Mblidhet sot për herë të parë Bordi i Naftës, çmimet në stratosferë, tallja e Demos: Qeverisë i duhet kohë të reflektojë...

Mblidhet sot për herë të parë Bordi i Naftës, çmimet në stratosferë, tallja e Demos: Qeverisë i duhet kohë të reflektojë...

11:17, 26/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bordi i Transparencës në tregun e hidrokarbureve do të mblidhet sot për herë të parë, një javë pas krijimit të tij, në një moment kur çmimet e karburanteve në tregun e pakicës vijojnë të mbeten të larta.

Lajmi është konfirmuar nga ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo.

I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri Demo tha se bordi është duke mbledhur informacion mbi lëvizjen e çmimeve në bursa dhe tregun e pakicës dhe pritet që brenda ditës të dalë me një vendimmarrje konkrete.

Ndërkohë për të shpjeguar më qartë situatën. Bordi ka një javë që është krijuar dhe për një javë nuk kanë mundur që të mbledhin informacione për çmimet në bursa. Maksimumi për të bërë një gjë të tillë mund të kishin lexuar mediat. Prej këtu kuptohet se bordi është vetëm një tallje dhe një miratim i çmimeve që do Edi Rama dhe oligarkët e tij në biznesin e hidrokarbureve.

Por qeverisë sipas ministrit Demo i duhet ‘kohë për t’u reflektuar’. Ndërkohë që çmime janë në lëvizje të lirë e paratë e shqiptarëve nuk dihet se ku përfundojnë.

Vendimi për krijimin e Bordit të transparencës në tregun e hidrokarbureve u botua në Fletoren Zyrtare ditën e premte më 20 Mars.

PËR SHPALLJEN E SITUATËS SË VEÇANTË NË TREGUN E HIDROKARBUREVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 21/1, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 21/1, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në një vendimmarrje të dytë nga ana e Këshillit të Ministrave.
Gjatë periudhës së situatës së veçantë ngrihet dhe funksionon Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit, i cili ushtron detyrat e tij sipas kompetencave të përcaktuara në kreun III/1, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar.
Subjektet dhe institucionet e përcaktuara në shkronjat “d”, “dh” dhe “ë”, të pikës 2, të nenit 21/2, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, të ndryshuar, detyrohen që, brenda datës 24.3.2026, të njoftojnë pranë ministrit përgjegjës për ekonominë përfaqësuesit e tyre për përbërje të këtij bordi.
Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit në vend, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave si dhe subjektet e licencuara për veprimtari me shumicë dhe pakicë në tregun e hidrokarbureve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco