SYRI TV/ NATO mund të shtyjë samitin në Shqipëri, Bloomberg: Në dyshim samiti i NATO në Tiranë

16:14, 08/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bloomberg raporton se NATO po shqyrton mundësinë e shtyrjes ose anulimit të samitit të planifikuar për vitin e ardhshëm në Shqipëri, mes kritikave të vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump ndaj aleancës. Sipas burimeve, shqetësimi lidhet si me retorikën e Trump, ashtu edhe me nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen nga disa vende anëtare, përfshirë Shqipërinë.

Samiti i NATO-s, që ishte planifikuar të zhvillohej vitin e ardhshëm në Shqipëri, mund të mos mbahet ose të shtyhet për shkak të debateve të brendshme në aleancë dhe kritikave të vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump. Kështu raporton agjencia Bloomberg, duke cituar burime të njohura me diskutimet.

Sipas raportimit, gjatë samitit të NATO-s në Ankara është intensifikuar debati për të hequr dorë nga praktika e organizimit të samiteve vjetore. Një nga arsyet është shmangia e përplasjeve të reja me Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht aleancën dhe nivelin e shpenzimeve ushtarake të disa vendeve anëtare.

Burimet thonë se ekziston shqetësimi që samiti në Shqipëri mund të kthehet në një tjetër skenë ku presidenti amerikan do të sulmojë publikisht aleatët. Në raport përmendet edhe fakti se Shqipëria renditet ndër vendet e NATO-s që, deri së fundmi, nuk kishin arritur objektivin për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbështet vazhdimin e samiteve çdo vit, duke argumentuar se ato e mbajnë aleancën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Megjithatë, sipas Bloomberg, deklarata përfundimtare e samitit në Ankara nuk pritet të përmbajë asnjë referencë për samitin e ardhshëm në Shqipëri, çka ka shtuar spekulimet se planet mund të ndryshojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco