Shqipëria vijon të përballet me një nga krizat më të thella demografike në Europë. Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se, ndonëse emigracioni ka qenë një fenomen i pandërprerë që nga rënia e regjimit komunist, ritmi i largimeve është përshpejtuar ndjeshëm pas vitit 2013. Krahasuar me periudhën 2002–2013, emigrimi neto është rritur me mbi 55%, duke e thelluar më tej shpopullimin e vendit.
Sipas Eurostat, nga viti 1990 deri në vitin 2025 Shqipëria ka humbur rreth 1.8 milionë banorë neto nga migracioni, pasi numri i personave që janë larguar ka qenë shumë më i lartë se ai i personave që janë kthyer në vend, raporton Monitor.
Vala më e madhe e emigrimit u regjistrua në vitet e para të tranzicionit. Vetëm gjatë periudhës 1990–2001, bilanci negativ i migracionit arriti në rreth 785.7 mijë persona, me një mesatare prej rreth 65 mijë personash në vit, një fenomen i lidhur me rrëzimin e sistemit komunist, hapjen e kufijve dhe krizën e thellë ekonomike e politike të asaj kohe.
Në periudhën 2002–2013, ritmet e emigrimit u ngadalësuan. Bilanci negativ zbriti në rreth 391 mijë persona, ose mesatarisht 33 mijë emigrantë neto në vit, duke reflektuar një periudhë me më shumë stabilitet ekonomik dhe politik.
Megjithatë, prirja ndryshoi sërish pas vitit 2013. Në periudhën 2014–2025, humbja neto nga migracioni arriti në rreth 617 mijë persona, me një mesatare prej afro 51 mijë personash në vit. Kjo do të thotë se ritmi mesatar i emigrimit është rritur me mbi 55% krahasuar me periudhën 2002–2013, edhe pse baza e popullsisë është tkurrur ndjeshëm.
Të dhënat tregojnë se fenomeni nuk është zbutur, siç ka ndodhur në shumë vende të tjera të Europës Lindore pas tranzicionit. Përkundrazi, në Shqipëri emigracioni është përshpejtuar, veçanërisht pas pandemisë.
Pas vitit 2020, bilanci negativ i migracionit mbeti në nivele të larta. Në vitin 2021 ai arriti në 32,853 persona, në vitin 2022 në 32,497 persona, ndërsa për vitet 2024 dhe 2025 humbja neto vlerësohet në 28,836 dhe 28,531 persona respektivisht. Viti 2023 paraqet një vlerë të veçantë për shkak të korrigjimeve statistikore të lidhura me Censusin.
Në total, periudha 1990–2013 përfaqëson rreth 65% të humbjes neto nga emigracioni gjatë 35 viteve të fundit, ndërsa 2014–2025 përbën rreth 34% të totalit. Megjithatë, pesha më e madhe e periudhës së fundit qëndron te intensiteti i fenomenit: me një popullsi dukshëm më të vogël se dy dekada më parë, Shqipëria po humbet mesatarisht shumë më tepër banorë çdo vit sesa në dekadën para vitit 2013.
Sipas Eurostat, emigracioni mbetet një nga faktorët kryesorë të tkurrjes së popullsisë së Shqipërisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe ngushtimin e bazës së kontribuuesve në skemat sociale.
© SYRI.net