Silva Ndoci: Sistemi i ujërave të ndotura në Tiranë është tashmë në kolaps...

09:13, 27/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria përballet me një krizë të thellë në menaxhimin e ujit të pijshëm dhe atij të ndotur, situatë e cila sipas ekspertëve ka arritur në një pikë kritike. Inxhinierja Silva Ndoci anëtare e departamentit të infrastrukturës në PD, ishte e ftuar në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri tv ku deklaroi se sistemi i kanalizimeve në kryeqytet ndodhet aktualisht në një gjendje kolapsi, i paaftë për të përballuar rritjen e popullsisë dhe zhvillimin e shpejtë urban.

Sipas të dhënave të fundit, ndonëse 70% e popullsisë ka akses në ujë, kjo nuk përkthehet në një furnizim të pandërprerë 24-orësh. Situata është veçanërisht alarmante në Tiranë, ku vetëm 13% e banorëve kanë ujë gjatë gjithë ditës. Rreth 35% furnizohen për 13 orë, ndërsa më shumë se gjysma e qytetit, mbi 50%, ka ujë në rubineta për vetëm 8 orë në ditë. Kjo mesatare prej 15 orësh mbetet shumë larg premtimeve elektorale për furnizim të plotë.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, inxhinierja Ndoci, tha se deri në vitin 2013 janë shpenzuar shifra marramendëse, por keqmenaxhimi dhe mosshfrytëzimi i kapaciteteve të plota të rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimeve i kanë bërë këto investime joefektive. Mungesa e mirëmbajtjes dhe investimet e fragmentuara kanë çuar gjithashtu në një cilësi të dobët të ujit, duke bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve të mos e konsumojnë atë nga rubineti.

Një tjetër pasojë e rëndë e këtij keqmenaxhimi është ndotja masive mjedisore. Lumi Lana është shndërruar në kolektorin më të madh të ujërave të zeza dhe fekaleve në kryeqytet. Rritja e ndërtimeve të reja pa një infrastrukturë të përshtatshme ka bërë që shkarkimet e tyre të derdhen direkt në lumë, duke krijuar një kërcënim serioz për mjedisin dhe ekonominë.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse sistemi është pranë kolapsit, Ndoci dha një përgjigje tronditëse: "Jemi aktualisht në një kolaps".

Flavio Qarri: Rikthehemi të flasim për një tjetër krizë spektakolare që ka Shqipëria, miq të dashur dhe është pikërisht ajo e ujit të pijshëm, Do të lidhemi me Silva Ndocin, e cila është inxhiniere dhe do të na asistojë në fakt në këtë proces. Tani, një kuriozitet të parin kam. Kjo statistika e fundit, 70% e popullsisë kanë akses në ujë të pijshëm të sigurt, po flasim për ata që e blejnë apo për ata që thjesht e paguajnë nëpër ujësjellës-kanalizimet respektive?

Silva Ndoci: Në fakt, siç u përmend edhe në insert, sipas raporteve të fundit, 70% e popullsisë ka akses në ujë të pijshëm, por jo furnizim 24 orë me ujë.

Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë, një kuriozitet tjetër. Nëse do bënim një përllogaritje të sasisë së parave që është shpenzuar në investime, por edhe le të themi konsumi mujor mesatar kombëtar, çfarë na tregojnë këto shifra?

Silva Ndoci: Atëherë, në fakt përsa i përket investimeve, kanë qenë shifra marramendëse, kanë qenë shifra të mëdhaja deri në vitin 2013. Por problemi qëndronte te fakti i keqmenaxhimit dhe mos shfrytëzimit në kapacitete të plota të rrjeteve, si tek rrjeti i ujësjellësit, ashtu edhe te rrjeti i kanalizimeve, të ujërave të zeza, të ujërave të ndotur. Në fakt, po të marrim qytetin e Tiranës si një ndër kryeqendrat dhe me një popullsi akoma edhe më të madhe se të gjitha qytetet e tjera, furnizimi me ujë në qytetin e Tiranës, vetëm 13% e qytetit të Tiranës furnizohet me 24 orë ujë. 35% e qytetit vetëm me 13 orë dhe 50% e qytetit, ndoshta edhe më shumë se 50% e qytetit, furnizohet vetëm me 8 orë ujë në në ditë. Pra, mesatarisht 15 orë furnizimi, që do të thotë ende larg 24 orëve të premtuara në çdo fushatë elektorale.

Flavio Qarri: Po që jemi larg, ajo nuk diskutohet. Problemi është që duket se ka një shqetësim në fakt në lidhje me cilësinë e këtij uji, një debat që ende nuk është sqaruar. Kemi arritur deri te faza që na thonë që të sëmur, por nuk të vret. Tani, në një këndvështrim shkencor, çfarë lloj uji kemi ne nëpër rubinetat tona?

Silva Ndoci: Atëherë, cilësia e ujit ka vend shumë të madh për diskutim. Në momentin që një pjesë e madhe e qytetarëve nuk e konsumojnë ujin e rubinetit, atëherë do të thotë që duhen akoma edhe më shumë investime të tjera përsa i përket rritjes së cilësisë së ujit. Problemi tjetër qëndron se normalisht ne mund të bëjmë investime, por nëse këto investime nuk menaxhohen, nuk mirëmbahen dhe normalisht investimet mund të jenë edhe thjesht të fragmentuara, atëherë uji nuk do të jetë në cilësinë e kërkuar dhe normalisht edhe problemet e ndotjeve dhe të gjitha faktet e tjera mund të ndryshojnë.

Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë, një tjetër tip thashethemi dhe legjende urbane që qarkullon nëpër Tiranë është pikërisht fakti se ka shpesh një përzierje të ujërave të zeza me ujërat e bardha dhe mbi të gjitha që edhe këto lagjet e reja kanë krijuar një kolaps në sistemin tonë të kanalizimeve. Sa është e vërteta, Silva?

Silva Ndoci: Atëherë, në fakt, në qoftë se do marrim lumin e Lanës, është ujëmbledhësi më i madh i ujërave të ndotur, i fekaleve. Domethënë, vend për investim mund të ketë nga linja e maternitetit i ri deri në pallatin me shigjeta. Gjë që të gjitha ujërat e ndotur të banesave dhe të rritjes urbane derdhen në lumin Lana. Dhe normalisht, në qoftë se nuk do të kemi një investim apo një program të caktuar përsa i përket derdhjes së ujërave të ndotur në lumin Lana apo edhe në lumenjtë e tjerë dhe në dete, atëherë do vazhdojnë të kemi probleme serioze përsa i përket ndotjes së ambientit dhe normalisht kjo ndikon edhe në ekonominë e vendit, jo vetëm në papastërti apo në problemet të ndotjes së qytetit.

Flavio Qarri: Po a mendon se se jemi afër një kolapsi kolektorësh apo mund të mbajë sistemi më shumë pallate dhe më shumë konsum?

Silva Ndoci:  Në fakt, me rritjen e popullsisë, me rritjen e ndërtimeve, jemi aktualisht në një kolaps.

Flavio Qarri: Ne jemi në kolaps?

Silva Ndoci: Jemi në një kolaps sepse normalisht nuk është se ekziston, një impiant i caktuar sidomos në qytetin e Tiranës, për sa i përket përpunimit të ujërave të ndotur...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco