Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me deklaratat e fundit për korrupsionin, duke kritikuar si Marta Kos edhe Edi Ramën.
Sipas Meksit, si Rama edhe Kos tentojnë të realivizojnë korrupsionin, duke e zhvendosur fokusin tek shoqëria shqiptare.
Ish-ministrja thekson se pikërisht kjo qasje ‘dhemb’, pasi zhvendos fokusin nga përgjegjësia e politikës tek shoqëria në tërësi. Në të njëjtën linjë kritike, ajo komenton edhe reagimin e Ramës në aktivitetin ‘MatchMaker Albania’, duke e cilësuar si një përpjekje për të relativizuar problemin e korrupsionit.
Reagimi i Ermelinda Meksit:
Deklarata e Marta Kos për korrupsionin nuk ishte një sulm ndaj shqiptarëve, por një tezë e njohur në studimet mbi korrupsionin se ligjet nuk mjaftojnë nëse normat sociale e tolerojnë shkeljen.
Ajo nuk foli për një popull konkret, por për një fenomen. Dhe pikërisht këtu qëndron arsyeja pse kjo deklaratë ‘dhemb’ sepse zhvendos fokusin nga ‘ata lart’ edhe tek ‘ne si shoqëri’.
Ndërkaq reagimi i KM Rama sot ne MatchMaker Albania, tenton të relativizoj problemin.
Ne se ju thuhet te tjerëve: ’shihni veten’, kjo shmang thelbin e fenomenit, sepse edhe nëse të tjerët kanë korrupsion, kjo nuk e zhbën tonin.
Ndërkohë, tifozëria politike bën edhe më keq,kur korrupsioni dënohet vetëm kur është i kundërshtarit.
Pra lidhur me qëndrimin ndaj fenomenit të korrupsionit vërehet se: pushteti tenton ta relativizojë, opozita ta përdorë, ndërsa publiku përgjithësisht të rreshtohet sipas bindjeve,jo parimit.
Pa një reflektim të sinqertë dhe pa një standard të njëjtë ndaj korrupsionit, çdo debat mbetet i cekët. Dhe kjo nuk është thjesht çështje morale,por me pasoja konkrete.
Kjo pengon ndërtimin e institucioneve funksionale dhe dëmton rrugën drejt integrimit europian, pikërisht në një moment kur procesi i zgjerimit kërkon më shumë besueshmëri, jo më shumë justifikime.
© SYRI.net