lartë është zbatimi korrekt i ligjit dhe respektimi deri në fund i interesit më të lartë publik.
Mbrojtje nga arrestimi do të thotë të shkelësh ligjin, por të mos ndëshkohesh.
Kjo bandë në pushtet nuk heq dorë nga korrupsioni dhe është peng i narkotrafikut që pastron miliarda.
Por, duke parë që petët e lakrorit po hapen, Rama dhe rilindasit duan të ndërtojnë bunkerë ligjorë për t'u mbrojtur nga arrestimi dhe ndëshkimi.
Qesharake në këtë reagim, këta janë edhe shumë të rrezikshëm, sepse e përdorin Parlamentin jo si organ kontrolli, por si mbrojtës të flaktë të krimit dhe korrupsionit rilindas.
Kur arrin puna që Edi Rama propozon ligj për veten, për mosarrestimin e tij si kryeministër, mendo se në çfarë bataku është zhytur kjo qeveri dhe maxhorancë.
Çdo koment i mëtejshëm është i tepërt!
© SYRI.net