Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 21-të e protestës - 'Rama jepe dorëheqjen deri më 21 qershor'

VIDEO/ Gjoni: Rama ka humbur toruan, ky është një revolucion që do t'i ndryshojë faqen Shqipërisë

17:09, 20/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet në panik përballë reagimit qytetar, ndërsa theksoi se protesta e paralajmëruar përbën një ‘revolucion’ që sipas tij do të sjellë ndryshime të mëdha politike në vend.

I ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV me moderatoren Eneida Ndoci, Gjoni hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit se mobilizimi qytetar është produkt i algoritmeve të rrjeteve sociale.

Sipas tij, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisjes është në nivele të larta dhe kjo pritet të reflektohet në pjesëmarrjen masive në protestë.

Deputeti i PD-së tha se frika e reagimit popullor po ndihet brenda mazhorancës dhe akuzoi qeverinë për fshehje të aferave dhe dokumenteve që, sipas tij, ende nuk janë bërë publike.

Gjoni e cilësoi lëvizjen qytetare si një thirrje që tejkalon kufijtë partiakë dhe që buron nga ndërgjegjja kombëtare dhe dëshira e shqiptarëve për ndryshim.

‘Është një mënyrë sesi kryeministri është kërkon që t'u japë kurajë vetes dhe njerëzve të cilët sot kanë Partinë Socialiste, por ai e ka humbur toruan. E ka humbur për arsye sepse këtu nuk kemi të bëjmë me algorizëm.

Ata njerëz të cilët sot juve i keni transmetuar, mediat sociale po i transmetojnë, televizionet e tjera po i japin, mënyra sesi po amplifikohet nuk është algorizëm. Kjo është një revolucion të cilët njerëzit, shqiptarët kudo që janë në botë e kanë përqafuar. E kanë përqafuar dhe unë jam i bindur se sot protesta do jetë e jashtëzakonshme.

Njerëzit janë të mobilizuar, njerëzit kanë një mllef të jashtëzakonshëm për mënyrën sesi Shqipëria ka marrë drejtimet në këto vitet e fundit. Dhe unë besoj që njerëzit sot do qëndrojnë në shesh, jo vetëm sot, edhe nesër, edhe pasnesër derisa t'i jepet një zgjidhje përfundimtare.

Dhe kjo frikë ndihet në dejet dhe në gjakun e Edi Ramës, në gjakun e atyre socialistëve të cilët sot janë pjesë e kësaj klike uzurpuese të këtij shteti të cilët nuk kanë lënë gjë pa bërë.

Ju nuk e imagjinoni dot. Sot mund të ketë dalë një e mijëta e atyre gjërave që kanë ndodhur. Imagjinoni që një sërë dokumentacionesh të cilët nuk lejohen, janë dokumentacione sekrete, janë tendera sekret.

Ky është një revolucion, dhe ky është një revolucion i cili do të ndryshojë faqen e historisë në lidhje me Shqipërinë. Dhe kjo është një gjë pozitive pasi këta njerëz të cilët janë bashkuar, një thirrje jo të partive politike, por një thirrje të ndërgjegjes kombëtare, të dinjitetit kombëtar, të mënyrës sesi ata duan ta shohin Shqipërinë.

Sot po i japin, po i japin një kuptim edhe jetës së shqiptarëve të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe atyre të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, në diasporë.

Është kënaqësi  dhe më lejoni që në këtë moment të fundit t'i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, në çdo cep të Shqipërisë, t'i bashkohen kësaj proteste madhështore, këtij uragani popullor i cili do vijë nga çdo cep i Shqipërisë, do t'i bashkohet bashkë me diasporën sot përballë kryeministrisë, për t'i dhënë goditjen përfundimtare këtij pushteti të kalbur i cili është në grahmat e fundit.

Dhe këta njerëz sot duhet të tregojnë veten, duhet të mobilizohen, të qëndrojnë aty deri në largimin përfundimtar dhe krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme në mënyrë që Shqipëria të futet në binarët e demokracisë funksionale.’, u shpreh deputeti Gjin Gjoni në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco