Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka publikuar mesazhe që janë dërguar nëpër shkolla për të sjellë nxënësit në koncertin e Kanye West.
Sipas Nokës, pasi u shpenzuan miliona euro nga fondet publike për organizimin e këtij eventi, tani qeveria po përpiqet të mbushë sallën duke mobilizuar nxënësit e shkollave, të cilët do të përdoren edhe për të fryrë shifrat e turistëve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PD e cilëson këtë një tjetër fasadë të qeverisë Rama, duke akuzuar se në vend të mbështetjes për arsimin dhe të rinjtë me rezultate të larta, nxënësit po përdoren për propagandë dhe për interesat e një eventi privat.
Denoncimi:
Nxënësit do i numërojnë për turistë
Pas fasadës me "nxënës të shkëlqyer e me arritje" fshihet një zbrazëti në sallë që duhet mbushur duke përdorur shkollat. Kjo sepse #Rama ka qenë njeri i fasadave dhe i tillë mbeti.
Nxënësit e shkëlqyer kanë nevojë së pari për mbështetje financiare nga shteti. Ata nuk janë mbushësa për ahengje private. Pak ditë më parë pamë zëvendësministren e arsimit që gënjente publikisht për "ndihmën" që ministria i paskërka dhënë medalistit të matematikës, cërrikasit Loris Qosja. Mbështetja zero. Lorisi fitoi një tjetër medalje ari në finalen e madhe të olimpiadës ndërkombëtare STEM. Çfarë i ofron shteti, hyrjen falas te koncerti i Blendi Gonxhes?
Koncerti është një kusari e radhës. Një gropë financiare për vendin, aq sa Edi Rama futi duart te fondi rezervë i shtetit.Fondi rezervë nuk është prekur për të shpëtuar jetë tek Onkologjiku. Nuk është prekur për të blerë barna që mungojnë. Nuk është prekur për t'i dhënë një dorë talenteve të rrallë. Ama preket për të mbushur xhepat e një privati, që Shqipërinë e trajton si "kliente" për disa orë.
© SYRI.net