Presidenti i Demokratëve Studentë Europianë (EDS), Francesco Sismondini, iu bashkua protestës së shqiptarëve në Bruksel, e zhvilluar paralelisht me protestën në Tiranë ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij, ai shprehu mbështetjen për protestuesit, duke e cilësuar rininë shqiptare si burim frymëzimi për të rinjtë në mbarë Europën.
Sismondini kritikoi ashpër Komisionin Europian, duke deklaruar se nuk mund të vazhdojë të mbështesë atë që ai e quajti një "qeveri autoritare" dhe "narko-diktaturë". Ai theksoi se ndryshimi në Shqipëri duhet të nisë nga të rinjtë dhe se vetëm një Shqipëri e lirë dhe demokratike mund të mirëpritet me krahë hapur në Bashkimin Europian.
Fjala e Francesco Sismondinit:
"Studentë, po lind një lëvizje e re në Europë dhe ne jemi këtu për t'ju mbështetur, për të sjellë zërin e të rinjve europianë në mbështetje të popullit shqiptar dhe të rinisë shqiptare, e cila sot po na frymëzon.
Sepse përballemi me qeveri autoritare, me diktatura në çdo cep dhe në çdo aspekt të jetës sonë. Dhe sot rinia shqiptare është ajo që po frymëzon të rinjtë europianë. Ne po shohim protestat që po vazhdojnë prej më shumë se 14 ditësh. Ju falënderoj. Ju falënderoj nga zemra.
Rama ik! Rama ik! Rama ik! Rama ik! Rama ik!
Faleminderit në emër të rinisë së Europës.
Kjo është një betejë brezash. Ndonjëherë politika, veçanërisht politika europiane, duhet të kuptojë se ekzistojnë disa parime morale që i përkasin brezave. Prandaj po e them hapur se Komisioni Europian duhet të ndihet fajtor në këtë pikë, sepse nuk mund të vazhdojmë të mbrojmë këtë qeveri autoritare, këtë narko-diktaturë.
Unë besoj fort se rinia shqiptare duhet të jetë pikënisja e një Shqipërie të re. Vetëm atëherë ne do ta mirëpresim Shqipërinë në Bashkimin Europian me krahë dhe duar hapur.
Me këtë udhëheqje do të jetë shumë, shumë e vështirë të ndërtohet një e ardhme europiane me njerëz që po përpiqen të ndalin këtë energji, këtë frymë të re që të gjithë po e shohim.
Prandaj ju falënderoj shumë. Vazhdoni betejën. Ne jemi në krahun tuaj. Qëndrojmë pranë jush. Faleminderit!"
© SYRI.net