SYRI TV/ Borxhet, bllokohet dega e kompanisë italiane të Gjadrit

12:36, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një nga degët shqiptare të kompanisë italiane “Medihospes Cooperativa Sociale”, që administron kampet e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, është bllokuar nga Tatimet për detyrime financiare të papaguara. Vendimi është marrë më 30 qershor 2026, ndërsa vlera e borxhit nuk është bërë publike.

Një nga degët shqiptare të kompanisë italiane “Medihospes Cooperativa Sociale”, e cila ka për detyrë të menaxhojë kampin e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, është bllokuar për shkak të detyrimeve financiare të paspecifikuara. Vendimi është marrë më 30 qershor 2026 nga Drejtoria e Tatimeve e Rajonit Verior dhe i është komunikuar Qendrës Kombëtare të Biznesit dy javë më pas, më 16 korrik.

Në njoftimin e administratës tatimore thuhet se “depozitohet kërkesa për Vendosje të Masës së Sigurimit të Detyrimit Tatimor”, e lëshuar nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara. Shkresa nuk është shoqëruar me detaje të tjera për të kuptuar se cila është vlera e borxheve të pashlyera prej degës shqiptare të kompanisë italiane.

Kompania “Medihospes Cooperativa Sociale” u angazhua nga qeveria italiane për menaxhimin e qendrave të refugjatëve, që do të ngriheshin në Shqipëri, në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar mes kryeministres italiane, Xhorxhia Meloni, dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama.

Kompania shqiptare u emërtua “Medihospes Albania” sh.p.k. Në vijim, kompania italiane hapi në Shqipëri edhe degën e saj “Medihospes Cooperativa Sociale”, më 12 dhjetor 2025. Aksionerët e argumentuan krijimin e kësaj dege me “nevojën për efektshmëri operative, kërkesat ligjore, fiskale e administrative”.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezultojnë tre subjekte tregtare të lidhura me kampet e refugjatëve në Gjadër dhe Shëngjin. Kompania “Medihospes Albania” sh.p.k. rezulton më efektivja, me një fitim të deklaruar për vitin 2025 në shumën 2.8 milionë lekë, ose rreth 30 mijë euro.

Një degë e “Medihospes”, e regjistruar në Shqipëri në nëntor 2025, ka deklaruar humbje financiare në vlerën 438 mijë lekë, ose rreth 5 mijë euro. Ndërsa dega tjetër, e krijuar në dhjetor 2025, është vendosur nën bllokim për shkak të borxheve të pashlyera.

Të dyja degët shqiptare, megjithëse të regjistruara në kohë dhe me numra identifikimi të ndryshëm, rezulton se janë autorizuar me të njëjtin vendim të marrë nga kompania mëmë më 6 tetor 2025. Me shumë mundësi, kjo situatë administrative mund të ketë krijuar ngërçin me administratën tatimore në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco