Analisti amerikan: Rama mori nën kontroll SPAK-un për të goditur kundërshtarët

Analisti amerikan: Rama mori nën kontroll SPAK-un për të goditur kundërshtarët

11:17, 15/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Michael Rubin – Washington Examiner/

Ka një tendencë të pakëndshme mes opinionistëve dhe gazetarëve amerikanë për ta parë çdo zhvillim përmes prizmit të politikës së SHBA-së. Shqipëria është vetëm shembulli më i fundit i kësaj qasjeje. Në fund të majit, në Zvërnec shpërthyen protesta kundër planeve të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit Donald Trump, për të ndërtuar në një zonë me ndjeshmëri të lartë mjedisore një kompleks akomodimi me vlerë miliarda dollarë.

Megjithatë, Kushneri ishte vetëm një nga shumë shkëndijat që ndezën protestat. Edhe Alex Sorosi, i cili është afruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama për të marrë miratimin për zhvillime të ngjashme, ishte një tjetër. Po ashtu, edhe përndjekja që Rama i bën pakicës greke në Shqipëri, e cila banon në Rivierën Shqiptare. Me 12 maj të vitit 2023, për shembull, policia e Ramës arrestoi Fredi Belerin, një kandidat me origjinë greke për kryetar të Himarës. Akuza? Se kishte shpenzuar në mënyrë të parregullt rreth 100 dollarë gjatë fushatës së tij. Shqiptarët e kuptuan farsën, Rama donte që njerëzit e tij të fitonin për të përfunduar marrëveshjet e veta të pasurive të paluajtshme. Në këtë kontekst, projekti i Kushnerit ishte simptomë, jo shkak.

Shqipëria mund të ketë dalë nga titujt e lajmeve në Perëndim, por protestat kanë vazhduar të marrin vrull. Vizitorët e fundit në Shqipëri thonë se gjendja është e tensionuar, ndërsa durimi ndaj përfitimeve personale të Ramës ka sosur. Sot, shqiptarët nuk flasin për Kushnerin apo edhe për Shtetet e Bashkuara, por për “Revolucionin e Flamingove”, si një paralel me revolucionet me ngjyra që çliruan kaq shumë vende të Europës Lindore nga diktatura.

Sigurisht, Shqipëria nuk është komuniste dhe, sipas Departamentit të Shtetit, është një demokraci në lulëzim. Por kjo nuk është ajo që thonë shqiptarët. Me rënien e Perdes së Hekurt, shqiptarët përqafuan demokracinë me entuziazëm. Shqipëria u bë vendi më proamerikan në Europë, në mos në gjithë botën.

Pastaj u përfshinë Departamenti i Shtetit dhe USAID-i. Ata ndihmuan në krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për të kuptuar çfarë ndodhi më pas, imagjinoni sikur mafiozi i Çikagos Al Kapone të kishte marrë nën kontroll FBI-në para se ajo të kishte mundësinë ta rrëzonte atë dhe mafien e Çikagos në vitet 1930. Rama, kreu i Partisë Socialiste, e uzurpoi SPAK-un dhe e përdori për të goditur këdo që rrezikonte pushtetin e tij: ish-kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, mes shumë të tjerëve.

Nuk bëhej kurrë fjalë për qeverisje të pastër. Ndërsa SPAK-u godiste këdo që i bënte pyetje të vështira Ramës, ai i shtoi edhe më shumë skemat e pasurive të paluajtshme dhe atë që duket si pastrim parash me kartelet e drogës. Mekanizmi, sipas tij, ishte vendimi për të legalizuar kultivimin e marijuanës. Sapo fushat e marijuanës filluan të lulëzonin, u zgjerua edhe tregtia e kokainës nga Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, si dhe tregtia e opiumit nga Afganistani dhe Turqia. Roja bregdetare italiane kap rregullisht ngarkesa kokaine që shkojnë në Shqipëri; në mënyrë ironike, roja bregdetare e Ramës nuk e bën këtë.

Ndërkohë, Rama ndoqi hapur rrugën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Kjo nuk ishte rastësi: një ish-ndihmës i Ramës, i pranishëm në takimin e dy liderëve, tha se Erdogani i dha Ramës një mësim të shpejtë se si të shkatërronte një sistem demokratik duke goditur kundërshtarët dhe duke afruar diplomatët amerikanë. Erdogani e konsolidoi pushtetin duke marrë kontrollin e autoritetit tatimor, ekuivalenti turk i SPAK-ut. Ai i bëri partnerë biznesi diplomatët amerikanë të dalë në pension ose u dha donacione për t’i mbështetur në rolet e tyre të reja në institute studimore. Rama duket se po vepron njësoj. Si Erdogani, Rama shpërndan favore në formën e koncesioneve dhe zhvillimeve në pasuri të paluajtshme.

Departamenti i Shtetit e kupton gabimin e tij; ai e ka hequr në heshtje Berishën nga lista e zezë e vizave, duke pranuar praktikisht se akuzat ndaj tij ishin politike dhe jo substanciale.

Kritikët e Trump-it e përshkruajnë atë si anti-Midasi, ku gjithçka që prek shndërrohet në plumb.

Por në fushën e politikës së jashtme, sindroma e tyre çmendurisë nga Trump-i mund të jetë po aq e dëmshme. Në rastin e Shqipërisë, përqendrimi i tepërt te kritikat ndaj Kushnerit i pengon disa politikanë dhe analistë të shohin çështje më të thella, si përdorimi i burimeve amerikane për interesa të diskutueshme, rritja e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës gjatë qeverisjes së Ramës, si dhe pyetjet mbi përgjegjësinë e disa ish-ambasadorëve amerikanë, të cilët e mbështetën fuqishëm Ramën. / Washington Examiner – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco