Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin "A Show", u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar politik dhe institucional, ku qeveria e kryeministrit Edi Rama ka humbur legjitimitetin, ndërsa vetë kreu i qeverisë po përballet me një dobësim të ndjeshëm të pozitës së tij, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Lala shprehet se, Rama nuk e kontrollon më narrativën politike si më parë, ndërsa qytetarët kanë marrë në duart e tyre fatin e vendit përmes reagimit publik. Ajo argumentoi se mbështetja ndërkombëtare ndaj kryeministrit nuk është më ajo e viteve të kaluara dhe se një sërë zhvillimesh, përfshirë marrëveshjen për kampin e Gjadrit dhe çështje të tjera që kanë ngjallur debat, i janë kthyer mazhorancës në bumerang.
Në analizën e saj, gazetarja ndaloi gjerësisht edhe te drejtësia, duke e cilësuar SPAK-un institucionin më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Lala tha se struktura e posaçme ka treguar tashmë se është në gjendje të godasë edhe nivelet më të larta të pushtetit, duke përmendur hetimet ndaj figurave të rëndësishme qeveritare dhe veprimet intensive hetimore, përfshirë letërporositë jashtë vendit, të cilat sipas saj mund të sjellin zhvillime të rëndësishme.
Ajo theksoi se qytetarët nuk presin më vetëm goditje ndaj krimit të organizuar, por kërkojnë që drejtësia të shkojë deri te ministrat, deputetët dhe zyrtarët e lartë që kanë abuzuar me detyrën dhe fondet publike.
Sipas Lalës, misioni i SPAK-ut dhe i kreut të tij, Altin Dumani, do të konsiderohet i përmbushur vetëm nëse arrin të çmontojë kulturën e pandëshkueshmërisë dhe të godasë ata që prej vitesh janë konsideruar të paprekshëm. Ajo u shpreh se Shqipëria ndodhet në një pikë shumë të vështirë dhe se institucionet e drejtësisë kanë përpara një përgjegjësi historike për të rikthyer besimin e qytetarëve te ligji.
Pjesë nga deklarata:
Sepse, ja, ta them unë pse është e vlefshme. Sepse, siç tha ajo, karrigia e drejtorit të përgjithshëm rrotullohet shumë shpejt, tha; jo më shumë se një herë në dy vjet këtu në Shqipëri. Dhe patjetër që është një sfidë shumë e madhe. Unë e kuptoj vështirësinë që ka secili prej zyrtarëve të policisë, që është pjesë dhe ka qenë pjesë e Policisë, për ta bërë këtë. Por mendoj që njëri prej tyre, ndoshta zoti Hita, i ka rënë bingo, nëse mund ta them kështu, që të ketë kurajon për ta bërë. Në të kundërt, pastaj, ç'të të them tjetër? Në qoftë se u themi shqiptarëve që kjo nuk bëhet, i bie të shkojmë në anarki. Nuk di pastaj si ta them ndryshe. Por do të doja që të kishte kurajon profesionale dhe integritetin moral për ta bërë këtë gjë, sepse realisht Shqipëria është në një pikë shumë të vështirë. Realisht, Shqipëria është në një pikë të vështirë. Qeveria nuk ka më legjitimitet. Situata është komplet e dërrmuar.
Jo, edhe si gazetare mund ta jap këtë përgjigje. Dëgjo, unë mendoj që zoti Rama është i izoluar nga partnerët ndërkombëtarë ose nga arena ndërkombëtare. Po ta shikoni, ka shumë pak vizita... Po nuk ka rëndësi, domethënë. Të bëhemi realistë pastaj, se edhe zoti Rama shkoi në Izrael me një avion të paguar, dhe ju e keni raportuar, të paguar nga një personazh me shumë problematika e të tjera me radhë. Domethënë, pastaj këto janë çështje të hetimit. Unë po flas përtej kësaj gjëje; po flas për thelbin.
Patjetër. Në një vend normal duhet të jenë çështje të hetimit. Të paktën duhet t'i tregojmë publikut të vërtetën për atë që ka ndodhur. Problemi është që zoti Rama nuk është më ai lideri që u ka thënë shqiptarëve për kaq vite me radhë: "Unë e bëra Shqipërinë dhe e njoha në arenën ndërkombëtare." Ka pasur momente interesante; duhet ta pranojmë, se nuk mund të jem kaq e pandershme në raport me të. Për shembull, fjalimi në Serbi ka qenë një fjalim mjaft interesant, pas shumë e shumë vitesh, dhe unë, për vete, kam gjetur momente të mira aty dhe nuk mund t'ia hedh poshtë. Por, nga ana tjetër, nuk e ka më atë fuqinë në arenën ndërkombëtare dhe të gjitha përpjekjet që ka bërë, që nga kampi në Gjadër me Melonin e të tjera me radhë, në një farë mënyre i janë kthyer në bumerang. Dhe, duke mos e pasur më këtë mbështetje, zoti Rama gradualisht do ta shikojë edhe vetë që është i dobësuar. Edhe sikur të qëndrojë deri në fund të mandatit të qeverisjes, pas kësaj proteste nuk ka për të qenë më kurrë Edi Rama ai që do të kontrollojë narrativën. Do të jenë qytetarët, dhe janë qytetarët, ata që i kanë marrë fatet e vendit në duar. E di sa gjeniale është ajo protestë?
Mendoj që SPAK e ka gjithë pjekurinë për t'i bërë edhe ato goditjet e rëndësishme. Patjetër që shkuarja deri te zëvendëskryeministrja e atëhershme, sepse në kohën që u mor e pandehur zonja Balluku ishte zëvendëskryeministre në detyrë, edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe ishte praktikisht njeriu më i rëndësishëm pas Edi Ramës në vend, tregoi që, po, SPAK ka maturinë e duhur për të shkuar edhe në nivele të larta. Se si do të shkojë kjo çështje, unë nuk jam në gjendje ta them, por di që, në raport me zonjën Balluku, janë duke u kryer veprime hetimore jashtëzakonisht të shumta. Domethënë, që nga letërporositë jashtë vendit e të tjera me radhë, çka do të thotë që aty mund të kemi edhe zhvillime.
Ndërkohë, sa i përket pjesës tjetër, dëgjo, SPAK-u ka dinamika. Ndonjëherë ajo çështja që ka fjetur për vite me radhë, papritmas, në një dosje tjetër të del një provë që ti e lidh, pra prokurori e lidh, dhe shkon në krye. Kështu që nuk mund të flas për një dosje konkrete. Por sot fokusi nuk është më, ose më saktë, për qytetarin shqiptar nuk bën më sens krimi i organizuar, sepse, ja, janë arrestuar 10 kriminelë...
Po, po, janë arrestuar 10 kriminelë dhe, përveç meje që jam gazetare e kronikës, mendoj që të tjerët as nuk e kanë idenë se kush janë ata emra dhe, për qytetarët e thjeshtë, janë thjesht disa numra. Sot qytetarët shqiptarë duan goditje sa i përket rrafshit të korrupsionit. Cilët janë zyrtarët e lartë që do të shkojnë prapa hekurave? Ose që do të hetohen dhe do t'u merren pasuritë? Ky është gjithë thelbi i gjësë.
Dhe, nëse SPAK do ta arrijë këtë gjë, unë mendoj që e ka përmbushur misionin e vet, pra të godasë ata që janë konsideruar të paprekshmit. Sepse, ja, do të kapim aksionin e fundit: u shpallën në kërkim 10 veta. M'i thuaj emrat e tyre? Unë jam e bindur që ju nuk i dini, edhe pse jeni aktiv në media e të tjera me radhë. Sepse, në fund të fundit, janë disa emra që kanë shkuar atje, kanë hyrë në rreziqe, kanë bërë trafik; duhet të shkojnë të vuajnë patjetër 15, 20, 30 vjet, aq sa e meritojnë. Por janë thjesht pa emër dhe pa fytyrë, në kuptimin që, ndërkohë, kur del një zëvendëskryeministër, një ministër, një kryeministër apo një deputet, i cili ka bërë korrupsion dhe ka marrë nga taksat tona, aty pastaj ndryshon gjëja.
Dhe prandaj unë e shikoj SPAK-un si një aktor vendimtar në situatën ku ndodhet vendi. Personalisht jam po aq e interesuar sa ju, pavarësisht se unë aty takoj punonjës të BKH-së, të SPAK-ut, avokatë, gjyqtarë, takoj qytetarë që shkojnë në protestë, takoj burime nga më të ndryshmet në Policinë e Shtetit dhe flas me njerëz që ankohen, njerëz që më sjellin të dhëna, njerëz që sjellin dosje e të tjera me radhë. Por, në fund fare, mendoj që SPAK-u është një aktor vendimtar për të ardhmen e vendit.
© SYRI.net