Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka deklaruar se një nga pikat kryesore të raportit të OSBE/ODIHR-it lidhet me fenomenin e patronazhimit, të cilin ai e cilëson si tregues të një problemi më të thellë institucional në vend.
Sipas Strazimirit, çështja nuk lidhet vetëm me kulturën e survejimit, por me faktin se, siç tha ai, ‘patronazhistët janë punonjës të administratës’, duke ngritur shqetësimin për ndërthurjen mes strukturave të partisë dhe shtetit.
Ai u shpreh se, sipas tij, është krijuar një situatë ku nuk ekziston më një vijë ndarëse mes partisë në pushtet dhe institucioneve shtetërore, gjë që, sipas tij, deformon procesin zgjedhor dhe e bën të vështirë rotacionin politik përmes votës.
Strazimiri deklaroi se përdorimi i termit ‘parti-shtet’ në raportet ndërkombëtare tregon, sipas tij, për mungesë të standardeve të plota demokratike në procesin zgjedhor në Shqipëri.
‘Një ndër pikat kryesore në raportin e OSBE/ODIHR-it është patronazhimi, sepse këtu nuk është çështje vetëm thjesht te kultura e survejimit që rikthehet nga periudha komuniste, nuk është thjesht ky problemi, për fatin tonë të keq.
Këtu çështja dhe në fakt e kanë kapur demin nga brirët, thonë që të gjithë patronazhistët janë punonjës të administratës. Dhe kanë thënë fjalinë që këtu tek ne askush s'është i interesuar të ndalet, duhet të ishin fikur dritat, duhet të ishte ndërprerë çdo gjë, të merreshim vetëm me këtë punë.
Është kthyer në një parti-shtet, patronazhistët rezultojnë të jenë dhe punonjës të administratës. Domethënë, nuk ndihej vija e demarkacionit, nuk kishte më vijë demarkacioni midis partisë dhe shtetit. Që nga ky moment ti s'ke më zgjedhje.
Ndaj partisë që është në pushtet, sigurisht ke shanse dhe mund ta kthesh. Dakord? Pavarësisht avantazheve që mund t'i krijojë vetes. Nëse partia në pushtet është njësuar me shtetin, me shtetin nuk merresh dot, shteti nuk rrëzohet dot me votë. Që do të thotë të mungon një element shumë i rëndësishëm i lirisë.
Nga momenti që ka përdorur shprehjen parti-shtet raporti i OSBE/ODIHR-it, këtu asnjë prej kritereve të tjera politike apo teknike ti nuk i plotëson më. Prandaj ju thashë dhe Evropa nuk është se, nga momenti që flet ndonjë spijun i UDB-së sllovene lindore në emër të Bashkimit Evropian, dhe vjen këtu dhe thotë paturpësisht në mes të Tiranës, e kam me këtë Marta Kos-in që gënjeu paturpësisht të gjithë ne në fytyrë.
Doli dhe tha në krah të Tiranës, në konferencë për shtyp kur erdhi në Tiranë, OSBE/ODIHR-i ka thënë që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Krejtësisht të kundërtën ka thënë OSBE/ODIHR-i.
Është e pamundur të mos ketë një marrëdhënie interesi në këtë rast kur të vijë tjetri këtu dhe thotë. Në fund të fundit e kam thënë që atëherë kur erdhi Anthony Blinken këtu. Është e pamundur të mos ketë një marrëdhënie interesi, a ishte e bashkuar me atë mikun e vet që ti e përfaqësonte, kur vinte këtu i jepte dorën Ardian Dvoranit dhe i thoshte kampion i korrupsionit.
Kur u bë kampionati i korrupsionit që ne jetojmë këtu dhe nuk e dimë kush është? Kë kapi Ardian Dvorani, kë dënoi Ardian Dvorani për t'u bërë kampion i korrupsionit, i luftës kundër korrupsionit?
Më fal pastaj Altin Dumani. Të tërë të arrestuarit përveç Lefter Kokës, nuk e di pse me Lefter Kokën e kanë kap kaq keq këtë punë, të gjithë të tjerët janë të liruar, po marrin pafajësinë njëri pas tjetrit. Dënimi maksimal që kanë marrë ka qenë 60 orë punë në komunitet.
Kjo është të tallesh me këtë milet. Unë mendoj që të gjithë bashkë duhet ta refuzojmë këtë.’ tha ndër të tjera deputeti i PD-së Gent Strazimiri në SYRI TV.
© SYRI.net