BIRN
Komisioni i Ligjeve u përfshi të martën nga debatet mbi një nismë ligjore të qeverisë që propozonte ndryshime në ligjin e vitit 2004 “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, duke i hapur rrugën aktivitetit agrifotovoltaik dhe parqeve eolike në tokat bujqësore.
Nenet e reja parashikojnë disa ndryshime në ligjin aktual, “duke lejuar ndërtimin e serave/infrastrukturës për sistemet që mbështesin zhvillimin e aktivitetit të aeroponisë, akuaponisë dhe hidroponisë në tokat bujqësore”.
Megjithatë, dispozitat e reja parashikojnë gjithashtu që t’i japin të drejtën Këshillit të Ministrave që të përcaktojë kriteret mbi përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrifotovoltaik dhe atij eolik në toka me bonitet deri në 8 – të cilat vlerësohen se kanë fertilitet të ulët.
Deputetët e opozitës, por edhe deputeti socialist, Damian Gjiknuri ngritën shqetësimin për pasojat që këto aktivitete do të kishin në bonitetin e tokës bujqësore, duke vënë theksin kryesisht tek strukturat e betonit të parqeve eolike.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi ndryshimin ligjor si “çelësi që hap portën” për shkatërrimin pa kthim të tokës bujqësore.
“I jepen kompetencat Këshilli të Ministrave se si do të rregullojë depozitimin e energjisë që do të prodhohet nga fotovoltaikët dhe impiantet eolike, por kjo është përmbysje e hirearkisë së normës ligjore, ndërkohë që është detyra jonë si Kuvend të vendosim barriera për qeverinë,” tha Bylykbashi.
Ai ngriti shqetësimin se sa këto aktivitete do të dëmtojnë bonitetin e tokës bujqësore.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, tha se parqet eolike dhe fermat agrofotovoltaike do të vendosen në toka me bonitet 8, që konsiderohet një nivel jo i lartë prodhimi si tokë bujqësore dhe se këto struktura nuk do ta dëmtonin tokën.
Sipas tij, strukturat e parqeve eolike do të ishin me shpim, ndërsa për fermat me kombinim për bujqësi dhe prodhim energjie do të shfrytëzonin tokën në raportin 60 me 40 përqind dhe nuk do të kishin ndikim të pakthyeshëm për bonitetin e saj.
Por deputeti socialist, Damian Gjiknuri e kundërshtoi këtë.
“Me logjikë, të vendosësh një kullë për ‘fermat e erës” nuk ka shans të mos kesh bazament betoni,” tha Gjiknuri. “Bëhet fjalë për kulla masive eolike,” shtoi ai, duke i sugjeruar ministrisë që të mos e përfshijë fare në projektligj nenin për këto parqe.
Gjiknuri po ashtu kërkoi nga ministria se si do të sigurohej shteti që lejet që do jepeshin do të ruanin raportin e drejtë për bonitetin e tokës.
Përfaqësuesi i ministrisë, Guri argumentoi se përveç akteve nënligjore që do të rregullonin këtë proces, shteti kishte dhe një sërë institucionesh të tjera në territor që monitoronin mbrojtjen e tokës dhe ripërsëriti se efekti i këtyre strukturave në tokën bujqësore është i kufizuar.
© SYRI.net