Peka: Amendamenti amerikan vendos nën lupë qeverinë Rama, bien maskat e legjitimitetit ndërkombëtar

18:10, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avenir Peka, i ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë Rama, duke deklaruar se një nismë e re amerikane mund të ekspozojë përballë institucioneve të Shteteve të Bashkuara çështje të lidhura me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe keqpërdorimin e pushtetit në Shqipëri.

Peka tha se amendamenti i propozuar në Kongresin Amerikan, pjesë e ligjit e mbrojtjes, nuk është një nismë e zakonshme, por një proces që do të detyrojë strukturat më të larta amerikane të sigurisë dhe inteligjencës të raportojnë për zhvillime që lidhen me Shqipërinë dhe rajonin.

Eksperti i sigurisë deklaroi se qeveria Rama ka përdorur lidhjet ndërkombëtare si një mekanizëm legjitimiteti, ndërsa akuzoi se pas këtij imazhi fshihen probleme të rënda që lidhen me zgjedhjet, krimin dhe ndikimin e grupeve kriminale. Ai solli në vëmendje edhe protestat e fundit qytetare, duke theksuar se ato, kanë sjellë një ekspozim më të madh ndërkombëtar të situatës politike në Shqipëri.

Peka tha se mbulimi i protestave nga mediat prestigjioze ndërkombëtare është një sinjal se vëmendja ndaj zhvillimeve në Shqipëri është rritur, duke rrëzuar, narrativën e ndërtuar ndër vite nga qeveria për imazhin e saj jashtë vendit.

Pjesë nga deklarata:

Kjo është shumë e rëndësishme, edhe nëse nuk u miratua si nismë ligjore. Kam përshtypjen që është një nismë bipartizane, e të dy krahëve të politikës atje. Por çfarë përmban kjo nismë?

E para, kjo nismë, ky ndryshim ligjor, është një amendament në ligjin për buxhetin e mbrojtjes, jo një ligj i zakonshëm. Është amendament në ligjin për buxhetin e mbrojtjes.

E dyta, ky amendament nuk përfshin vetëm Shqipërinë, por edhe Serbinë. Për Serbinë përfshin influencën ruse, kartelet e drogës, trafikun ndërkombëtar të drogës, si dhe opresionin dhe shtypjen politike.

Pse është e rëndësishme? Unë mbaj mend në vitin 2017, në kohën kur ishim në çadër, u mor një nismë në Komitetin e Helsinkit në Kongresin Amerikan për të zhvilluar një seancë dëgjimore, për të diskutuar trafikun e drogës dhe rolin e bandave në zgjedhje. Besoni, Edi Rama ka harxhuar miliona për ta bllokuar atë nismë. Dhe, në fund të fundit, bëhej fjalë vetëm për një seancë dëgjimore.

Ta krahasosh këtë me ndryshimet ligjore në ligjin për mbrojtjen, trafikun e drogës dhe shtypjen politike, janë dy botë të ndryshme.

Kjo iniciativë ligjore do të shoqërohet me relacion. Pra, nuk është thjesht nismë e dikujt. Ekipet që punojnë për të janë të shumta, jo vetëm stafi i kongresmenit.

Ajo që kërkohet është që, në bazë të këtyre amendamenteve, nëse ato miratohen, Sekretari i Shtetit dhe inteligjenca, pra drejtori i Inteligjencës Amerikane, që përmbledh 17 agjenci të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të raportojnë në Kongres mbi këtë pikë të amendamentit.

Po sigurisht, sepse ajo nis nga një premisë dhe nga fakti i ekspozimit. Domethënë, deri tani, për ta shpjeguar thjesht me dy fjalë se si ka funksionuar Edi Rama: ai ka krijuar legjitimitet të jashtëm. Lidhjet dhe mbështetjen ndërkombëtare i ka përdorur si legjitimitet të jashtëm për të vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet në Shqipëri.

Kaq. Jep lekë andej, krijo rrjet, merr mbështetje, hajde dhe vidh zgjedhjet këtu. Krijo qeveri, përsëri jep lekë, krijo mbështetje, hajde dhe vidh zgjedhjet këtu. Dhe, në një periudhë të gjatë kohore, edhe për shkak të rrjetit global politik ku bën pjesë, ka pasur sukses.

Deri në momentin kur filluan t’i dalin, si të thuash, gjarpërinjtë nga thesi. Dhe fillimi i daljes së tyre nga thesi kanë qenë, kam përshtypjen, emisionet investigative të RAI-t. Më pas filluan edhe mediat gjermane, sidomos në periudhat e zgjedhjeve.

Por, përsëri, ai arriti. Protestat aktuale i kanë shkaktuar Ramës atë që nuk e ka menduar kurrë. Nëse ky, ndër vite, gjatë 13 viteve që kur ka ardhur në krye të Partisë Socialiste dhe në bashki, mund të ketë harxhuar me qindra miliona euro dhe dollarë për të krijuar profilin e tij...

Pikërisht këtë profil ia shkatërroi protesta. Pse? Sepse protesta tregoi diçka. Ishte një protestë qytetare, u tregoi botës se për çfarë protestonin shqiptarët, e ekspozoi situatën dhe bëri që të gjitha radarët mediatikë, por jo vetëm ata, edhe opinioni politik dhe qeveritë, të kthenin vëmendjen te Edi Rama.

Dhe çfarë gjetën? Gjetën mediat më të mëdha që erdhën në Tiranë. Reuters, për shembull, ka transmetuar dhe ka raportuar tre orë live, nëse nuk gaboj, protestën e djeshme. Ndërkohë, Reuters nuk ka transmetuar live që nga lufta në Kosovë.

Edhe mediat e mëdha si CNN dhe të tjera nuk kanë ardhur për të transmetuar drejtpërdrejt që nga lufta në Kosovë.

Dhe ajo që i mbetet Ramës është se përmend algoritmet, përmend fuqitë lindore, armiqësore etj., sepse në fakt nuk përmend dot ato që duhet të përmendë. Sepse Reuters nuk ia solli Irani. CNN nuk ia solli Rusia. BBC nuk ia solli Serbia. ZDF nuk ia solli...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco