Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Ankara, samiti i sikletit për Edi Ramën

Atletet e propagandës

Atletet e propagandës

17:40, 08/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Sonila Meço 

Mirë kryeministri me atlete, po ministri i jashtëm, që njeh mirë gjuhën e stilin diplomatik, si mund të pranojë të shfaqet si fans adoleshent youtuber-i, me reels-a brenda selisë së NATO-s për të qesëndisur popullin e vet, që ndodhet edhe në protestë 40 ditore?

Në pikën përmbyllëse të deklaratës së Samitit të NATO-s në Ankara nuk ka asnjë njoftim për “next meeting in Tirana”, pra nuk përmendet samiti i radhës në Shqipëri.

Ky është një ndryshim i dallueshëm nga praktika e viteve të kaluara. P.sh në deklaratën e samitit të vitit 2025 në Hagë ishte shkruar shprehimisht se pas Turqisë samiti do të mbahej në Shqipëri. (Fotot shoqëruese).

Kjo nuk do të thotë se samiti nuk do të zhvillohet në Tiranë. Mund të ketë arsye procedurale, ose organizative pse nuk u përfshi në deklaratë samiti i radhës.

Megjithatë, fakti që mungon përmendja ka tërhequr vëmendje edhe në raportimet ndërkombëtare. Shumë media të rëndësishme si AP e Reuters vërejnë se deklarata nuk jep detaje për samitin e ardhshëm, duke lënë të paqartë kohën dhe vendin. Ndërsa media zyrtare ukrainase njofton mundësinë e mos zhvillimit.

Mirëpo, kryeministri me atlete del para kamerave me ton triumfal dhe plane artistike, sikur po shpall organizimin Eurovision-it në Tiranë. Dhe thotë:

“Po si thanë nuk do të bëhet samiti i NATO-s në Shqipëri. Kështu thanë. Epo ka ikur ajo kohë kur bëhej çfarë të donin të tjerët me Shqipërinë. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën dhe samiti i ardhshëm do të bëhet në Tiranë”, shprehet Rama.”

M’anë tjetër, zyrtarisht kemi deklaratën e NATO-s, shumë të kujdesshme, që nuk e njofton samitin e Tiranës.

Nëse NATO nuk e ka konsideruar të rëndësishme ta shkruajë si çdo vit në deklaratën e saj finale, pse u ndje nevoja të rreshtoheshin ministra e staf si fansa të paguar youtuber-i, ndërsa ky i fundit rreket të kapë algoritmin? Pse iu desh vetë kryeministrit me atlete ta shesë si kulmin spektakolar të ditës nga Samiti i Ankarasë, ku nga regjia e njoftimit, mezi prisja të dilte edhe tabela e pikëve për finalistë Eurovisioni.

Nga një udhëheqës pritet të sqarohen vendimet në kontekstin aktual për vendin, kur prej javësh diplomatë, media prestigjoze dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë shprehin shqetësimin e artikuluar të Trump-it mbi të ardhmen e NATO-s nëse nuk arrihet objektivi 5% i GDP-së për shpenzimet e mbrojtjes.

Shqipëria në terma realë sot e ka 1,5%. Dhe samiti i radhës rrezikon edhe për këtë arsye.

Nuk foli kryeministri me atlete dhe regji youtuber-i. Nuk na sqaroi se

neni 5 mbetet i paprekur. Në një kohë kur kishte pikëpyetje mbi angazhimin amerikan në Aleancë.

Nuk na sqaroi, se Evropa, për të cilën na premton se do na fusë deri në 2030 me a pahir, po merr më shumë barrë në NATO. Deklarata pranon hapur se aleatët evropianë dhe Kanadaja po marrin përgjegjësi më të mëdha, si në financimin e mbrojtjes, ashtu edhe në ndihmën për Ukrainën.

Nuk na sqaroi se ndërsa jep 4 milionë euro me akt normativ për një koncert në Tiranë, industria e mbrojtjes po bëhet prioritet strategjik për Europën. Nuk flitet vetëm për më shumë para, por për prodhim më të madh armësh, kapacitete industriale, zinxhirë furnizimi, inteligjencë artificiale, sisteme pa pilot dhe një “warfighting cloud” (re ushtarake për operacione luftarake) transatlantik. NATO po kalon nga logjika e “blerjes së armëve” te logjika e ekonomisë së luftës dhe prodhimit të vijueshëm. Një sinjal i qartë se NATO po institucionalizon një model të ri mbrojtjeje me më shumë investime evropiane, më shumë kapacitete industriale dhe integrim teknologjik. Në një kohë ku kryeministri na ka lënë pa ushtri e pa baza ushtarake.

Asgjë nga këto nuk thotë lideri që do të bëjë lajm ndërkombëtar me atlete. Por shan dynjanë, duke bërë reels-a për të njoftuar se Samiti i radhës do të bëhet në Tiranë, sepse e ka vendosur ai.

Samitet nuk jepen si ndere personale me lobim. Si ai gishti i kreut të NATO-s që kërkonte vëmendjen e Trump-it për atletet e kryeministrit shqiptar. Ato zhvillohen në vende anëtare mbi bazën e vendimeve kolektive të Aleancës. Shqipëria duhet të jetë krenare që pret një ngjarje të tillë. Dhe urojmë të ndodhë. Por nuk mund ta shndërrosh edhe këtë ngjarje në lëndën obsesive të kultit të individit.

Sepse nëse lajmi i madh qe konfirmimi i Samitit në Tiranë, pse lejove të turpërohesh me gishtin tregues të Rutte-s dhe indiferencën bezdisëse të Trump?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco