Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 37-të e protestës qytetare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

VIDEO/ Nuri: Ka indicie për hetimin e pastrimit të parave, 'Albanian Files' është një minierë provash

18:54, 06/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Juristi Franc Nuri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, deklaroi se publikimi i ‘Albanian Files’ ngre indicie serioze për hetime ndaj kryeministrit Edi Rama, qeverisë shqiptare dhe çdo zyrtari që, sipas tij, mund të ketë miratuar ligje të hartuara me porosi për interesa të caktuara.

Duke bërë një krahasim me çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Nuri tha se edhe në rastin e ‘Albanian Files’ ekzistojnë elementë që, sipas tij, duhet të çojnë në nisjen e hetimeve.

Sipas tij, në rastin e dosjes ‘Albanian Files’ ka vend për hetime ndaj drejtuesve të qeverisë dhe deputetëve që mund të kenë votuar ligje të hartuara për projekte të caktuara.

Nuri u ndal edhe te përmbajtja e ‘Albanian Files’, duke thënë se dokumentet tregojnë se projekte arkitekturore janë hartuar në zona ku, në momentin e projektimit, ndërtimi ishte i ndaluar me ligj.

Ai ngriti pyetjen se përse do të investoheshin shuma kaq të mëdha në projekte që nuk mund të realizoheshin, nëse nuk do të ndryshonte më pas legjislacioni. Sipas Nurit, ndryshimet ligjore përfshinë edhe lehtësi fiskale dhe mekanizma që, sipas tij, mundësuan kalimin e pronës publike në pronësi private.

Juristi deklaroi se ekzistojnë dyshime se këto procese mund të jenë realizuar edhe në bashkëpunim me studio të njohura ndërkombëtare të arkitekturës. Nuri bëri të ditur se materiali po analizohet edhe nga Partia Demokratike, ndërsa dosja, sipas tij, i është dorëzuar zyrtarisht edhe SPAK-ut nga protestuesit.

‘Shikoni çfarë ndodhi me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. U dënua për shpërdorim detyre, pavarësisht se dënimi, po themi në vlerësimin tonë, ishte një nga akuzat më të lehta të mundshme. Por u dënua për shpërdorim detyre, pse?

Sepse u akuzua nga dosja se paska kontribuar ose nuk kishte marrë masat e duhura për të penguar ose për të frenuar kanabizimin e vendit. Ndërkohë bashkëpunëtorët e tjerë të tij u dënuan shumë më rëndë për trafik e me radhë, pra të narkotikëve dhe veprave të tjera konkrete.

Edhe në këtë rast mendoj që ka vend për të hetuar sepse ja ku i kemi indicet mbi tavolinë, për të hetuar Edi Ramën, qeverinë shqiptare dhe kushdo deputet apo parlamentar që mund të kenë votuar nisma të porositura. Të porositura, sepse janë ligje të prera, si me thënë të prera me masë, pra kostume të qepura për ligje me porosi.

The 'Albanian Files', pra dosja e arkitektëve e publikuar vetë në një libër tani ndërkombëtar, që ta kuptojnë dhe qytetarët e thjeshtë, i ka aty projektet dhe projektet janë porositur, janë bërë dhe kanë kushtuar me qindra mijëra deri në miliona euro mendoj unë. Projektet janë bërë në zona ku, në atë kohë kur ato janë projektuar, nuk ndërtohej dot, ishte e ndaluar totalisht të ndërtohej.

Atëherë kush e merr guximin të hedhë qindra mijëra euro apo dollarë, ç'rëndësi ka, për të bërë një projekt në një zonë ku ti e di fare mirë që nuk do ndërtosh dot kurrë? Përveç nëse ligji ndryshohet. Dhe çuditërisht për disa nga këto projekte, jo për të gjitha, ligjet më vonë, për çudi dhe për koincidencë, u ndryshuan të gjitha dhe u bë e mundur që të hapet rruga ligjore, u hoqën ato pengesa, ato barriera...

Si përjashtimi i taksave nga çdo lloj, TVSH-ja e hoteleve me pesë yje, e brand name e të tjera e të tjera, deri tek falja e tokës publike, si? Nëpërmjet marrjes me qira 1, 5 vjet, 10 vjet dhe pastaj pasi me letra bëhej një investim i caktuar, vetë ligjet e reja të kësaj qeverie mundësonin dhe kalimin e pronësisë.

Të gjitha dyshimet janë që mund të jenë kryer këto aktivitete që ju thoni, dhe nëpërmjet studiove të forta arkitekturore ndërkombëtare të cilat dihet që kanë kontakte dhe mbajnë kontakte me pushtetarët lokalë apo jo vetëm, në nivel europian. Unë me sa kam informacion, në Partinë Demokratike është duke u punuar edhe duke u studiuar gjithë ky material. Në SPAK dosja i ka vajtur 'Albanian Files' edhe nga protestuesit, pra zyrtarisht i ka shkuar.

Ajo është tashmë një e dhënë e njohur botërisht. Pra të gjithë po flasim për këtë, është e aksesueshme online. Unë e kam në dispozicion dhe në PDF, pra qarkullon si dokument. Nuk është diçka aq e fshehtë, aq më tepër që është një libër i botuar jashtë vendit, mund të shkarkohet dhe mund të blihet online.

Kështu që është një dokument tashmë që në aspektin ligjor merr vlerësimin e asaj që quhet fakt i njohur botërisht. Pra nuk ka detyrimisht nevojë që ta çojë dikush tjetër plus. Tashmë në mënyrë kryesisht prokuroria për të nisur hetime mund t'i niste kryesisht tashmë sepse i kanë të gjitha dokumentet aty.

Megjithatë, Partia Demokratike jam i bindur që do ta shfrytëzojë të gjithë këtë material për ta çuar dhe tek kancelaritë ndërkombëtare, për ta analizuar më tej, për të gjetur shkelje të tjera, sepse ai është një burim i pashtershëm. Aty ka me qindra projekte dhe ka një volum të jashtëzakonshëm.’, tha juristi Franc Nuri në SYRI TV.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco