Parlamenti Italian ratifikon sot marrëveshjen strategjike me Shqipërinë në sektorët e energjisë, mbrojtjes, emigracionit

Parlamenti Italian ratifikon sot marrëveshjen strategjike me Shqipërinë në sektorët e energjisë, mbrojtjes, emigracionit

10:22, 15/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi/

Parlamenti Italian ratifikon sot marrëveshjen strategjike me Shqipërinë në sektorët e energjisë, mbrojtjes, emigracionit dhe një paketë e gjerë bashkëpunimi, mes të cilës dhe diaspora.

A është kjo një marrëveshje strategjike për Shqipërinë apo një varësi strategjike ?

Parlamenti italian pritet të ratifikojë sot marrëveshjen e re strategjike mes qeverisë së Republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, një dokument i gjerë që synon të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh në fusha që shkojnë nga shëndetësia dhe energjia, deri te mbrojtja, menaxhimi i emigracionit, arsimi, teknologjia dhe industria e sigurisë.

Bëhet fjalë për projektligjin italian të ratifikimit A.C. 2788, i paraqitur nga qeveria italiane në Parlament më 6 shkurt 2026. Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Deputetëve e shqyrtoi atë nga 25 marsi deri më 20 maj 2026, ndërsa tani çështja kalon për votim në seancën plenare. Vetë marrëveshja është firmosur në Romë më 13 nëntor 2025.

Ky është një ligj ratifikimi, përmes të cilit Italia i jep fuqi juridike një marrëveshjeje ndërkombëtare të lidhur me Shqipërinë. Teksti i marrëveshjes nuk mund të ndryshohet gjatë procesit të ratifikimit; parlamenti italian mund vetëm ta miratojë ose ta refuzojë atë.

Marrëveshja përbëhet nga një preambulë dhe shtatë nene, ndërsa ligji italian i ratifikimit ka katër nene: autorizimin për ratifikim, urdhrin për zbatim, klauzolën e mosrritjes së shpenzimeve publike dhe hyrjen në fuqi të ligjit.

Në qendër të vëmendjes publike ka qenë bashkëpunimi për emigracionin, veçanërisht pas protokollit të vitit 2023 për qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri, por marrëveshja e re shkon shumë përtej kësaj fushe.

Dokumenti i ri e vendos marrëdhënien Itali–Shqipëri në një kuadër strategjik ku përfshihen energjia, infrastruktura, mbrojtja, teknologjia, arsimi dhe ekonomia.

Italia synon të forcojë rolin e saj si partner kryesor ekonomik dhe politik i Shqipërisë, ndërsa Tirana kërkon të përfitojë nga investime, teknologji dhe ekspertizë italiane në procesin e saj të afrimit me Bashkimin Evropian.

Por, krahas mundësive, marrëveshja ngre edhe pyetje mbi balancën reale të përfitimeve mes dy vendeve.

Energjia: Shqipëria si platformë për investime italiane

Një nga kapitujt më të rëndësishëm lidhet me energjinë. Palët angazhohen për bashkëpunim në energjinë e rinovueshme, eficiencën energjetike, elektrifikimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Marrëveshja përfshin projekte në energjinë diellore, erën, hidrocentralet, hidrogjenin, biomasën dhe teknologjitë e ruajtjes së energjisë.

Në dokument përmendet gjithashtu bashkëpunimi për rrjetet elektrike, infrastruktura energjetike dhe projektet për kapjen dhe ruajtjen e dioksidit të karbonit.

Nga njëra anë, kjo mund të sjellë kapital dhe teknologji për Shqipërinë, por nuk duhet të injorohet shqetësimi që investimet strategjike të mos kthehen vetëm në shfrytëzim të burimeve shqiptare nga kompani të huaja, pa një përfitim të mjaftueshëm për ekonominë vendase.

Shqipëria do të jetë thjesht furnizuese me energji dhe burime natyrore, apo do të ndërtojë kapacitete të veta teknologjike dhe industriale?

Mbrojtja dhe industria ushtarake: një kapitull i ndjeshëm

Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes lidhet me sigurinë dhe industrinë e mbrojtjes.

Palët angazhohen për bashkëpunim në prodhimin dhe bashkëprodhimin e sistemeve të mbrojtjes, pajisjeve ushtarake, teknologjive të sigurisë, trajnimeve dhe kërkimit shkencor.

Parashikohet edhe bashkëpunim mes kompanive italiane dhe shqiptare në sektorin ushtarak, përfshirë mundësi për transferim industrial.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm për Shqipërinë, e cila është anëtare e NATO-s dhe kërkon modernizimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes.

Por mungessi e transparencës nga âna e autoriteteve shqiptare pngre pyetjen nëse Shqipëria do të fitojë aftësi reale teknologjike apo do të mbetet vetëm treg blerës për industrinë italiane të mbrojtjes?

Emigracioni: vazhdimi i modelit Rama–Meloni

Italia dhe Shqipëria angazhohen të forcojnë luftën kundër emigracionit të paligjshëm, trafikimit të qenieve njerëzore dhe rrjeteve kriminale.

Draft lvigji përmend zbatimin e protokollit të vitit 2023 për menaxhimin e emigrantëve në Shqipëri dhe e cilëson atë si një model që mund të përdoret edhe nga vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja lidhet gjithashtu me zbatimin e Paktit Evropian për Migracionin dhe Azilin, i cili hyn plotësisht në fuqi në vitin 2026. Por dhe ky kapitull ngre shqetësime mbi vendin tonë nëse Shqipëria rrezikon të marrë një rol si “vend pritës” për politikat migratore të vendeve të BE-së, pa qenë ende pjesë e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, për Italinë, marrëveshja shihet si një mënyrë për të menaxhuar presionin migrator dhe për të krijuar modele të reja jashtë territorit italian.

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka vendosur kufizime të rëndësishme për konceptin e “vendeve të sigurta të origjinës”, duke kërkuar që çdo vlerësim të jetë individual dhe të respektojë të drejtat themelore të azilkërkuesve.

Kjo do të thotë se zbatimi praktik i marrëveshjeve migratore do të jetë nën një kontroll të fortë juridik evropian.

Shëndetësia, arsimi dhe teknologjia: fusha me potencial, por kërkojnë reforma shqiptare

Në bazza të kësaj marrëveshje Italia do të mbështesë modernizimin e sistemeve shëndetësore shqiptare, trajnimin e profesionistëve, përdorimin e telemjekësisë dhe teknologjive të inteligjencës artificiale.

Në arsim parashikohet njohja më e madhe e kualifikimeve, shkëmbime universitare, programe profesionale dhe promovimi i gjuhës italiane në Shqipëri dhe gjuhës shqipe në komunitetet shqiptare në Itali.

Diaspora shqiptare në Itali, një faktor strategjik

Marrëveshja i kushton vëmendje edhe diasporës shqiptare. Sipas të dhënave të përmendura në dokument, në Itali jetojnë rreth 557 mijë persona të lindur në Shqipëri, një nga komunitetet më të mëdha të emigrantëve në vend. Parashikohen iniciativa për ruajtjen e gjuhës, forcimin e lidhjeve kulturore dhe bashkëpunimin mes mediave dhe institucioneve. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje shënon një fazë të re në marrëdhëniet Itali–Shqipëri.Por kritika kryesore lidhet me faktin se Shqipëria duhet të garantojë që ky bashkëpunim të mos jetë vetëm një marrëdhënie ku Italia eksporton kapital, teknologji dhe interesa strategjike, ndërsa Shqipëria ofron territor, burime dhe rol politik.

Pikëpyetja publike për qeverinë shqiptare do të jetë transparenca e projekteve, mbrojtja e interesit publik dhe sigurimi që marrëveshja të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët shqiptarë, por dhe shqetësimi nëse Shqipëria do të jetë një partner i barabartë apo vetëm një hapësirë strategjike për interesat e një vendi më të madh anëtarë i Bashkimit Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco