Duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve për një vizitë të kreut të qeverisë në Francë, Berisha tha se, “uroj që Macron të mbajë parasysh se realiteti që i paraqet Rama nuk është realiteti që ekziston në bulevardin e Tiranës”.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Nisur nga fakti që kreu i qeverisë Edi Rama është sot në një takim zyrtar në Francë me presidentin Macron, cila mendoni se është tashmë pozita në arenën ndërkombëtare të kreut të qeverisë në një kohë që Bashkimi Europian ka miratuar një rezolutë në mbështetje të kërkesave të protestuesve dhe protestat kanë bërë jehonë në mediat e huaja?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Po, është njoftuar një takim, drekë, në Elize midis presidentit Emmanuel Macron dhe Edi Ramës.
Normalisht mund të përgjigjesha që nuk kam ndonjë koment dhe vërtet unë nuk di qëllimin. Por di një gjë. Në traditën e pallatit të Elizesë, drekat janë, si të themi, eventet për t'i shprehur haptas mendimet e veta Franca ndaj të ftuarit, që në rastin e drekës i jep privilegjin e një të ftuari në drekë.
Më kujtohet si sot në këtë traditë, kur i ndjeri presidenti Zhak Shirak ftoi ish-kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Dhe e ftoi për një drekë në Elize. Pas tre orësh drekë dhe bisedimesh, Koshtunica i paraqiste presidentit Shirak një realitet që nuk ekzistonte.
Dhe në një rast të pazakontë, presidenti Shirak, i ndjeri presidenti Shirak lëshoi një komunikatë në të cilën thotë: 'Edhe si një transparencë ndaj francezëve që kanë një miqësi tradicionale me kombin serb- është e njohur kjo- që unë ftova kryeministrin e një kombi mik, por pashë që absolutisht ai nuk besonte realitet tjetër përveç atij që kishte në kokë dhe që nuk ekziston'.
Tani a do jetë kjo komunikatë apo tjetër, unë nuk mund të them se çfarë do jetë, por ky është një variant.
Varianti tjetër është edhe për të shprehur mbështetje. Nuk e di se cili do jetë, por unë uroj dhe dëshiroj që presidenti Macron të mbajë parasysh se realiteti që përshkruan Edi Rama, për bajlozin e zi, algoritmin, për agjenturat e huaja, greke, iraniane, ruse, serbe tani së fundi, nuk është ai realitet që ekziston në bulevardin e Tiranës ku qindra mijëra qytetarë protestojnë prej 22 ditësh në mënyrën më civile dhe më të qëndrueshme ndaj një regjimi që i ka plaçkitur ata në mënyrën më të pamëshirë.
Që i ka përzënë ata nga vendi i tyre nga viti 2015 deri në vitin 2024 në 10 vite, më shumë se çdo pushtues i egër i mëparshëm i kësaj toke.
I ka pakësuar ata edhe më shumë se murtaja e zezë e viteve 1300. Prandaj do dëshiroja që në atë bisedë presidenti Macron ta kishte të qartë se bajlozët e zinj që ai quan algoritmet; se shtojzovallet dhe shtrigat që ai konsideron blogerë e influencierë, janë që të gjitha fantazi e sëmurë e një njeriu të lidhur me pushtetin më keq se mishi me thoin për shkak të krimeve të tij të panumërta që ka kryer, dhe që nuk pranon në asnjë mënyrë ta dorëzojë atë, po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij.
Uroj nga zemra që ky takim në Elize, të bëjë që Edi Rama të marrë mesazhin e duhur në interesin më të mirë të Shqipërisë, të rajonit, por dhe të miqve të Shqipërisë, mbasi sigurisht presidenti Macron e ka ftuar atë si një mik të Francës.
© SYRI.net