Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

NATO mes Turqisë, SHBA-së dhe Evropës/ Ajazi Lika: Ankaraja po fiton peshë si fuqi rajonale

20:10, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV me gazetaren Armela Ferko, Visho Ajazi Lika, ish-ambasador në NATO, u shpreh se Turqia po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm brenda aleancës, duke mos u pozicionuar më thjesht si një vend anëtar, por si një fuqi rajonale me peshë të veçantë.

Sipas tij, Ankaraja ka arsyet e veta për të pasur rezerva ndaj disa vendeve evropiane të NATO-s, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme për çështje si ndarja e teknologjisë, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe procesi i zvarritur i anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.

‘Turqia po përpiqet të shfrytëzojë marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin që ka në Uashington për të forcuar pozicionin e saj brenda aleancës.’-shprehet ai

Ajazi Lika theksoi se marrëdhënia me SHBA-në mbetet prioritet për Ankaranë, ndërsa vendet evropiane duhet të kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së një raporti të qëndrueshëm me Turqinë, veçanërisht për shkak të rolit të saj në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë ushtarake.

Sipas Visho Ajazi Likës, sfida kryesore e NATO-s sot është forcimi i unitetit transatlantik, pasi ndryshimet në peshën dhe kontributet e vendeve anëtare kërkojnë një koordinim më të madh mes SHBA-së, Evropës dhe aleatëve të tjerë.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, Turqia tani po luan vërtet rolin e një fuqie rajonale, jo vetëm thjesht si një anëtare e aleancës, por më tepër se kaq. Dhe e them këtë sepse, së pari, Turqia ka arsyet e veta për të pasur probleme me anëtarët evropianë të aleancës. Kjo lidhet, siç e thashë, me ndarjen e teknologjisë, me tregtinë dhe me faktin që ata e kanë hedhur, e kanë çuar në kalendat greke anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Pra, ka plot arsye që edhe Turqia të ketë rezervat e saj të mëdha.

Kështu që, në një farë mënyre, Turqia po u tregon fare qartë atyre: “Shikoni, këtu i vetmi që vërtet ka vlerë është Trumpi. Ju të tjerët duhet të bashkoheni dhe të bashkohemi të gjithë”. Në këtë mes, ajo do që, në një farë mënyre, t’u thotë atyre se pa të, ata nuk afrohen dot me Trumpin. Pra, në një farë mënyre, ajo synon të jetë një lloj ndërlidhëse me të.

Ajo po u jep mesazhin se për të e rëndësishme është marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ju nuk keni treguar gatishmërinë që ka treguar Turqia për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes, në fushën e teknologjisë mbrojtëse e të tjera.

Një holandez shumë i mençur po bën të pamundurën që të mos i djegë urat me Turqinë, por t’i ndërtojë këto ura të bashkëpunimit me të. Siç ju thashë, Turqia në teknologji ka ecur mjaft përpara, ka bërë përparime të mëdha. Edhe si e tillë, Turqia mbetet një fuqi e dorës së parë për sa i përket aleancës.

Prandaj, sekretari i përgjithshëm, me shumë mençuri, ashtu siç ka shkuar në momentet më të vështira që ka pasur marrëdhënia e NATO-s me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkuar atje dhe është përpjekur me çdo kusht t’i ulë tensionet, në mënyrë që palët të merren vesh. Të njëjtën punë po bën edhe me Turqinë. Po i jep mesazhin se: “Ne jemi me ju, ne jemi aleatë dhe ne ndajmë gjithçka bashkë”.

Të mos harrojmë diçka: nuk bëhet fjalë që njëri të jetë thjesht në varësi të aleancës, por është parimi “një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Dhe kjo çështje është shtruar tani, sepse Trumpi këtu e ka pasur edhe problemin, veçanërisht me Gjermaninë dhe Francën. Kur erdhi puna, në mënyrë të veçantë me Spanjën dhe Italinë, ato nuk i ofruan aeroportet e tyre për ta ndihmuar gjatë inkursioneve ajrore që ai ndërmori kundër Iranit.

Diplomatikisht, unë nuk e quaj një problem shumë të madh, sepse në thelb ai nuk u mori leje aleatëve evropianë kur shkoi dhe filloi luftën atje. Kështu që, po ta shikosh drejt, ata kishin të drejtën e tyre.

Por të mos harrojmë diçka: deri para pesë vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogariteshin me rreth 40% të gjithë fuqisë së NATO-s. Pra, e kuptoni që ishte një fuqi dominuese, pastaj vinin të tjerët. Sot situata ka ndryshuar. Për shembull, kontributi në NATO i Shteteve të Bashkuara është i krahasueshëm me kontributin e Gjermanisë. Shifrat lëvizin pak; NATO-ja, Gjermania më duket se është rreth 16%, ndërsa Amerika, e cila është tërhequr disi, është rreth 18%.

Kështu që, Evropa ose aleatët evropianë po bëjnë çmos që t’u tregojnë Shteteve të Bashkuara se, jo vetëm për ta, por për aleancën në themel, është shumë e rëndësishme që ky unitet transatlantik, i cili është një nga pikat më të rëndësishme të ditës së sotme, të forcohet dhe të mos dobësohet.

Kështu që, po, atë kapje dorë për dore unë e shikoj si një shenjë, si një përpjekje të madhe të sekretarit të përgjithshëm që aleancën ta mbajë të bashkuar dhe kompakte.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco