Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus kanë qenë situata politike dhe protestat për Zvërnecin.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të jenë më aktivë në rrjetet sociale dhe të komunikojnë më shumë punët e qeverisë. Sipas tij, arritjet dhe investimet nuk po marrin vëmendjen e merituar në platformat online. “Ne nxjerrim një punë dhe nuk merr algoritëm”, mësohet të ketë deklaruar Rama.
Gjatë takimit nuk munguan as replikat me deputetin Erion Braçe. Kryeministri e kritikoi për postimet e vazhdueshme mbi problematikën e mbeturinave, duke i kujtuar se publikon vetëm koshat e mbushur me mbeturina dhe jo ata të pastruar. Braçe iu përgjigj se vijon t’i publikojë këto raste pasi problematika ende nuk ka marrë zgjidhje.
Mësohet gjithashtu se Rama ka dhënë udhëzime për mënyrën se si deputetët duhet të trajtojnë situatën aktuale politike, ndërsa ka ndërprerë diskutimin për aktivisten Marjana Koçeku, pasi kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tentoi ta përfshinte çështjen në debat.
© SYRI.net