Përkushtimi për arritjen e suksesit të protestës qytetare është nderimi më i madh që mund t'u bëhet martirëve të kombit. Gjatë takimit me të përndjekurit politikë, kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri thirrje për mobilizim në protestën qytetare, e cila, sipas tij, e ka nxjerrë tashmë Edi Ramën në sytë e të gjithë botës si tiran. Berisha, ndërkohë, akuzoi qeverinë se nuk nderon martirët e vërtetë, por xhelatët, banditët dhe kriminelët.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, mori pjesë në takimin me të përndjekurit politikë me qëllim përkujtimin e inxhinierëve dhe drejtuesve të shquar të sektorit të naftës, të cilët u pushkatuan nga diktatura e Enver Hoxhës. Berisha theksoi se përkushtimi për suksesin e protestës është nderimi më i madh që mund t'u bëhet martirëve të lirisë, të cilët u vranë gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.
"Ndaj dhe, nderimi më i madh që ne u bëjmë viktimave të asaj diktature është të luftojmë me të gjitha mundësitë tona këtë regjim, këtë diktaturë autoritare që po shkatërron, si asnjë regjim tjetër, qenien shqiptare dhe që është një rrezik ekzistencial për kombin tonë. Një protestë e madhe qytetare rinore është në vazhdim. Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj. Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm. Edi Rama, para gjithë botës, tashmë është një tiran. Por tiranët kurrë nuk ikin vetë. Ndaj dhe çdo shqiptar e çdo shqiptare duhet të jetë i përgatitur për betejën vendimtare me këtë regjim, për të shpëtuar Shqipërinë."
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë se nuk nderon heronjtë e vërtetë të kombit, por nderon xhelatët, banditët dhe kriminelët. Ai akuzoi Edi Ramën se përfaqëson një formë të re diktature, duke e krahasuar me regjimin e Enver Hoxhës.
"Ka rrugë të Tiranës që mbajnë emra kriminelësh, të damkosur nga populli shqiptar, nga kombi shqiptar. Tani, së fundi, siç e keni konstatuar, nderimet u shkojnë kriminelëve ordinerë. Nderohet i ati i Ergys Agasit si fisniku i Partisë Socialiste për Durrësin, për meritat që i biri është një nga mafiozët më të rrezikshëm, jo të Shqipërisë, por të Evropës. Nderohet Jurgis Çyrbja, deputeti që shërbente si informator për Altin Hajrin, vrasësin mizor që i mori jetën Jan Prengës dhe ia preu trupin copa-copa. Dhe ky njeri bën tre vite burg, sepse iu gjetën të gjitha telefonatat dhe çdo gjë, e më pas del dhe nderohet me dekoratë, me firmën e Edi Ramës.
Pse i theksova këto? Është i njëjti moral. Por sot Shqipëria nuk mund të ketë skuadra pushkatimi, sot Shqipëria nuk mund të ketë kampe internimi dhe përqendrimi, por, në kuadrin e asaj që mund të bëjë kjo Shqipëri, ngjan tërësisht, në rrafshin politik, me Shqipërinë e dikurshme."
© SYRI.net