Kryeministri Edi Rama ka premtuar prej më shumë se një viti e gjysmë blerjen e dy avionëve zjarrfikës brenda vitit 2026. Por premtimet e kryeministrit rezultuan sërish një dështim, pasi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pranoi sot se Shqipëria është ende në negociata për blerjen e tyre dhe ende nuk dihet se kur do të mund t’i vendosë në funksion.
Nga SYRI TV
Prej më shumë se një viti e gjysmë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur sistematikisht premtimin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës për Shqipërinë.
Nga fushata elektorale, në kulmin e zjarreve të verës, e deri në konferencën e fundvitit, zotimi i Edi Ramës është artikuluar disa herë publikisht si një angazhim i sigurt dhe me afat të përcaktuar.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, kryeministri shpalli për herë të parë afatin konkret për realizimin e këtij investimi, duke thënë se në verën e atij viti Shqipëria do të kishte avionët e vet zjarrfikës.
“Brenda vitit 2025, Shqipëria do të ketë dy avionë zjarrfikës modernë. Është një investim i domosdoshëm për sigurinë e vendit.”
Që në këtë deklaratë të parë, premtimi u paraqit si i garantuar dhe me afat të qartë. Në muajin gusht, në kulmin e zjarreve masive, kryeministri e riktheu sërish në vëmendje të njëjtin angazhim.
“Ne nuk do të varemi më nga ndihma e huaj. Dy avionë zjarrfikës do të jenë pjesë e flotës sonë shumë shpejt.”
Edhe në momentin e emergjencës, premtimi u ripërsërit si zgjidhje e afërt dhe e sigurt, ndërsa në konferencën e fund vitit, 2025 Edi Rama, që e kishte shtyrë disa herë afatin, u shpreh i sigurt se vera e 2026 do ta gjente Shqipërinë me dy avionë për shuarjen e flakëve, duke konfirmuar se financimi ishte garantuar dhe procedurat kishin nisur.
“Financimi është i garantuar dhe procedurat kanë nisur. Shqipëria do t’i ketë dy avionët brenda afatit që kemi premtuar.”
Megjithatë, sot ministri i Mbrojtjes pranoi se asnjë avion nuk është blerë; madje janë ende në negociata për blerjen e njërit prej tyre, pa garantuar se ky avion do të jetë në gatishmëri për verën e 2026.
"Eshtë në finalizim negociate blerja e 2 avionëve zjarrfikës. Të mundësojmë që të paktën njëri të vijë sa më parë. Nuk mund të angazhohem dot të them a do vijnë për sezonin" deklaroi sot ministri Vengu.
Ndërsa qeveria po i jep miliona euro kompanisë Kayo, në një kohë kur shteti nuk ka as mjetet bazike për përballimin e emergjencave civile, ministri Pirro Vengu deklaroi se edhe këto mjete i janë lënë në dorë kësaj kompanie.
Deklaratat e ministrit të Mbrojtjes u bënë sot gjatë një konference me gazetarët, ku ai sërish nuk dha një afat se kur do të bëhet e kalueshme për qytetarët rruga Librazhd–Prrenjas, e cila prej 5 ditësh është e bllokuar.
© SYRI.net