Gjatë fjalës së mbajtur në takimin e organizuar nga departamenti i ish-të përndjekurve në PD, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, sot në Shqipëri xhelatët dhe banditët nderohen njësoj si në diktaturën e Enver Hoxhës.
‘Sot në Shqipëri nderohen, për fatin më të keq, xhelatët. Nderohen banditët dhe kriminelët. Kohë identike në rrafshin moral me atë të diktaturës së Enver Hoxhës.
Të vendosësh në qytetin e Durrësit një rrugë me emrin Kristaq Rama, është një fyerje, është një poshtërim, është një dhunë morale për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.’, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Njëri prej tyre, Enriko Veizi, në një vepër të tij, do ta quajmë të serialit 'Rrno për me tregue', përshkruan në këtë mënyrë kalvarin e tij: 'Më arrestuan dhe më thanë se je agjent i CIA-s. Ti, Enrik, je agjent i CIA-s'.
Unë, thotë, s'kisha ku... Si përfundim, kishin studiuar dobësinë time, që ishte bashkëshortja, e cila ishte pa njerëz të vet në rrethin familjar. Kështu që domethënë e dinin që unë do bëja ç'është e mundur që ajo të mos vuante nga persekutimi im.
Dhe më thonë: 'Tani, zgjidh e merr: Ose bashkëshorten do ta internojmë, do bëjmë këto, këto, këto, ose prano që ti je agjent i rekrutuar i CIA-s'.
Për hir të saj pranova. Pranova sepse këto ishin rrethanat.
Më rekrutoi CIA në një udhëtim që pata në Algjeri, tek kthehesha në Romë. Më erdhi agjentja dhe firmosa. Firmosa dhe fillova aktivitetin.
E mbajnë në burg gjashtë muaj tani, duke e përpunuar se si do fliste në gjyq. Pas gjashtë muajsh, i thonë: ‘Jo Enrik, ti nuk je agjent i CIA-s, ti je agjent i KGB-së’. Ky thotë: ‘Jo, tani nuk pranoj’.
‘Po tani gjashtë muaj unë u bëra agjent i CIA-s. S'kam asnjë lloj lidhje mbi tokë! Çfarë mund të pranoj? Mirë atë e kisha një udhëtim në Algjeri dhe gjeta një shkak, po këtu s'kam’.
‘Ta gjejmë ne,’ i thonë. Dhe e gjetën njërin nga ata që ata keqpërdorin nëpër burgje, dhe ai thotë: ‘E kam rekrutuar unë këtë. Unë jam agjent edhe e kam rekrutuar’.
E tregova këtë rast të përshkruar nga ky inxhinier i naftës, i cili pas grupit të Lipe Nashit, se kështu quheshin ato, u dënua disa vjet mbrapa edhe ky me një grup shokësh, ishte nëndrejtor i Institutit të Naftës.
Pra, ky ishte kalvari për të cilin, Nuredini kalon një vepër të pavdekshme, Enriku po ashtu, dhe kujtesa e tyre është një detyrim madhor për shoqërinë shqiptare, për inteligjencën shqiptare, dhe realisht ata janë të pavdekshëm si me kontributin ashtu dhe me martirizimin e tyre.
Por sot në Shqipëri nderohen, për fatin më të keq, xhelatët. Nderohen banditët dhe kriminelët. Kohë identike në rrafshin moral me atë të diktaturës së Enver Hoxhës.
Të vendosësh në qytetin e Durrësit një rrugë me emrin Kristaq Rama, është një fyerje, është një poshtërim, është një dhunë morale për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.
Dua ta pranoj, në shoqërinë e kaluar ekzistonte grupi i xhelatëve. Ishin ata të cilët përgatisnin dosjet, thyenin kockat, bënin dëshmitë e rreme, firmosnin ekzekutimet, firmosnin burgosjet, dhe natyrisht ishte grupi i martirëve, ata që i nënshtroheshin këtij kalvari, për të vërtetat që mbronin.
© SYRI.net