Në një kohë kur opozita ka thirrur një tjetër protestë kombëtare, drejtori ekzekutiv i Institutit Konservator Shqiptar, dhe këshilltari ligjor i Grupit Parlamentar të PD Nikola Kedhi, në një intervistë në SYRI TV, argumenton se Shqipëria ndodhet në pikën më të ulët të tranzicionit të saj 35-vjeçar, e zhytur në një krizë të thellë varfërie dhe korrupsioni galopant.
Sipas tij, qëndrimi i ri i kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë është një shenjë e qartë se ai po mbron veten, duke penguar hetimet dhe duke sakrifikuar të ardhmen europiane të vendit. Duke folur për arsyet pse shqiptarët duhet të dalin sot në protestë, Kedhi, këshilltar pranë grupit parlamentar të PD, theksoi se situata ekonomike është e padurueshme. Ai përmendi shifra alarmante, ku 20% e popullsisë jeton në varfëri ekstreme dhe 41% rrezikon përjashtimin social, duke luftuar për të siguruar minimumin jetik. Kësaj tabloje i shtohet ngërçi i biznesit, ku Shqipëria renditet e fundit në rajon, dhe skandale të përmasave të mëdha korruptive.
Kedhi e përshkroi protestën si një akt dinjiteti të qytetarëve, të cilët nuk dalin në rrugë për individë apo parti, por për veten e tyre dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Në analizën e tij për situatën me drejtësinë, Kedhi u ndal te ndryshimi i theksuar i qëndrimit të kryeministrit Rama, veçanërisht pas çështjes që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas tij, veprimet e fundit të Ramës, si plani për të ndryshuar ligjin për të anashkaluar një vendim gjykate dhe vonesa për të mbledhur Këshillin e Mandateve për heqjen e imunitetit, tregojnë një përpjekje të hapur për të penguar drejtësinë.
Tani që hetimet, si në çështjen Balluku apo atë të AKSH-it, po i afrohen atij personalisht, Rama po ndërmerr manovra për të bllokuar procesin. Kedhi konkludoi se me këto veprime, kryeministri jo vetëm po kryen një “krim në vetvete” duke penguar drejtësinë, por edhe po sakrifikon qëllimisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një proces për të cilin, sipas analistit, ai kurrë nuk ka pasur interes real.
Kedhi:
Shqipëria sot mund të jetë në pikën më të ulët të tranzicionit 35-vjeçar. Nuk mendoj se ka dyshim për këtë. Duke nisur që nga varfëria e skajshme, ne kemi diskutuar dhe bashkë shumë herë gjendjen ekonomike të Shqipërisë, me varfërinë, me njerëzit që janë në varfëri ekstreme, 20% e popullsisë, dhe që mua me thënë të drejtën më duket shifër shumë e ulët duke njohur realitetin dhe duke dalë jashtë Tiranës, apo me kushtet e përjashtimit social, pra njerëzit që përballojnë vetëm gjërat më bazike, më minimale për të mbijetuar, që janë në 41% të popullsisë, duke shkuar tek ngërçimi i biznesit, ku jemi të fundit në rajon, duke shkuar më pas te skandalet e korrupsionit.
Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj rrëfente se vetëm në katër-pesë vitet e fundit janë vjedhur 14 miliardë euro në këtë vend dhe këto nuk janë para, nuk është diçka abstrakte, këto janë paratë e qytetarëve shqiptarë, janë ato që qytetarët shqiptarë e heqin nga vetja për t'ia dhënë shtetit, i cili duhet theksuar nuk ka para të vetat, por i merr nga qytetarët shqiptarë në mënyrë që t'ua kthejë në të mira publike, në shërbime apo në investime publike, të cilat nuk ndodhin.
Nuk ndodhin as në rrugë, të cilat që po i shikojmë se si po shëmben, as në shërbime shëndetësore, ne i shikojmë gjendjen në të cilën ndodhen spitalet sot. Cili është ai qytetar shqiptar që vete në një spital publik dhe merr shërbimin për të cilin ka paguar me taksat e veta, as shërbimin në sistemin arsimor.
Ne e shikojmë se si ka rënë arsimi nga viti në vit, e shikojmë se si bie dhe kap minimume historike në në rangimet e PISA-s. Pra, gjithë kjo situatë ë dhe duke shtuar kësaj çfarë po ndodh sot me zëvendëskryeministren e cila është e pandehur, por është në një mbrojtje politike nga kryeministri Rama dhe nga qeveria socialiste, nga mazhoranca në parlament, duke bërë në një farë mënyre një puç, një grusht shteti të mirëfilltë brenda shtetit dhe duke penguar drejtësinë, që është është një krim në vetvete pengimi i drejtësisë.
Pra të gjitha këto janë arsye të mjaftueshme, në çdo vend të botës, aq më tepër në Shqipëri, për të protestuar. Qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm që nuk dalin të protestojnë as për një individ, as për një parti, as për disa individë, dalin të protestojnë për veten e tyre, sepse të protestosh është dinjitet dhe është të ngresh zërin për të mbrojtur dinjitetin tënd dhe të ardhmen në Shqipëri, për ta ndërtuar të ardhmen në këtë vend.
Tregon vetëm një gjë, shumë të thjeshtë, që kryeministri po mbron veten. Në qoftë se deri më tani nuk ka ndërhyrë në drejtësi, sepse drejtësia ka qenë selektive, dhe asnjë nga ish-bashkëpunëtorët e tij nuk është prekur, nuk është akuzuar, nuk ka vuajtur burgimin, aq pak sa kanë bërë, për çështje të cilat lidheshin direkt me kryeministrin. Edhe pse kanë qenë të shumta çështje të tilla, sot me sa duket drejtësia, ndoshta edhe me ndryshimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një sërë faktorësh të tjerë që kanë ndryshuar në favor të shqiptarëve dhe jo në favor të kryeministrit, me sa duket ka arritur deri tek kryeministri Rama.
Çështja Balluku, ku ai përmendet edhe në përgjime, çështja e AKSH-it, janë skandale të tilla që prekin atë vetë. Dhe natyrisht duke mbrojtur zv/ëndësen e tij, ai po mbron veten e vet me të gjithë këto manovra që po bën, me të gjithë këtë pengim të drejtësisë që po bën, edhe duke sakrifikuar integrimin europian të Shqipërisë, të cilin ne e kemi thënë shpeshherë që atij nuk i intereson dhe nuk e ka për qëllim që ta fusi Shqipërinë në Bashkimin Europian.
© SYRI.net