Deklarata monstruoze e ministres së Vuçiçit nuk e pengoi ministrin e Jashtëm të Shqipërisë që të shtrëngonte duart, i buzëqeshur, me homologun e tij serb.
Ndërsa reagoi me vonesë ndaj deklaratave të ministres serbe, e cila tha se, po të ishte në vend të Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, duket se është mjaftuar me një reagim në rrjetet sociale kinse dënoi deklaratat dhe nuk e pati aspak problem që të shtrëngonte duart me homologun e tij serb, Marko Gjuriç, në margjinat e Ministerialit në Uashington.
Takimi i shoqëruar me buzëqeshje, në një moment kur shqiptarët janë fyer dhe kërcënuar publikisht nga një zyrtare e lartë serbe, tregon, minimalisht, pandjeshmërinë e shtetit shqiptar ndaj asaj që ka ndodhur.
Edi Rama, i cili nuk reagoi fare për këtë çështje, u mjaftua dje me sulme ndaj kritikëve. Megjithatë, në asnjë rresht të postimit të tij në rrjetet sociale nuk e përmendi dhe nuk e dënoi deklaratën shokuese të ministres së mikut të tij, Aleksandër Vuçiç.
Në një postim në rrjetin social X, ministri Ferit Hoxha njoftoi se gjatë takimit me homologun serb ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
“Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkruan ministri i Jashtëm shqiptar.

© SYRI.net