Lideri i opozitës shqiptare deklaroi gjatë një konference shtypi se, “vendi i çdo demokrati është në shesh në protestën qytetare”.
“Mos u impresiononi nga sloganet e opozitës së opozitës”, tha kreu demokrat.
Berisha: Jam këtu gjithashtu për t’u kërkuar demokratëve kudo që janë, çdo natë vendi i tyre është në sheshin dhe rrugët e Tiranës në betejën për liri, për votën e lirë dhe kundër autokracisë.
Asnjë slogan, asnjë parullë, asnjë mashtrim i hedhur aty kundër opozitës së vërtetë, asaj opozite që në kushtet më të vështira të një kalvari të vërtetë, qëndroi e pamposhtur në dhjetëra e dhjetëra protesta kundër regjimit.
Të asaj opozite që u burgos, por nuk u mposht.
Që u sanksionua, por nuk u mposht.
Të asaj opozite që me komisionet e saj, me denoncimet e saj, depozitoi një mal dosjesh në SKAP, pavarësisht se heshtën.
Të asaj opozite që ia doli me betejat e saj të damkosë regjimin e Edi Ramës në tetë rezoluta ndërkombëtare si narkoregjim.
Të denoncojë e para narkoshtetin e tij dhe ta stipulojë atë në rezoluta ndërkombëtare.
Të asaj opozite që realizoi mbrojtjen e votës së lirë dhe që bëri të mundur që zgjedhjet e 11 majit të damkosen si farsë elektorale në një përpjekje shumë të madhe.
Pra, çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare, kësaj radhe jo me flamurin dhe simbolet e partisë pasi kjo është një protestë qytetare, të cilën ne si të tillë e respektojmë plotësisht.
Të cilën ne bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë, por vetëm e vetëm si qytetarë.
Askush nuk duhet të impresionohet ndaj klithmave të atyre që janë unikë në botë që protestojnë kundër opozitës, të kompleksuar si vegël e qeverisë mendojnë se hapin rrugën e tyre duke sulmuar, duke shpifur, trilluar kundër opozitës.
Asnjë gjethe, asnjë degëz nuk duhet t’u pengojë ku të shihni trungun qytetar të kësaj proteste, kauza e të cilës në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza juaj, kauza e PD.
Ndaj dhe të vazhdoni si sot, pa impresion, pa asnjë hezitm, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste.
Unë kam besim të madh se revolucioni apo protesta do të triumfojë dhe se Edi Rama çfarëdo që të bëjë, me çdo makinacion, çdo vegël që do përdorë, çdo mashtrim që do përdorë, do marrë atë që meriton.
© SYRI.net