Hasimja: Rama po saboton integrimin në BE, tani fajin ia hedh Europës

09:06, 16/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", politologu Ermal Hasimja foli mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ku u shpreh se pengesat kryesore për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian janë krijuar nga vetë qeveria e Edi Ramës.

Ai u shpreh se, PS ka përdorur prej vitesh justifikimin se përgjegjësinë për problemet e vendit e mban Sali Berisha, ndërsa tani po përpiqet t'ia faturojë ngecjen e integrimit Europës dhe rrethanave gjeopolitike.

Hasimja  theksoi se, përkundrazi, vitet e fundit kanë qenë ndër më të favorshmit për zgjerimin e Bashkimit Europian, sidomos pas luftës në Ukrainë, por Shqipëria nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë mundësi për shkak të keqqeverisjes.Gjithashtu  Hasimja akuzoi qeverinë se me ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, si edhe me ndërhyrjet për të penguar drejtësinë, duke përmendur rastin e mosheqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, i ka "futur shkopinj në rrota" vetë procesit të integrimit.

Ai solli gjithashtu shembullin e Greqisë, duke kujtuar manipulimin e statistikave që parapriu krizën ekonomike, ndërsa tha se edhe në Shqipëri po krijohet një realitet i rremë, duke veçuar arsimin, ku nxënësit marrin nota maksimale në shkolla, ndërsa rezultatet në testin ndërkombëtar PISA e rendisin vendin pranë fundit të tabelës.

Pjesë nga deklarata:

Pjesa që justifikimi do ta ketë gati, sepse mund të thotë që fajin e ka Saliu në radhë të parë, po edhe fajin e ka Evropa tani. Meqenëse Saliun s'ka çfarë ta akuzojë në të vërtetë në këtë moment, e ka shfrytëzuar mjaftueshëm. Partia Socialiste, që nga 2005-a, e ka shfrytëzuar këtë qëndrimin: "Fajin e ka Saliu". Edhe ditën e zgjedhjeve të qershorit të 2005-ës, e mbaj mend shumë mirë, një nga televizionet kryesore transmetonte një dokumentar të bërë posaçërisht për naftëtarët, ngjarjet e asaj kohe, më falni, pikërisht me këtë lloj teme, domethënë: "Fajin e ka Saliu". Megjithatë, e ka edhe këtë justifikimin tjetër, që fajin e ka Evropa. Nuk është justifikim i pranueshëm, natyrisht, por mund ta përdorë. Mund të thotë, e ka përdorur në radhë të parë, mund të thotë që nuk ishin kushtet gjeopolitike, nuk donin opinionet publike të atyre vendeve e të tjerë. Këtë e kanë gati për ta përdorur.

Ndërkohë, në fakt, situata është komplet e kundërta. Shqipëria, në qoftë se do të kishte pasur një qeverisje normale, do të kishte qenë në Bashkimin Europian prej kohësh. Aq më tepër që në këto 3-4 vitet e fundit situata ka qenë jashtëzakonisht e favorshme, sepse ka një prirje të Bashkimit Europian për t'u zgjeruar për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike, që shkojnë përtej zbatimit ose plotësimit të kritereve konkrete teknike të anëtarësimit.

Ne kemi prirjen ta shohim Bashkimin Europian si një klub teknokratësh, të cilët vijnë, masin me metër dhe vendosin pastaj me metër, me kile, nuk e di se me çfarë, dhe vendosin nëse i ke plotësuar ato kriteret. Në fakt, dihet shumë mirë që nuk është kështu. Ai aspekti i opinionit, i perceptimit që kanë opinionet publike të vendeve specifike, përcakton edhe qëndrimin e vendeve specifike, e para, për mirë ose për keq. Në rastin konkret, për shkak të luftës në Ukrainë, ky lloj perceptimi ka qenë më pranues për anëtarësimin. Prandaj kemi vënë re edhe këtë lloj gatishmërie të Bashkimit Europian për të na përkrahur më tepër në rrugëtimin e integrimit.

Përkundrazi, me raste si ky i ligjit, i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, i investimeve strategjike e të tjerë, qeveria ka bërë saktësisht të kundërtën, pra e ka penguar. Edhe me raste si ai i bllokimit të heqjes së imunitetit të Ballukut, pra i pengimit të sistemit të drejtësisë, janë të gjithë elementë që qeveria, në fakt, i ka futur shkopinj në rrota vetvetes, jo vetvetes, por Shqipërisë, në fakt, integrimit të Shqipërisë.

Por kemi dhe plot raste të tjera dhe ilustrime. Për shembull, të marrim rastin e Greqisë. Dy shembuj që vijnë nga Greqia. Greqia u fut në Bashkimin Europian pavarësisht se nuk ishte gati për t'u integruar. Atëherë u integrua për arsye politike, për arsye historike, kulturore e të tjerë. Dhe, nga ana tjetër, Greqia, në fakt, është edhe shembulli i keq se si një vend mund edhe të manipulojë të dhënat që i jep Bashkimit Europian, dhe kjo çoi, në fakt, një nga arsyet që çoi edhe te kriza e mëparshme në Greqi, kriza katastrofike ekonomike në Greqi, që vinte pikërisht për faktin që shteti grek gënjente institucionet e Bashkimit Europian me statistika të rreme.

Tani imagjinoni se si e bën Shqipëria këtë gjë. Në fushën e arsimit pastaj s'kam çfarë të flas, sepse, me të vërtetë, çdo njeri që mund të jetë duke e ndjekur emisionin në këtë moment e di shumë mirë gjendjen e arsimit dhe e di shumë mirë, kushdo që ka fëmijët në shkolla, se në çfarë gjendje është arsimi. Dhe a kemi ne një arsim të krahasueshëm me mesataren e Bashkimit Europian? Po jap vetëm një të dhënë. Shqipëria sot ka notat më të mira në sistemin e vet. Nxënësit shqiptarë grihen në dhjeta në shkollat shqiptare. Ndërkohë që në PISA, pastaj, ne dalim aty afër fundit të tabelës. Po të mos ishte Kosova dhe, më duket, një vend tjetër, do të ishim në fund fare. Por aty jemi. Domethënë, kjo është situata. Domethënë, ne çfarë bëjmë? Ne gënjejmë jo thjesht Bashkimin Europian, po edhe vetveten.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco