I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv nën moderimin e Edvin Parrucës, analisti Enton Abilekaj u shpreh se ndërhyrjet e ndërkombëtarëve, veçanërisht në raportin e brishtë mes SPAK-ut dhe Parlamentit, kanë qenë kontradiktore.
Sipas tij, kushtet e vendosura për bashkëpunimin me drejtësinë u anashkaluan papritur, duke i hapur rrugë negociatave pa kërkuar llogari për përmbushjen e tyre.
Kjo qasje nga organizmat si BE dhe SHBA, të cilat u shfaqën fillimisht si garante të këtyre kushteve, po dëshmon një tërheqje të habitshme përballë një sistemi që në thelb po tregon sjellje dallkauke.
Abilekaj: Ajo kërkesë ndaj Parlamentit Shqiptar për SPAK-un, ishte një kërkesë që nuk erdhi nga Shqipëria, erdhi nga Brukseli. Ata e kërkuan një masë sigurie, ata kërkuan një imunitet, ata kërkuan një sjellje më bashkëpunuese të Parlamentit me drejtësinë. Dhe ata e deklaruan në konferencë shtypi në Shqipëri që bashkëpunimi i Parlamentit me drejtësinë, ofrimi i subjekteve për drejtësinë duke u dhënë imunitetin, duke mos penguar hetimin e të tjera e të tjera, është një kusht shumë i rëndësishëm për integrimin në Bashkimin Europian. Nuk e thamë ne këtë. Kjo nuk ishte një kërkesë e jona, ishte një marrëdhënie mes SPAK-ut dhe Parlamentit, ku ndërhyri një palë e tretë, që ishte mbështetësja e SPAK-ut kryesisht, që janë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe pikërisht kjo palë e tretë, në një moment të caktuar pasi e shtyu për tre muaj, e harroi atë kusht që vuri vetë dhe hapi negociatat. Do thonë, dhe ne mund të themi që hapi negociatat, mbylli kapitullin e parë dhe hapi rrugën për mbylljen e kapitullit.
Për çdo vend që natyrshëm ecën, që është në një rrugë të drejtë për të ecur drejt modernizimit të vet. Sepse Bashkimi Europian nuk është një objekt, një projekt thjesht se është atje në Bruksel një ndërtesë dhe duhet të hyjmë ne brenda dhe të marrim ca lekë. Ajo është një luftë për modernizimin e shtetit. Është një shenjë që ky shtet është modernizuar aq shumë sa është barazuar të paktën në modernizimin e vet, në funksionimin e vet... modernizimi i shtetit flasim për pushtetet e pavarura, pushteti të funksionojë në mënyrë të pavarur ashtu siç duhet. Pra kur gjyqësori, ekzekutivi dhe legjislativi funksionojnë ashtu siç duhet, sigurisht bashkë me pushtetin mediatik. Dhe ne, duke bërë këtë balancë dhe duke njohur realitetin këtu, shikojmë që çuditërisht në një shtet krejt dallkauk, hyn Bashkimi Europian duke shfaqur anën e tij më dallkauke. Duke i dalë drejtësisë kundër, edhe kur Bashkimi Europian e kërkon të mos i dalin kundër. Dhe ata që dalin si garantë të drejtësisë, ata që dalin si garantë të një pjese të modernizimit pjesërisht të këtij shteti, papritur tërhiqen dhe thonë "futuni kështu si dallkauk".
Sepse ne ju duam si truall dhe si njerëz, si numër njerëzish, nuk ju duam si shtet modern. Ky është integrimi në Bashkimin Europian. Për ata që duan me çdo kusht që të ecim të shkojmë aty, dhe mund të jetë... nuk është për t'u paragjykuar askush. Mund të jetë dhe opozitar një pjesë me qeverinë dhe të thonë "po, integrimi në Bashkimin Europian mund të jetë... është i mirë edhe në këto kushte", kur shteti mbetet dallkauk, por ama ecën përpara dhe integrohet në Bashkimin Europian. Nuk është rasti i fundit, nuk është as i pari. Kemi parë se si kanë hyrë shumë vende të lindjes, veçanërisht Rumania dhe Bullgaria, duke mos pasur një shtet modern. Duke vazhduar luftën e brendshme të institucioneve shtetërore me të gjitha mënyrat jo të pastra, po mënyrat e pista që mund të ketë një shtet jo modern, një shtet i kontrolluar, një shtet që funksionon si feudalizëm pra me institucione bajraktare dhe feudale ku gjyqësori në përgjithësi është ai që goditet më shumë, ku drejtësia e ka të pamundur të godasë korrupsionin dhe çdo lloj krimi në qoftë se krimi mbështetet nga politika. Dhe ne jemi në këtë situatë.
Ne jemi në hapin e parafundit të Bashkimit Europian duke pasur një shtet jo modern. Duke pasur një shtet që nuk funksionon. Duke pasur një ekzekutiv dhe një legjislativ që janë të përfshirë, sipas raporteve të Bashkimit Europian, po flas tani nuk po flas fare në raporte opozitare apo mediatike shqiptare. Po flas sipas raporteve të Komisionit Europian, sipas IBAR-it të 21 majit... çfarë thuhej në raportin pasi u miratua? Thuhej që shteti është i përfshirë në afera me krimin. Thuhej që në Shqipëri pastrohen paratë e krimit. Thuhej që bandat kriminale shqiptare janë kërcënim për Bashkimin Europian. Thuhej që zgjedhjet dhe patronazhistët janë një nga të këqijat e mëdha se nuk lejohet që në Shqipëri të kuptohet se çfarë ndodh ditën e zgjedhjeve. Këto nuk u thanë në mediat tona, po e heqim çfarë thonë mediat tona, këto ishin në raportin e i-Barit. Apo jo?A jemi dakord pra që ky shtet mund të hyjë në Bashkimin Europian?
Në qoftë se do ishim ne europianë, nuk do ta pranonim këtë, por duke qenë shqiptarë nuk duhet ta pranojmë dyfish. Sepse kështu jo vetëm që ne nuk e përmirësojmë shtetin tonë, por e legjitimojmë atë që e shkatërron, atë që e shndërron në një shtet feudal, në një shtet dalkauk, në një shtet ku institucionet nuk funksionojnë, ku e drejta e votës nuk funksionon, dhe pastaj të gjitha institucionet e tjera, të gjitha të drejtat e tjera nuk funksionojnë. Dhe sot ne duhet ta celebrojmë këtë gjë. A mund ta celebrojmë ne këtë gjë? Kjo nuk është çështje partiake pra sepse nuk ka të bëjë... a e do Rama? Rama do rrinte në pushtet edhe sikur ne të mos e merrnim integrimin. Kjo nuk është çështje partiake. Për pushtetin e Ramës, më e vështirë është sikur të integrohemi se sa të mos integrohemi, mendoj, sepse presioni mund të rritet.
Kjo nuk ka lidhje me pushtetin pra dhe me partitë. Integrimi ndoshta jep më shumë kontroll për Edi Ramën dhe për një qeveri të korruptuar, i krijon më shumë probleme dhe ndoshta nesër mund ta detyrojë të bëjë zgjedhje të lira, ndoshta. Por, për shtetin shqiptar, për të ardhmen e shqiptarëve, ky nuk është një hap pozitiv. Ky është një hap vetëm legjitimues për një shtet të keq që do mbetet edhe pasi të ikë Edi Rama, nuk ka lidhje me Edi Ramën si person. Kushdo që të vijë në pushtet dhe do gjejë këtë shtet, të legjitimuar dhe nga Bashkimi Europian, nuk ka pse të ndryshojë asgjë, sepse ky është një shtet i legjitimuar nga organizmi më modern ndërkombëtar që është sot që është Bashkimi Europian.
Mendoj që kjo çështje e vëzhgimit është një çështje shumë relative dhe të gjitha kushtet janë relative, sepse ne kemi parë se si kushtet janë tretur. Si u tret kushti i fundit që lindi në shkurt dhe vdiq në 21 maj. Kushtet janë tretur pa asnjë shpjegim. Në qoftë se ju kujtohet, kemi pasur në 2019, 2020 kemi pasur kushtet e Bundestagut, që ishin 20 kushte për qeverinë shqiptare për të hapur negociatat, për t'i hapur negociatat. I festonte Edi Rama negociatat çdo vit të hapeshin, dhe nuk u hapën. Më 2022-shin u hapën. Pra, kishim 20 kushte, dhe në një moment të caktuar për një marrëveshje politike, për një mbyllje sysh, kushtet u zhdukën, dhe negociatat u hapën pa kushte. Negociatat u hapën pa u kontrolluar nëse këto kushte u realizuan apo jo. Kjo nuk është përgjegjësi e Bashkimit Europian në vetvete.
Pra ne nuk mund t'i kërkojmë llogari Bashkimit Europian "pse nuk i shikon kushtet e Shqipërisë ti për të na integruar". Por në momentin që ata shfaqen si garantuesit e këtyre kushteve në Shqipëri, atëherë ne delegojmë një përgjegjësi, dorëzojmë një përgjegjësi tek një pushtet që duket sikur është më i fortë se pushteti ynë, se presioni i brendshëm këtu. Dhe duke e dorëzuar këtë përgjegjësi dhe duke e parë që kjo përgjegjësi e dorëzuar nuk ka asnjë efekt, atëherë themi çfarë po ndodh? A është Bashkimi Europian përfaqësues i atyre vlerave të cilat ne i besojmë dhe prandaj duam të jemi në Bashkimin Europian, apo është Bashkimi Europian një organizatë gjeopolitike, e cila mund të pranojë brenda vetes gjithçka, mjafton që gjeopolitikisht të jetë korrekte.
© SYRI.net