‘Drejtësia bie erë’, Malltezi: Prokurorët mbulojnë njëri-tjetrin! Gjyqtarët e GJKKO ‘kontrollohen’ nga SPAK

09:03, 26/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri përballet me akuza të rënda për konflikt interesi dhe mungesë pavarësie, veçanërisht brenda Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Gjatë një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri tv, Jamarbër Malltezi tha se ekziston një "rreth vicioz" ku prokurorët mbyllin çështjet ndaj kolegëve të tyre, duke minuar themelet e shtetit ligjor.

Sipas Malltezit, problemi nis me ndikimin politik, ku shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) janë emëruar nga qeveria dhe monitorohen bashkë me familjarët e tyre nga vetë SPAK-u, çka e bën të pamundur pavarësinë e tyre. Kjo situatë krijon një mjedis ku drejtësia nuk mund të veprojë e lirë dhe ku qytetarët nuk duhet ta pranojnë këtë gjendje.

Pika më kritike e ngritur është konflikti i interesit, i cili përshkruhet si një mekanizëm që ka paralizuar sistemin. U soll si shembull rasti i kallëzimeve penale të bëra për shpërdorim detyre dhe rreth 30 falsifikime nga prokurorë të SPAK-ut, të cilat u mbyllën nga një koleg i tyre.

Kjo praktikë bie ndesh me standardin ligjor, ku për të shmangur konfliktin e interesit, një prokuror rrethi hetohet nga një prokurori e një rrethi tjetër. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri Malltezi tha se, “në këtë rast ne kemi konflikt interesi," duke shtuar se sistemi nuk ka parashikuar asnjë skemë për t'i shpëtuar kësaj situate.

Rasti i gjyqtares Irena Gjoka u përdor si shembull flagrant i këtij problemi. U ngrit pyetja retorike se kush do ta gjykojë atë, duke aluduar se do të jenë kolegët e saj, çka përbën një konflikt të hapur interesi. Gjithashtu, u theksua se prokurorë të tjerë të SPAK-ut kanë çuar në gjykatë çështje me dëm publik shumë më të vogël, duke akuzuar për standarde të dyfishta prokurorin e çështjes, të cilin e cilësoi si "një lolo i Dumanit".

Jamarbër Malltezi: Komenti është që drejtësia shqiptare, po dhe populli shqiptar duhet të ndahen me këtë të keqe.

Flavio Qarri: Domethënë s'keni shpresë te GJKKO-ja që do marrë një vendim?

Jamarbër Malltezi: Shiko, për fat të keq, shumicën e ka emëruar Edi Rama. Ka bërë ligjin e Edi Rama që gjyqtarët e GJKKO-së monitorohen dhe deri tek familjarët e tyre, pa përjashtim, për çfarëdo lloj gjëje nga SPAK-u. Pra dhe gjyqtarët nuk janë të lirë. Pra jemi në një rreth vicioz. Çfarë duhet të bëjmë? E para punës, qytetarët shqiptarë nuk duhet ta pranojnë këtë gjë. Pra, drejtësia duhet të jetë e pavarur. Drejtësia, kur shikon raste si këto ulëritëse si këto të Irena Gjokës, nuk mund të pranojë të jenë këto. Vetë GJKKO-ja do të duhet të reagojë, do duhet të thotë që standarti duhet të jetë i njëjtë, si për Admir Thanzën, si për zotin Hajdari, edhe për Irena Gjokën. Po për fat të keq, ne kemi dhe një problem tjetër. Pse? Në rastin e Irena Gjokës mund të kemi konflikt interesi, se të gjithë ato janë kolegë aty. Kush do e shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut? Ka, një ngjarje tjetër. Për shembull, pak vetë mund ta dinë, unë kam bërë katër herë kallëzime penale për prokurorët, sepse kanë bërë shpërdorim detyre dhe kanë kryer të paktën 30 falsifikime. Prokurorët e SPAK-ut! Bëjnë falsifikime, është e paimagjinueshme. I kam nxjerrë në libër, me ISBN, është në bibliotekë kombëtare. Çfarë ndodh? Unë e çoj në Prokurorinë e Tiranës, Prokuroria e Tiranës e heq si patate të nxehtë, ia çon SPAK-ut, aty në SPAK një koleg i tyre, te zyra ngjitur, mbyll çështjen e korrupsionit, të shpërdorimit të detyrës dhe të falsifikimit të prokurorëve që i ka kolegë.

Po kjo është për të vënë duart në kokë, sepse në rast se kallëzohet një prokuror rrethi, nuk është prokuroria e atij rrethi që e shqyrton, është prokuroria e një rrethi tjetër, që të evitojnë konfliktin e interesit. Në këtë rast ne kemi konflikt interesi. Çfarë ndodh? I gjithë sistemi i drejtësisë nuk ka, parashikuar asnjë skemë se si do shpëtojë nga konflikti i interesit. Kush do e gjykojë zonjën Gjoka? Kolegët e saj. Do jenë në konflikt interesi. Nuk ka. Pra, çfarë ndodh? Kush do e shqyrtojë këtë prokurorin që ka bërë shpërdorim detyre? Ky është prokurori që ka bërë shpërdorim detyre. Sepse ka pasur raste të mëparshme me shumë herë më pak dëm publik se zonja Gjoka, në të cilin prokuror tjetër i SPAK-ut e ka çuar dhe gjykata ka marrë vendim. Ky atëherë pse del me standart të dyfishtë? Ky prokuror që është një lolo i Dumanit. Domethënë të gjitha këto të tregojnë që drejtësia bie erë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco