SYRI TV/ Akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, SPAK rrëzon 23 kërkesat e Ilir Beqajt

12:42, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SPAK vlerëson se 23 kërkesat e Ilir Beqajt, përmes të cilave kundërshton akuzën lidhur me dosjen e Sterilizimit, janë të pabazuara në ligj dhe duhet të rrëzohen. Nga ana tjetër, Ilir Beqaj pretendon se prokurorët e SPAK-ut i kanë cenuar të drejtat. Seanca u shty për në datën 11 shtator.

Lidhur me dosjen e Sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet nga SPAK për veprën penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme vlerësoi se 23 kërkesat e Ilir Beqajt, përmes të cilave kundërshton akuzën lidhur me dosjen e Sterilizimit, por edhe veprimet procedurale të organit hetues, janë të pabazuara në ligj dhe duhet të rrëzohen.

Në shumicën e pikave, Edvin Kondili relatoi se pretendimet e të pandehurit kanë marrë përgjigje në fazën hetimore, në seancën paraprake, të cilat gjenden në vendimin e gjykatës që pranoi kërkesën për gjykimin e dosjes penale, por edhe në shqyrtimin në themel.

"Kërkesa e Ilir Beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës duhet të rrëzohet, pasi nuk është bazuar në ligj. Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak, me pranimin e kërkesës për gjykim. Pretendimi i Beqajt se akuza e vjedhjes nuk provohet, konstatojmë se i pandehuri nuk shtron kërkesa, por bën pyetje, të cilat janë sqaruar dhe do të trajtohen gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve. Për kërkesën e përjashtimit të të dhënave elektronike nga një kompjuter dhe pavlefshmërinë e akteve, vlerësojmë se janë veprime procedurale në përputhje me ligjin. Kërkesa 19, akuza për vjedhje duke shpërdoruar detyrën është e pavlefshme, vlerësojmë se vendimi është i bazuar në ligj. Kërkesa 20, mungesa e kontratës origjinale të prokurimit. Kontrata origjinale nuk është gjetur në MSH dhe kjo përbën një shkelje, por është gjetur kontrata e njësuar në FSDKSH."

Nga ana tjetër, ish-ministri Ilir Beqaj pretendon se SPAK ka pranuar se i janë cenuar të drejtat.

"Faleminderit organit të akuzës për përgjigjet. Pranoi që në fazën e hetimeve m'i ka cenuar hapur të drejtat e mia, dhe kjo përgjithësisht në 10 kërkesat e para. Unë kam kuptuar, në rreth 3 vjet që merrem me këtë çështje, se Kodi i Procedurës është garanci, ndërsa për organin e akuzës është detyrim. Sot, me sa kuptoj, prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë. Dikur bënin çfarë u thoshte titullari, vareshin prej tij, por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat procedurale dhe bëjnë çfarë të duan pas reformës në drejtësi. Vetë SPAK pranoi se kallëzimi bazohet në pyetje."

Seanca e radhës u shty për në datën 11 shtator.

Në dosjen e Sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet nga SPAK për veprën penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim.

Sipas akuzës së Prokurorisë së Posaçme, Ilir Beqaj, në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë, dyshohet se ka favorizuar procedurën që çoi në dhënien e koncesionit të sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco