Aeroporti i Vlorës peng, Pacolli thirrje SPAK-ut: Hetoni, askush të mos përjashtohet

Aeroporti i Vlorës peng, Pacolli thirrje SPAK-ut: Hetoni, askush të mos përjashtohet

10:24, 15/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej muajsh tashmë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës mbahet i bllokuar, bashkë me investimin me ekspozim financiar mbi 320 milionë euro, pasojë e një betejë juridike që, sipas biznesmenit Behgjet Pacollit, shkon përtej një konflikti të thjeshtë mes ortakësh. Nën heshtjen e institucioneve shqiptare, punimet dhe vënia në operim e aeroportit janë penguar, ndërsa Pacolli flet tashmë hapur për “një presion të jashtëligjshëm dhe të vazhdueshëm juridik, me pasoja jashtëzakonisht të rënda”.

Në një reagim në rrjetet sociale, biznesmeni rendit akuza që shkojnë përtej një mosmarrëveshjeje tregtare: “mashtrime, falsifikim dokumentesh, notifikim të jashtëligjshëm të dokumenteve, përdorim të dokumenteve të falsifikuara” dhe deri te “ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore”. Në qendër të përplasjes ai vendos edhe vendimin e gjyqtares Miranda Nakaj, të cilin MABCO e konsideron shkakun kryesor të bllokimit të punimeve në aeroport, duke kërkuar hetimin e rrethanave në të cilat është marrë dhe të çdo ndikimi të mundshëm të paligjshëm.

Për Pacollin, çështja e Aeroportit të Vlorës është “një nga rastet më serioze të cenimit të sigurisë juridike dhe të ABUZIMIT me investimet e huaja në Shqipëri”. Për këtë arsye, ai i bën sërish thirrje SPAK-ut të ndërhyjë me “një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm” dhe kërkon që, nëse provohen shkeljet, të vendoset para përgjegjësisë “çdo person përgjegjës, pa asnjë përjashtim”.

Mesazhi i plotë i Behgjet Pacollit në rrjetet sociale

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, projekti më i madh i realizuar në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, ku MABCO Construction S.A., si investitori i huaj dhe financuesi kryesor i projektit, ka investuar mjete të konsiderueshme financiare dhe profesionale, vazhdon të mbetet në një situatë të papranueshme juridike dhe faktike.

Për një periudhë të gjatë, veprime dhe mosveprime që MABCO i konsideron të kundërligjshme kanë penguar vazhdimisht përfundimin e punimeve, procesin e certifikimit dhe vënien në operim të aeroportit. Që nga dita e parë e angazhimit të saj, MABCO ka disponuar dhe vazhdon të disponojë të gjitha kapacitetet teknike, financiare, profesionale dhe organizative për ta përfunduar projektin në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, në prani të institucioneve përgjegjëse dhe pa ndërhyrjen efektive të tyre, MABCO vlerëson se ndaj saj është ushtruar një presion i jashtligjëshem dhe i vazhdueshëm juridik, me pasoja jashtëzakonisht të rënda. Pasojat e kësaj situate nuk i përballon vetëm MABCO, e cila ka një ekspozim financiar që tejkalon 320 milionë euro, por edhe qytetarët shqiptarë, ekonomia e vendit, investitorët e huaj potencialë dhe vetë reputacioni ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë si destinacion për investime.

MABCO i bën edhe një herë thirrje SPAK-ut që, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës çdo person që mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj situate.

Sipas qëndrimit të MABCO-s, kjo situatë ka ardhur si pasojë e një sërë veprimesh dhe mosveprimesh, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, mashtrime, falsifikim dokumentesh, notifikim të jashtëligjeshem të dokumenteve, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore, nxjerrje të vendimeve gjyqësore që më pas janë konstatuar si të paligjshme nga Gjykata e Lartë, moszbatim ose kundërshtim të efekteve juridike të vendimeve të kësaj gjykate, si dhe veprime apo mosveprime institucionale që kanë mundësuar vazhdimin e kësaj gjendjeje.

Këto pretendime rezultojnë të bazuara, dhe bëhet fjalë për një nga rastet më serioze të cenimit të sigurisë juridike dhe të ABUZIMIT me investimet e huaja në Shqipëri, me pasoja të drejtpërdrejta për sundimin e ligjit, besimin e investitorëve dhe interesin publik.

MABCO mbetet e vendosur që ta përfundojë këtë projekt në përputhje me kontratën, ligjin dhe standardet më të larta profesionale, duke besuar se institucionet e drejtësisë do të veprojnë me pavarësi, paanshmëri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Behgjet Pacolli

Gjyqtarja

MIRANDA NAKAJ

Sipas vlerësimit të MABCO-s, vendimi i gjyqtares Miranda Nakaj, i cili më pas u bë objekt kundërshtimi në rrugët ligjore, ka qenë shkaku kryesor që çoi në bllokimin e punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe në krijimin e pasojave të rënda ekonomike, teknike dhe juridike për projektin.
Nëse provohet se ky vendim është marrë në kundërshtim me ligjin ose si rezultat i ndikimeve të jashtme të paligjshme, atëherë përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm në planin procedural, por duhet të shtrihet edhe në planin disiplinor, civil dhe penal, sipas legjislacionit në fuqi.
Në një shtet të së drejtës, çdo gjyqtar, pavarësisht funksionit që ushtron, gëzon pavarësi në vendimmarrje, por njëkohësisht mban përgjegjësi për çdo shkelje të qëllimshme ose të rëndë të ligjit që i shkakton dëm palëve ose cenon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, kërkojmë që organet kompetente të kryejnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm mbi të gjitha rrethanat që lidhen me këtë çështje dhe, nëse konstatohen shkelje, të vendosin para përgjegjësisë çdo person përgjegjës, pa asnjë përjashtim./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco