Kryeministri Edi Rama priti në Kryeministri zëvendëskryeministrin e Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Qubad Talabani, i cili po zhvillon atë që prezantohet si vizita e tij e parë zyrtare në Shqipëri.
Për takimin nuk është bërë publik asnjë detaj mbi temat e diskutimit nga kryeministri Edi Rama, ndonëse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe këtij rajoni kanë qenë deri më sot thuajse inekzistente. Pikërisht kjo e bën edhe më intriguese këtë "vizitë të parë zyrtare", e cila ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.
Takimi vjen vetëm një ditë para nisjes së Ramës drejt Ankarasë, ku pritet të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Mbetet për t'u parë nëse do të ketë apo jo një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Prej kohësh qarkullojnë aludime për një ftohje të marrëdhënieve mes Ramës dhe Erdoğanit, sidomos pas vizitës së kryeministrit shqiptar në Izrael dhe fjalimit që ai mbajti në Parlamentin e atij vendi.
© SYRI.net